Shqiptari e pati adet: Nuk të shan, por të vret!

Shqiptari e pati adet: Nuk të shan, por të vret!
  • 29 August 2015 - 10:02

Shkruan: Riza Greiçevci

Letër intelektualëve,“partiashëve”, parlamentarëve, prindërve, rinisë së Republikës së Kosovës

Bie një kashtë, i nxjerr gjashtë…

Shan e fyen edhe kryeministri, bile-bile s'i bie pishman fare, as që skuqet në fytyrë, kryeministri ynë, s'turpërohet as para fëmijëve të vet, as para hasmit e armiqve...! Qysh e paske harruar anekdotën popullore: "As me shokë, as me miq, gojën mos e fëlliq!". Zoti, kur e krijoi njeriun, i thotë: "Qe Toka! Qe dielli! Qe uji! Qe truri, gjaku, sytë! Tuajat janë dhuratë prej meje! Mos rrej! Mos vraj! Mos shaj! Mos vidh! Mos tradhto!Jeto pip në këmbë! Guxo!Lufto!Dashuro!Ndero! Vdis për të jetuar...!" 

Zot i Madh, krijesën Njeri Ti e pate krijuar, e solle mbi Tokë, i dhurove shumëçka, që kurrë në jetë s’do kishte mundësi, as tru, as fuqi, as dije që t’i fitojë vetë! Pastaj, ti, o Zot, i tregova shumë udhë, shtigje, që ka jeta mbi planetin e Tokës, prandaj e porosite: “Jeta ka dy ditë bosht: Ditën e mirë dhe Ditën e keqe. Në ditën e mirë: Puno, dashuro, ndero, ndërto, kremto, kurse në Ditën e keqe: Bashko, guxo, lufto, marsho…! Më i shtrenjtë se këto të dyja është:Të qenit njeri! Prandaj, po qe se shanë e fëlliq, bëhesh palaço, injorant, hajn, tradhtar, rrenacak, bukëshkelës, poshtëron, gllabëron, nëpërkëmbë farën e njeriut, që unë e krijova, atëherë të rikthej në kopshtin e kafshëve!”. Mirëpo, krijesa e njeriut, sa po u ngop me bukë, me ujë, me dritë të diellit, u shmang nga udha e Zotit, fërkoi duart, hapi detin e lakmisë, dhe shpalli veten: Zot e për mbi zot! Ruajuni njerëzve që kanë ikur nga vetvetja, që kanë braktisur porosinë e Zotit, ata, që hanë mishin, lëkurën e popullit, dhinë moralin,dashurinë, injorojnë durimin, lirinë, drejtësinë, ligjet e popullit të tyre!

A pranon Evropa popull me një edukatë o me një kulturë të këtillë?

I ka dëgjuar dhe i dëgjon përditë Kosova! Edhe fëmijët tanë i kanë dëgjuar. I ka dëgjuar hasmi, armiku, i kanë dëgjuar familjet e dëshmorëve, i kanë dëgjuar Evropa, Brukseli, Amerika, OKB-ja, bota i ka dëgjuar duke sha e fye me babë e nanë bashkëluftëtarët e vet, vëllezërit e vet, udhëheqësit e popullit, që me votën e lirë sot janë aty ku janë! I ka pa Kosova, edhe nënat tona i kanë pa, populli s’është qorr në të dy sytë, i kanë pa fëmijët e rinia e Kosovës i kanë pa, hasmi dhe armiqtë tanë i kanë pa, Evropa, Brukseli, Amerika,OKB-ja, o bota i ka pa ata që dje ishin luftëtarë çlirimtarë, hallall u qoftë, sot duke sha e fye e fëlliqur me fjalë e fjalorë nga më të ndytët, që shqiptari kurrë adet s’ka pasur me sha, por ka vra...! Fjalë të këqija, të rënda, bajate, të fëlliqtë, të qelbur, fjalë rrugësh, të ndyta, fjalë në adresë të Qeverisë, të shtetit, të personaliteteve politike, intelektuale, që kanë bërë emër brenda dhe jashtë Kosovës, në botën demokratike. Interesant: deri sa popujt e botës nga balta përpiqen me mbarua një luftë çlirimtare, një luftëtar, një çlirimtarë, një dëshmor, mjerisht, tek ne shqiptarët, ke rastin të dëgjosh nga të shkosh fyerje, sharje, anashkalime, përgojime, sadizëm, injorime, shantazhe, shpifje, sa të duash, bile-bile, askush s’kuqet para askujt, as para varreve të dëshmorëve, kur shanë e fyen e shpif e përgojon UÇK-n, Luftën e saj Çlirimtare, fyen e shanë e shkel e poshtëron gjakun, eshtrat, varret, viktimat, që ranë për lirinë e për shtetin e Kosovës. Vallë, a nderohet, a ndërtohet,a përparohet, a lulëzohet Kosova me sharje, me fyerje, me shpifje, me përgojime, me shantazhe, me iftire, me qyfyre, me fjalë të ndyta...?! A ndërtohet shteti, a hyhet në Evropë me një edukatë o me një kulturë të këtillë?

A do të demonstronte dhunë Hasan Prishtinas, si veteran çlirimtar?!

E, tash, pasi të qanë zemra se unë, Lapsi yt qenkam rebeluar, o shkrimtar, durim, unë,po sjell deklaratën e një luftëtari të UÇK-së, i cili, në TV21, paraqiti publikisht para popullit, para botës, hapat që ka me i ndërmarrë Komiteti për Mbrojtjen e Drejtave të Veteranëve, me Xhevdet Qiriqin, kryetar, në ditët e ardhshme për me i marrë paratë nga institucionet e Kosovës, si kompensim prej veterani për luftën çlirimtare dhe për lirinë që e gëzon sot populli: “Ne, përkatësisht kryetari ynë, Xhevdet Qeriqi, ka me thirr një protestë, ku do të protestohet kundër kriminelëve të SHIK-ut, kundër SHP të UÇK-së, kundër Fatos Klosit, për vrasjen e Ahmet Krasniqit, do të protestojmë kundër Shqipërisë, e cila është përgjegjëse për vrasjen e Mujë Krasniqit''. Kjo tregon se këto protesta të luftëtarëve janë të orkestruara nga qarqe politike e jo nga veteranët e UÇK-së. Kjo tregon shkakun e protestës, cakun e protestës, si dhe njëanshmërinë e protestës...Sefë Kosharja, Mic Sokoli, Vëllezërit Frashri, Ismail Qemaili, Luigj Gurakuqi, Isa Boletini, Azem e Shotë Galica, Shaban Palluzha, Mehmet Gradica, Emin Lati, Nebih dhe Tahir Meha, Familja e Shaban Murat Jasharit, Fehmi e Xhevë Lladroci, vallë, a ka dëgjua ndokush se këta patriotë, atdhetarë (shumica prej tyre s’janë gjallë, dëshmor) i kanë kërkuar popullit të vet para, rrogë, shpërblim, kompensim, dëmshpërblim, si të doni quajeni?! E, Hasan Prishtina, i cili, tërë pasurinë që kishte e dhënë për lirinë e Shqipërisë etnike, e dha, edhe jetën, vallë, po të ishte gjallë. A thua do të demonstronte me dhunë, si veteran çlirimtar?! A do të hynte m dhunë me dhunë Adem Jashari – legjendari, në lokalet e institucioneve të Kosovës?

A do të hidhte mjete shpërthyese mbi Qeverinë, shtetin, presidencën? A do ta sulmonte policinë e shtetit? A do të hidhte zjarr nëpër lokale private të qytetarëve? A do të ushtronin dhunë në policinë e shtetit Agim Ramadani, “Kapuçi”, Zahir Pajaziti...? As që do të afroheshin afër institucioneve të votës së lirë të popullit për të demonstruar “trimëri, fuqi, drejtësi, lakmi, pangopësi, mendjemadhësi...?”

Shan edhe kryeministri i Kosovës?

Hajmedet, kush ishte dje shqiptari, e kush është sot? Kush ishin gjyshërit, baballarët, gjyshet tona dje, e kush jemi ne sot? Ç’moral, erz, besë, nder, respekt, dashuri, miqësi kishin të parët tanë pardje, e ne ku i kemi sot? Shanë deputeti...me nanë e babë...Shanë serbisht! Fyen familjen e kolegut...Fyen Qeverinë, Parlamentin, presidenten, fyen votën e popullit, shkel me të dyja këmbët bukën e rritën e djepin që ia dha dje populli! Shanë intelektuali, mësuesi ngacmon nxënësen e mitur, shanë milioneri shtetin, shanë ligjet, drejtësinë, Kushtetutën e shanë, Kushtetuesen...Shanë e fyen shqiptari UÇK-n, Luftën Çlirimtare. Fyen e shan e përgojon në emër të fesë, Skënderbeun, Ismail Qemailin, fyen e mohon Nënë Terezën, gjuan gur e ferra mbi dëshmorët, fyen gjakun e luftën çlirimtare, duke shpall veteran ata fare s’ishin në luftë, duke ia mohuar atij apo këtij luftëtari kategorinë e veteranit. Shanë e fyen edhe kryeministri, bile-bile s’i bie pishman fare, as që skuqet në fytyrë, kryeministri ynë, s’turpërohet as para fëmijëve të vet, as para hasmit e armiqve...! Qysh e paske harruar anekdotën popullore: “As me shokë, as me miq, gojën mos e fëlliq!”. Heu, kosovar, a mos e ke huq edhe dinjitetin, specien dardane, sepse, pesë para s’i jep kush o qysh duhet të jetë shqiptari? Keq, ma keq nuk ka ku shkon: E kemi harruar amanetin e të parëve tanë: “Se shqiptari e pati adet, nuk të shan, por të vret!”.

Vrasja e këngës (në stilin e anekdotës)

“Ish kanë ni trim, burrë i mirë dhe i paq. Në çdo luftë ish da me nerë. Një ditë i duel kanga. Kanga e tij u knojke n’çdo odë. Ni ditë qilloi ky në ni gazmen, e kangatarët e knojnë kangën e tij. Kur ish krye kanga e tij, i njeu ky burri punët e trimnitë e veta n’atë kangë, u dalldis, e nxori alltinë e qiti përpjetë. I zoti i shtëpisë u que n’kamë, dhe e qortoi para burrave: “Ah t’u thaftë krahi, t’u thaftë, çka bane ! E vrave kangën tane! E vrave luftën tane! E vrave plagën tane! E vrave burrëninë tane! E vrave odën teme! E vrave nderin e të parëve! E vrave babën e nanën tane! E vrave besën tane! E vrave fenë tane! E vrave vorrin e gjyshit! E vrave Ligjin e Meshlisit! E vrave gjuhën e kangës, he Zoti të vraftë ty!”. Pej asaj dite, atij burri s’ju kishte knu kanga ma kurrë!”.