Kosova duhet të çlirohet nga diktatura e krimit dhe e korrupsionit

Kosova duhet të çlirohet nga diktatura e krimit dhe e korrupsionit
  • 22 April 2018 - 09:41

Kërcënimi më i madh demokracisë

SHKRUAN: SKËNDER S.KAPITI 

Kërcënimi më i madh demokracisë i vjen nga korrupsioni dhe nga manipulimi i drejtësisë, kapja e kësaj nga politika dhe nga krimi. Kjo e falimenton demokracinë dhe instalon në sistem një diktaturë të elitës politike të papërgjegjshme, të kriminalizuar, të pandëshkueshme , abuzive dhe spekulatore e madhe. Pas Çlirimit dhe Pavarësimit të Kosovës nga kolonizatori barbar serb, fatkeqësisht Kosova duke marrë modelin dhe shembullin nga Shqipëria, atë të sistemit politik të padrejtësisë, të interesit personal mbi atë kombëtar, të papërgjegjshmërisë dhe të kapjes së drejtësisë , të kriminalizimit e të korrupsionit politik, gjë të cilën e pati paralajmëruar edhe opinionisti Gani KAPITI, i cili e parashikoi se politika e Kosovës nuk duhet të marrë "leksione" nga politika Tiranës, pasi ajo vetëm trauma e tollovi gjithnjë i ka shkaktuar Shqipërisë, këshillë të cilën ai e dha atëherë në një emision televiziv në Tiranë që në dhjetor të vitit 1999. Ganiu porositi gjithashtu që Kosova duhej të merrte shembullin amerikan të ndërtimit të shtetit demokratik dhe të drejtësisë amerikane, ashtu sikurse edhe në vitin 1992 Senatori dhe Avokati i Madh i Çështjes shqiptare,Xhozef DIOGUARDI iu lut Sali Berishës që të ndërtonte në Shqipëri një drejtësi si ajo amerikane, por që Berisha bëri të kundërtën , ai kapi edhe politikën edhe drejtësinë, ku si pasojë erdhi pastaj dhe u instalua në Shqipëri një sistem katastrofik drejtësie politike të kriminalizuar dhe të tejkorruptuar, gjë e cila e mbajti Shqipërinë shumë larg drejtësisë , të paqëndrueshme politikisht, të paaftë për të luftuar krimin e organizuar dhe korrupsionin e lartë institucional, e mbajti peng Shqipërinë dhe të pazhvilluar demokratikisht dhe larg integrimit për në BE për rreth 27 vite.

Gjendja në Kosovë është si në Shqipëri

Por kështu mjerisht ndodhi edhe me Kosovën, që ashtu sikurse edhe Shqipëria, e cila prej 27 vitesh pas vetërënies së komunizmit, Shqipëria kaloi dhe ra në sistemin pseudodemokratik , në atë të një diktature të re të regjimit politik pluralist, të diktaturës së krimit dhe të korrupsionit. Dhe po kjo gjë ndodhi edhe në Kosovë. Edhe Kosova pavarësisht investimit të jashtëzakonshëm dhe vendimtar të SHBA-ve për Çlirimin dhe Pavarësimin e saj dhe për shtetndërtimin e Kosovës, politika dhe politikanët e Kosovës nuk u treguan mirënjohës SHBA-së, rolit, ndihmës dhe sinqeritetit të saj dhe as nuk morën përvojën e SHBA-së për Kushtetutën, për ligjin, për shtetndërtimin modern të Kosovës, por morën atë të Politikës së Tiranës, dhe rezultati është ky i sotmi që edhe Kosova ashtu si edhe Shqipëria ka mungesat dhe deficitin më të lartë për ligjzbatimin, për efikasitetin në luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, për shtetin ligjor dhe për demokracinë në Europë. Ky është fakt dhe e vërtetë, gjë për të cilën konstaton, ankohet e akuzon qytetari shqiptar si dhe diplomacia dhe institucionet demokratike të SHBA dhe të BE-së. Ato, sidomos SHBA -ja, si aleati më i madh i shqiptarëve gjithnjë dhe pandërprerë i kërkojnë si Shqipërisë ashtu edhe dhe Kosovës që të realizojnë të njëjtat "detyra shtëpie": luftë kundër krimit të organizuar dhe kundër korrupsionit; kërkojnë dhe urdhërojnë : ndërtoni shtetin ligjor, dekriminalizoni politikën dhe drejtësinë! Porosisin politikën dhe politikanët shqiptarë : interesohuni për interesin kombëtar dhe atë publik, për zhvillimin e demokracisë dhe për integrimin dhe jo vetëm për interesa personale e klanore! Ky realitet i ka mbajtur peng të dy shtetet shqiptare; i ka mbajtur ato në një gjendje amullie, paqëndrueshmërie politike, mosbesimi te qytetarët dhe te ndërkombëtarët; si vende ky sundojnë regjimet politikokorruptive, të kriminalizuara, hajdutokrate dhe autokratike. Pse kërkohet që në Kosovë të çmontohet ky sistem i kriminalizuar dhe i korruptuar? Kjo sepse gjendja në Kosovë është si në Shqipëri. Kjo diktaturë është diktaturë e krimit dhe e korrupsionit sepse sillet si diktat i "elitës" politike mbi drejtësinë, shtetin, shoqërinë dhe individin; sillet si një diktat imponues e detyrues që vjen prej regjimit oligarkokriminal i cili është në majë të sistemit; sillet si një sundim antisistem i fortë dhe i pasfidueshëm. Kjo diktaturë krimi dhe korrupsioni sillet dhe funksionon si një korporatokraci monopoliste që ka gllabëruar gjithçka, që bën çfarë dëshiron dhe nuk pyet për asgjë dhe as për askënd; një klanokraci korporative, e cila bën vetëgjyqësinë dhe nuk përgjigjet as para ligjit, as para Kushtetutës dhe as para votuesve, pra, as para demokracisë. Kjo diktature libertariane e krimit dhe e korrupsionit politik në Shqipëri dhe në Kosovë ka ardhur sepse politika, drejtësia dhe pushteti i keq dhe i lig e degraduan demokracinë dhe vlerat e saj

VETTING-u po jep rezultate dhe në Shqipëri

Pikërisht ata të cilët e kanë montuar këtë diktaturë, janë amoralisht po ata të cilët spekulojnë, hipokrizojnë dhe manipulojnë me ligjet, me shtetin dhe me shoqërinë. Prandaj SHBA dhe BE nisur nga këto fakte dhe ky realitet i tillë i rëndë bënë presionin dhe ia imponuan politikës në Shqipëri miratimin e Ligjit të VBETTING-ut, pasi krimi dhe korrupsioni në Shqipëri e kishin atrofizuar dhe paralizuar shtetin, shoqërinë dhe demokracinë. Dhe tani pas kësaj duket se VETTING-u po jep rezultate dhe në Shqipëri ka filluar çmontimi i kësaj diktature politike të krimit dhe të korrupsionit, gjë e cila duhet të ndodhë patjetër edhe në Kosovë. Duhet shëmbur kjo diktaturë e cila nuk është e interesuare as për zhvillimin, as për progresin, as për mirëqenien e popullit;as për ligjin dhe as për demokracinë; as për mirëfunksionimin e shoqërisë dhe as për integrimin. Kjo lloj diktature krimi dhe korrupsioni e ka privatizuar dhe e ka manipuluar edhe ekonominë, dhe ekonominë e kanë në dorë po kjo mafio-politikë dhe mafiodrejtësi që është lart, në majë të sistemit. Kjo diktaturë krimi dhe korrupsioni po shkatërron edhe humanizmin, edhe shpresën , edhe patriotizmin. Kjo sepse kjo diktaturë ka forcë shkatërrimtare të korrupsionit, krimit, të vjedhjes dhe të hajdutërisë dhe të parasë së pisët .Kjo diktaturë e kësaj kastokracie është shumë grabitqare dhe shumë lakmitare, grabitqare e madhe sa që nuk mund të krahasohet as me shtazët më të egra të botës kafshërore. Prandaj kjo elitë, kjo kastokraci dhe kjo diktaturë e tyre duhet të çmontohet nga politika, nga drejtësia dhe nga pushteti edhe në Kosovë . Këtë e bën vetëm VETTING-u.

(Kosova Sot)