Si të negociohet me Korenë e Veriut?

Si të negociohet me Korenë e Veriut?
  • 24 April 2018 - 08:48

Shkruan: Brahma Chellaney 

L ideri i Koresë Veriore Kim Jong-Un, duket se është duke e përgatitur skenën për një marrëveshje historike me presidentin amerikan Donald Trump, e cila do t'ia lejonte vendit të tij, sikur Mianmarit apo Vietnamit, ta zvogëlojë vartësinë nga Kina dhe të afrohet më shumë me Perëndimin. Por, përkundër shpalljes së moratoriumit në testet bërthamore dhe të raketave me rreze të gjatë veprimi dhe të tërheqjes së kërkesës për largimin e trupave amerikane nga Koreja Jugore, nuk ka të ngjarë që Kim të heqë dorë nga programi i armëve bërthamore, i realizuar me shumë mund, derisa të arrihet një marrëveshje e besueshme dhe gjithëpërfshirëse. Koreja e Veriut ka kryer gjithsej gjashtë teste bërthamore - të njëjtin numër si India, aftësia e madhe e armëve bërthamore të së cilës është përtej dyshimit. Imitimi nga Kim i deklaratës së Indisë të vitit 1998 për një moratorium testues - e cila mundësoi bisedimet me Shtetet e Bashkuara dhe çoi përfundimisht te një ligj amerikan duke njohur arsenalin bërthamor të Indisë - nënkupton se ai kërkon pranimin ndërkombëtar të statusit bërthamor të vendit të tij.

Sanksionet shkallëzuese

Sigurisht, marrëveshja bërthamore amerikano-indiane u mundësua nga presionet strategjike të Luftës së Ftohtë, të cilat mungojnë në kontekstin e Gadishullit Korean. Sidoqoftë, nëse samiti i Trumpit me Kimin do të ketë një ndikim të qëndrueshëm, është thelbësore që të shkojmë përtej përpjekjeve të detyrimit të Koresë së Veriut për të hequr dorë nga armët bërthamore dhe për ta ndjekur një marrëveshje më të gjerë strategjike që synon hapjen e Veriut ndaj botës. Historikisht, përfundimi i konflikteve të gjata - për shembull, dobësimi i kmerëve të kuq, që ishin përgjegjëse për gjenocidin kamboxhian në vitet 1970, është varur nga strategjitë gjithëpërfshirëse që nuk kanë vënë çarmatimin në rend të parë. Nuk ka asnjë arsye për të besuar se situata do të jetë ndryshe me Korenë e Veriut. Në fund të fundit, karta e vetme e vendit është arsenali i saj bërthamor - dhe Kim e di këtë. Fakti i thjeshtë që ai, më në fund, ka rënë dakord të mbajë samite me Korenë e Jugut dhe SHBA-në, rrjedh nga besimi i tij në parandalimin bërthamor të vendit të tij, sado i kufizuar që mund të jetë ai. Kim tashmë ka përcaktuar statusin e armëve bërthamore të Koresë së Veriut në Kushtetutën e vendit dhe ka ngritur monumente për raketat me rreze të gjatë nisur vitin e kaluar. Moratoriumi i tij mbi testimin i përshtatet kësaj narrative, pasi Kim e paraqet veten si udhëheqës i një shteti të armatosur bërthamor duke hyrë në potencialisht në iniciativa diplomatike epokale. Në këtë kontekst, është e rëndësishme të vihet në dukje se, ndërkohë që ndryshimet e paqes nga Kim janë të motivuar nga një dëshirë për të rindërtuar ekonominë e goditur nga sanksionet, vetëm sanksionet nuk ndryshuan sjelljen e një vendi të mësuar një kohë të gjatë për të duruar vështirësitë ekstreme. Përkundrazi, sanksionet shkallëzuese ndihmuan në nxitjen e përparimit bërthamor dhe të raketave të Koresë së Veriut. Prandaj, sigurimi i çdo lloj denuklearizimi, do të kërkojë një hapje më efektive ekonomike.

Përfundimet e tmerrshme

Trajtimi që Amerika i ka bërë marrëveshjes bërthamore të vitit 2015, të arritur me Iranin, bën edhe më pak të ngjarë që Koreja e Veriut të bjerë dakord me një marrëveshje të ngushtë të denuklearizimit. Edhe pas nënshkrimit të marrëveshjes, presidenti Barak Obama mbajti disa sanksione të rrepta ekonomike, duke ndikuar në veçanti në sektorin financiar të Iranit. Për t'i bërë gjërat edhe më keq, Trump duket i etshëm të ndjekë kërcënimin e tij për t'u tërhequr nga marrëveshja me Iranin - ose të paktën të shtojë sanksione të reja - pavarësisht nga mungesa e provave se Irani nuk i ka përmbushur detyrimet e veta. E, megjithatë, kur është fjala për Korenë e Veriut, administrata Trump mbetet e përqendruar vetëm te denuklearizimi. Për të qenë të sigurt, kur bëhet fjalë për çështjet e përhapjes së armëve bërthamore, SHBA-ja ka një histori të nxjerrjes së një pozicioni maksimalist në publik, por duke qenë më pragmatike në negociatat me dyer të mbyllura. Për shembull, ajo toleron arsenalin bërthamor të Pakistanit, me rritjen më të shpejtë në botë edhe pse ai vend, sipas fjalëve të Trump, na "ka dhënë vetëm gënjeshtra dhe mashtrime", duke përfshirë sigurimin e një "strehe të sigurt ndaj terroristëve që ndjekim në Afganistan". Por, deklarata më e fundit e Kimit se ai ka përmbushur objektivin parandalues bërthamor të politikës së tij "byungjin" - ku objektivi tjetër është modernizimi ekonomik - nuk është një mburrje e zbrazët. Sfida e Koresë së Veriut nuk është më një mospërhapje bërthamore. Marrëveshjet e kaluara me vendin, siç ishte ajo e arritur në vitin 2005, nuk janë më relevante. Sigurisht, rreziqet që dalin nga arsenali i Koresë së Veriut, duhet të adresohen. Por, në vend që të theksojnë "denuklearizimin" - që nënkupton një kompromis të njëanshëm - negociatorët duhet të kërkojnë për të siguruar një zonë pa armë bërthamore (NWFZ) në Gadishullin Korean. Kjo është gjithashtu thelbësore për realizimin e vizionit të presidentit të Koresë së Jugut, Moon Jae-In, për bashkëpunim më të ngushtë ekonomik që shfrytëzon burimet natyrore të Veriut dhe teknologjitë e përparuara të Jugut. Qasja NWFZ do të shkaktonte lëshime nga të gjitha palët. Po, Koreja e Veriut do të duhet të denuklearizohet. Por, të gjitha fuqitë bërthamore do të duhet të bëjnë aq shumë lëshime, sa të mos kërcënojnë të përdorin armët bërthamore në Gadishullin Korean. Përveç kësaj, anijet luftarake të huaja që mbajnë armë bërthamore, nuk do të mund të ankorohen më në portet atje. Që një NWFZ të jetë e mundur, Koreja e Jugut do të duhet të pranojë të jetë jashtë ombrellës bërthamore të SHBA-së - një nocion jo veçanërisht popullor në vend. Sipas një sondazhi të opinionit, shumica e koreano-jugorëve duan të shkojnë në drejtim të kundërt, me SHBA-në që ripozicionojnë armët bërthamore taktike që u tërhoqën më shumë se një çerek shekulli më parë. Problemi me këtë qasje është i qartë: Nëse Jugu nuk do të heqë dorë nga pengesa e tij efektive bërthamore, Kim do të pyesë pse Veriu duhet të braktisë nga pengesa e vet. Siç ka theksuar edhe vet Kim, si Saddam Hussein i Irakut, po ashtu edhe Muammar el-Qaddafi i Libisë, u ndeshën me përfundime të tmerrshme, pasi kishin hequr dorë nga armët bërthamore. Vetëm një NWFZ i mbështetur nga SHBA-ja mund të përmbushë kushtet e denuklearizimit, për të cilat ka aluduar regjimi i Kimit, duke përfshirë heqjen e kërcënimeve bërthamore dhe një "angazhim për të mos futur mjete për të kryer një sulm bërthamor". Elementet e një NWFZ mund të negociohen realisht përkrah dispozitave të marrëveshjes së besueshme dhe gjithëpërfshirëse të paqes, edhe pse negociatat pa dyshim do të jenë të vështira.Nëse SHBA-ja ka nevojë për motivim të shtuar për të ndjekur këtë qasje, ajo duhet të marrë në konsideratë këtë: Kina është përballur me sfidën më të madhe nga armët bërthamore të Koresë së Veriut, pasi ajo punon për të zëvendësuar SHBA-në si fuqia dominuese e Azisë. E vetmja mënyrë për të zbutur kërcënimin bërthamor të Koresë së Veriut, pa i dhënë Kinës përparësi, është të tregojë udhëheqjen e vërtetë diplomatike në sigurimin e një marrëveshje gjithëpërfshirëse të paqes mbi Gadishullin Korean.

(Brahma Chellaney është profesor i studimeve strategjike në Qendrën për kërkime politike në Nju-Delhi) Ky shkrim është shkruar ekskluzivisht për PROJECT SYNDICATE, pjesë e së cilës është gazeta "Kosova Sot"

(Kosova Sot)