MODERNITETI DHE INJORANCA MODERNE

MODERNITETI DHE INJORANCA MODERNE
  • 18 June 2018 - 08:26

SHKRUAN: SKËNDER S.KAPITI

Kjo injorancë moderne nuk mendon as për brezat e së ardhmes sepse: paraja, luksi, pangopësia dhe uria grabitqare për pasuri, korrupsioni, mashtrimet dhe amoralitetet e tjera ia kanë errësuar shikimin dhe ia kanë thjeshtuar mendimin, gjykimin dhe arsyen 

Sot njerëzimi ka arritur shkallën më të lartë të zhvillimit teknologjik , ekonomik, politik dhe social. Bota dhe njerëzit janë shumë afër dhe komunikojnë shpejt me njëri-tjetrin. Falë teknologjisë, bota komunikative është bërë e vogël dhe e shpejtë. Shkenca dhe teknologjia kane ecur shumë përpara. Pra, kjo është epoka e modernitetit. Por kjo epokë ka edhe anën tjetër të medaljes, ka injorancën e vet shumë të madhe,ka injorancën moderne. Kjo injorancë duket, ekspozohet, flet dhe dëgjohet kudo: në politikë, në pushtet, në akademi, në drejtësi, në biznes, në media etj. Kjo injorancë ka marrë dhe rrëmbyer edhe prerogativat e moralitetit, të ndershmërisë, të patriotizmit dhe të diturisë.

Injoranca, sëmundje e madhe dhe e dëmshme

Injorantët më të mëdhenj të këtij moderniteti janë politika dhe pushteti. Kjo injorancë tipike pushteti e politike është sëmundje shumë e madhe dhe e dëmshme gjë e cila bën që të vuajnë individë, popuj dhe kombe, dhe prej saj bota është armatosur aq shumë sa një aksident bërthamor mund të shkaktojë një katastrofë , apo apokalips katastrofik me përmasa të paparashikueshme botërore. Injoranca ka kapur edhe demokracinë madje. Kudo në pushtet janë injoranca dhe paaftësia. Injoranca moderne, më e re, gjendet kudo. Kjo injorancë moderne po formon individin e ri, modernin injorant të ri me edukatën materialiste, egoiste, paredashëse, dëfrimdashëse dhe po e largon njeriun gjithnjë e më shumë nga besimi e familja, po e bën njeriun të korruptuar dhe joprinddashës. Pra, injoranca moderne teknologjike dhe materialiste po e dehumanizon njeriun dhe po prish familjen dhe moralitetin njerëzor. Televizioni dhe sidomos Interneti u kanë dhënë shansin që të duken e të "shkëlqejnë" injorantët, budallallëqet, mashtrimet, intrigat dhe kotësirat, të cilat keqedukojnë , keqformojnë , stresojnë dhe qorrollepsin opinionin.

Harxhimi i kotë i miliarda dollarëve

Kjo injorancë moderne ia ka kaluar edhe asaj të lashtësisë për përmasat që ka marrë alkooli dhe drogat, bixhozi, kamata , pornografia dhe prostitucioni, diferenca e jashtëzakonshme dhe diskriminimi social ku një shumicë e vogël kanë pasuri sa mbi 90% e njerëzve. Miliona e miliona njerëz vuajnë nga padrejtësia, varfëria, uria e etja; nga papunësia , mosstrehimi, moskujdesi shëndetësor, dhe e kanë problem mbijetesën, dhe nga ana tjetër harxhohen kot miliarda dollarë për armatime dhe për dëfrime tekanjoze , për shpenzime luksi të panevojshme prej një pakice njerëzish të cilët nuk dinë se çfarë të bëjnë me paratë dhe me pasurinë. "Injoranca" financiare dhe paraja grabitqare realisht e kanë korruptuar dhe e kanë falimentuar botën. Injoranca e pushtetit dhe e parasë po përshpejton apokalipsin e planetit me shkatërrimin e burimeve dhe resurseve jetike të tij: të pyjeve, të ujërave , të ajrit e të krijesave të gjalla. Pra, injoranca e modernitetit po kërcënon dhe po shkatërron natyrën dhe jetën njerëzore. Kjo injorancë po shkatërron si të shkuarën dhe të ardhmen e brezave. Kjo injorancë materialiste nuk ka respekt dhe as mirënjohje as për traditën ,as për kulturën dhe as për ata që sakrifikuan për të sotmen. Dhe, kjo injorancë moderne nuk mendon as për brezat e së ardhmes sepse: paraja, luksi, pangopësia dhe uria grabitqare për pasuri, korrupsioni, mashtrimet dhe amoralitetet e tjera ia kanë errësuar shikimin dhe ia kanë thjeshtuar mendimin, gjykimin dhe arsyen. Prej kësaj injorance moderne gjithçka sot matet e peshohet me kutin e interesit të ngushtë, me atë të padhimbshurisë dhe të pandjesisë; të papërgjegjshmërisë, të korrupsionit e të përfitimit të parasë e pasurisë, prej statusit politik dhe atij të pushtetit si kurrë më parë në histori.

(Kosova Sot)