A KA MUNDËSI PRAKTIKE QË TA SHPËTOJMË KOSOVËN NGA SULMET E SERBISË? -KA!

A KA MUNDËSI PRAKTIKE QË TA SHPËTOJMË KOSOVËN NGA SULMET E SERBISË? -KA!
  • 14 June 2018 - 08:25

SHKRUAN: HAKIF BAJRAMI

Harrohet se luftën është dashur ta bëjnë ose si Adem Demaçi, ose t` i përvjelin mëngët dhe të shkollohen, por asnjërës palë nuk ia kompenson përkushtimi patriotik "të vërtetës" për të kaluarën, nëse ka shikuar nga bregu substancën që i ka mbetur në vendlindje. Shkurt, për t`i shfajësuar të gjithë, arkivat tona nuk i kemi plot fakte

Nuk ka mundësi që ta shpëtojmë Kosovën nga burokratët që e drejtojnë Republikën e Kosovës, ku nuk respektohet ligji, por në një mënyrë shteti është bërë "pronë e disa individëve" që mbajnë pozita udhëheqëse e që veprojnë në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës. E pabesueshme, në këto rrethana që janë stralluar disa persona në psikologjinë e disa pushtetarëve, që janë promovuar në despotë absolut! Moto e momentit aktual politik në Kosovë për sigurinë, këtu duhet të na shërbejë një thënie e Ernest Renanit ku e pikturon rolin e despotit: "Kushdo që dëshiron të bëjë histori, duhet ta harrojë historinë", që do të thotë mos t`i zbatojë ligjet demokratike shtetërore!

Tri detyrat e historisë

Sot në shtetin më të ri në Evropë, që quhet Republika e Kosovës, ata që kanë pasur guxim të themelojnë parti politike, ose kanë themeluar ndonjë OJQ (të financuara nga nëntoka e jashtme, e çka jo!), zakonisht po flasin për historinë, për ndërtimin e shtetit, për të kaluarën dhe të tashmen, duke kërcënuar se nga froni nuk ka fuqi që i lakon. E historia, i ka tri detyra para veti si shkencë e mirëfilltë. Detyrat janë, që të objektivizojë çka ka ngjarë si ka ngjarë? Me këto "objektivizime" mundet të merret çdo intelektual që lexon dhe ka deri diku njohuri për një ngjarje, sepse vetë ka "qenë pjesëmarrës, ose e ka parë me sy dhe e ka dëgjuar me vesh". Por, askush përpos historianëve të mirëfilltë nuk mundet t`i dalë në ballë kërkesës PSE ka ngjarë iks ngjarja, pse iks personi është bërë hero, ose tradhtar, pa e studiuar në ekip shkencor që ka përvojë së pakut dhjetëvjeçare. Së pakut për t` i dalë në ballë kësaj detyre, duhet shkollim dhe hulumtime të thella nëpër arkiva, me program që është aprovuar nga institucioni profesional. Edhe në këtë nivel, sikurse te shkencat natyrore, konkludimi nuk ka pikë absolute. Shkenca pa pushuar zhvillohet. Bie fjala, sot nuk zgjat shërimi nga ndonjë operacion me javë e muaj... Por, atë operacion kirurgjik, kuptohet nuk mundet për ta bërë ndonjë amator. Kuptohet edhe profesionistit i duhet aparaturë kulminante, për ta kryer një operacion kulminant. Pra, edhe në shkencat shoqërore duhet hulumtime permanente nëpër arkiva, për të ardhur deri te e vërteta objektive, sepse çdo dokument nuk është dokument. Pra, dokumentet duhet objektivizuar gjithanshëm në rrethanat e kohës kur janë krijuar dhe çfarë qëllimi kishin.

Historianët joprofesionalë

Në lëmin (shkencën) e historisë sot, po merret çdo kush që i teket dhe flet, sidomos në televizion, radio dhe shtyp, e besa edhe nëse ka para private dhe klanore (politike) po merret me "histori", duke u fshehur pas sloganit se deri me tash "çdo gjë ishte e dyshimtë, pra na duhet kontra historia". Dhe ky soj "historianësh" joprofesionalë, është shumë i pranishëm kudo. E ata që po shkruajnë, që fare pak ose aspak nuk lexojnë, nuk e "vrasin" mendjen e të shtrojnë pyetjen: "Ka hy ky papagall ndonjëherë në arkiva"? Jo, as nuk e dinë çka janë. JO, historian pa nja dhjetë vjet hulumtime në arkiva, nuk mund të bëhesh. Dhe, plus fakti se shqiptarët, duke mos pasur shtet, deri më 1912 ( e dihet çfarë shteti ishte dhe sa zgjati-hb), plus duke u ideoligjizuar shteti në vijim, sa më shumë që grumbulloheshin vitet në shekullin XX (bie fjala), e vërteta bëhej "absolute" , po i pëlqeve drejtuesit totalitar, po edhe regjimit. Në fakt, në regjimet që janë sot demokratike, është tendencë infektive (antishkencore) që historia të konvertohet në sociologji. Këtë metamorfozë e kërkon një pjesë e të deformuarve në të kaluarën, këtë e kërkon sot konkretisht Turqia për mizoritë e Perandorisë Osmane në viset shqiptare, duke na e përdhosur heroin kombëtar Gjergj KastriotinSkënderbeun; Lidhjen Shqiptare të Prizrenit, Kryengritjet çlirimtare 1910-1912. Pra, rrënimi i historisë sonë në emër të një kauze "pozitiviste" (histori oazash), provon të defaktorizojë çdo kontinuitet të detalit historik . E dihet se nuk ka histori pa faktorin, detal dhe të përgjithshëm. Shkrimet e ngjyrosura me ideologji E vërteta, edhe ata historianë që kanë shkruar në diasporë (1945- 1992), shkrimet e tyre janë të ngjyrosura me ideologji qoftë të majtë, qoftë të djathtë. Në këtë ndarje nuk mund të lëvdohet askush. Dhe, kur t` i shtohet këtij fakti, se ata që arratiseshin nga Shqipëria Bregdetare, bie fjala në Jugosllavi (1949-1957), ose në Greqi, disi, për ata që ka bërë pasuri, dhe shikojnë nga bregu i diasporës, kurrë, kurrë, nuk e "kanë idenë" se çka u kanë thënë të huajve (jugosllavëve dhe grekëve, agjenturave të MI 6 etj) nëpër kampet ku ata përpunoheshin me muaj. E këta të robëruarit (nga Jugosllavia ) që shkonin në Shqipëri, ose në vendet e treta, harrohet se luftën është dashur ta bëjnë ose si Adem Demaçi, ose t` i përvjelin mëngët dhe të shkollohen, por asnjërës palë nuk ia kompenson përkushtimi patriotik "të vërtetës" për të kaluarën, nëse ka shikuar nga bregu substancën që i ka mbetur në vendlindje. Shkurt, për t`i shfajësuar të gjithë, arkivat tona nuk i kemi plot fakte. Por jo t` ua japim "vizën" e së vërtetës bie fjala të dhënave që nëpër trojet tona ka kaluar, apo ka qëndruar një diplomat dhe absolutisht ai ka të drejtë. Këtij qëndrimi në filozofinë e historisë i thonë FATAMORGANË KONKAVE me kamatë politike dhe ideologjike, pa e amnistuar specialistin vendor që të thotë e shkruaj çka i teket, për interesa të regjimit. Dhe ne të vjetrit që kemi jetuar në dy regjimet nuk jemi të "pabojatisur", por duhet luftë speciale që të lirohemi nga ngjyrimet, e çlirimi nuk mund të bëhet me "operacion cezarian". Nuk është shkenca "lajm ditor gazetaresk", të cilin nëse e ka vënë në etër gabim, të nesërmen e demanton. Në shkencë "demantimi" vjen më ngadalë dhe me dhimbje të mëdha "muskulore" . Në këtë dhimbje , në këtë "tajm bajndikg", këtu ndahen rrugët: tradhtari në Tiranë bëhet hero në Prishtinë. "Heroi" i arratisur në Jugosllavi (1949-1957) bëhet hero i vërtetë pa asnjë argument. Bie fjala, si ta shpjegojë një amator "Rrugën e Regjimentit Kosova 1943-shkurt 1944", që bëri mizori të papara, duke i shërbyer Gestapos. Si ta shpjegojë atë rrugë sot historiani që i njeh dokumentet e PKSH, PKJ-ës, Ballit, Legalitet, Lidhje Popullore shqiptare 1941- 1944,Qeverisë kuislinge shqiptare (shtator 1943-qershor 1944), e prijësi i asaj qeverie mban emër rrugësh në Kosovë. Madje ai i "Lidhjes Popullore Shqiptare 1941- 1944",jetonte në Beograd gju me gju me Milan Nediqin. Mbi të gjitha si është e mundur që katër prijësve të Regjimentit famëkeq (sepse vrau e preu nga Shkodra e deri në Tiranë patriotë të pafajshëm, që lidhje nuk kishin me komunizmin, po ploja bëhej për hatër të Shmit Huberit) e kur shkruan drejtuesit e këtij regjimenti në Beograd me i marrë RROGAT për katër muaj që kishin munguar nga puna si xhandarë të Nediqit, nuk iu mundësua që t`i marrin rrogat, sepse kishin munguar nga puna, për katër muaj (si xhandarë të qeverisë kuislinge të Nediqit). (Për këtë janë dokumentet serbisht, shqip dhe gjermanisht!). Dhe disa prej tyre falë pasurimit familjar sot (2018), ata nga një kastë folklorike janë shpallë "heronj", rrugët kanë marrë emra të tyre. Por emrat e brigadave ÇLIRIMTARE nga Shqipëria 12 shtator 1944-qershor 1945 dhe drejtuesit e tyre madje fyhen dhe injorohen plotësisht . Kjo është histori? JO. Një shembull. Sot një rrugë në Marsejë të Francës e mban emrin e Gjeneral Veki Dedit. E ne për inate ideologjike e injorojmë luftën e Ushtrisë Shqiptare, që në ESENCË e shpëtoi Kosovën nga shfarosja që e planifikoi Vasa Çubriloviqi më 3 nëntor 1944, "derisa të zgjasin operacionet e luftës", sepse ashtu kishin vendosur të Mëdhenjtë në Jalltë. Këtë shans donte shovinizmi serbian ta shfrytëzojë. Nuk është pa prapavijë kur më 9 prill 1945 J. B. Tito i thotë delegacionit të Kosovës: "Ju 90% keni qenë me fashizmin dhe ne tani ua japim shansin që të tregoheni". Kjo do të thotë se jeni në mëshirën tonë.

Reagimi i Enver Hoxhës

Posa të bisedosh me një kastë intelektualësh sot, historinë e kuptojnë sipas pasurisë. Një palë intelektualësh që nuk lexon asgjë e "harron" se Hasan Prishtina ( Hasan Prishtina në Shqipëri deri më 1962 ishte i anatemuar. Ishte për faktin se më 1927 nuk kishte pranuar kërkesën e Fan Nolit, Bedri Pejanit, Ibrahim Gjakovës dhe Branko Merxhanit që të shkojë në Moskë si mysafir i V.J. Stalinit në dhjetëvjetorin e Revolucionit tetorit. Në Shqipëri, aty kah mbarimi i vitit 1947 rastësisht ishte diskutuar veprimtaria e shkuarjes së Delegacionit shqiptar në Rusi më 1927 nga Wjena. Aty, Mehmet Shehu do të klithë fjalën se Hasan Prishtina ishte kundërshtar i shkuarjes nga Wjena, në "prehër të Stalinit më 1927". Një anëtar i rangut të lartë politik, ku ishte edhe jugosllavi komunist do ta lëvizë çështjen a do të avancohej Hasan Prishtina në komunist shqiptar më 1941, po të ishte gjallë"? Aty, pa ndonjë rend dite do të reagojë Enver Hoxha: "Me siguri se Hasani komunist nuk do të bëhej, po të ishte gjallë më 1941, por bashkëpunëtor i fashizmit nuk do bëhej kurrën e kurrës". Me këtë "vulë" diskutimi ideologjik "historik" do të mbyllet. Por, Hasan Prishtina derisa Shqipëria do të largohet de fakto nga "prehri i Kremlinit" -Pakti i Varshavës më 1960, Hasani do të mbetet "armik i mikut shqiptar". Më 1962 do të ketë "liri energjie", dhe Hasani do të plasohet aty ku e ka vendin.-Burimi: AVIIB.F.6+1=01 HP/1947/57/67/77), Elez Isufin, Avni Rrustemin, Fan Nolin, Luigj Gurakuqin, Qemal Stafën, Emin Durakun… etj dhe "historia e këtyre "historianëve jeshilë", është plotë madhështi për Ahmet Zogun, për Ceno Begun, për Tahir Kolgjini, madje Koçi Xoxën, Panajot Plakun… e tj, por në këtë kolorit duhet të dihet se diçka mungon edhe për historianin e mirëfilltë, se i mungojnë të dhëna relevante, bie fjala të SIM-s Italiane, Gestapos, MI6, OZNës, UDB-ës SSH-ës etj. Mungojnë të dhënat edhe për kohën e okupimit 1939-1944 dhe për pjesën e robëruar të kombit 1945-1999, dokumente ato që i ka grabitur okupatori dhe provon t'i mbajë në posedim për të gjetur tradhtarë dhe eksponentë nëse i jepet shanse. Dhe, kur t` i shtohet këtij realiteti pikturimi ideologjik i historisë në Shqipërinë Bregdetare (lexoni Histori e Shqipërisë,bie fjala vëllimi IV , Tiranë 1984, në 500 faqe teks, 612 herë përmendet një emër, pa lejen e subjektit...tregon se diktatorët mund të vetëpromovohen, por edhe të avancohen nga ata lakej që e rrethojnë pushtetin. Kjo fushë nuk është shkencë e historisë. Nuk është larg këtij realiteti edhe "historia" për pjesën e robëruar 1945-1999, ku vakume dhe gabime kemi të gjithë, por jo tradhti, sepse librat kanë mbetur. Bie fala, për librin tim Kosova 1918- 1941 , botuar më 1981 nuk do t` ia ndërrojë asnjë germë as sot. Por nuk është çdo gjë që kemi shkruar aksiomë pastaj? Le të objektivizohet e kaluara me argumente të reja, pra pa ideologji. Vijon

(Kosova Sot)