Një ide serbe për Ballkanin

Një ide serbe për Ballkanin
  • 17 September 2018 - 08:04
SHKRUAN: MR.SC.YMRET RESHITI

Pas vetmisë së madhe që presidenti Thaçi e përjetoi nga kundërshtimi absolut i aktorit vendor kundrejt idesë për "korrigjim kufijsh", ai vendosi që ta "relaksojë" veten me organizimin e një "turi Ballkanik". Ky turne ka si pikësynim që idenë serbe për "korrigjim kufijsh" ta promovojë tek shtetet fqinje të Kosovës si ide "paqësore" për stabilitetin e Ballkanit. Pa u hamendësuar fare se kush mund ta besojë këtë "broçkull", presidenti Thaçi vizitoi Malin e Zi dhe Maqedoninë në misionin e tij për të "garantuar" atë që nuk mund ta garantojë asnjë politikan në botë. T'ua garantosh të ardhmen politike të këtyre vendeve duke i siguruar se nuk do t'iu "korrigjohen kufijtë" nëse Kosova dhe Serbia realizojnë 'korrigjimin e kufijve. Është komike të mendosh që të "garantosh" proceset e ardhme politike të një shteti, sidomos kur dihen se sa ndikim ka dialektika në politikë. Nuk është në fuqinë e Thaçit dhe akëcilit politikanë në botë që mund të garantojë Maqedoninë dhe Malin e Zi se në rrethana të ardhme politike nuk do të ketë kërkesa të shqiptarëve për "korrigjim kufijsh" të atyre shteteve. Është absurde të tentosh të hysh garant i gjërave të "pasigurta" të cilat varen kryekëput nga e ardhmja. Vetë e ardhmja është e pasigurt, sidomos e ardhmja në politikë. Amerika dhe Rusia, si dy superfuqi të botës, për 50 vite nuk patën arritur të stopojnë ose parandalojnë zhvillimet politike anekënd botës, e jo më një individ si Thaçi, i cili nuk ka as përkrahjen e popullit të tij. Të garantosh për ambiciet e politikave të shteteve në botë se si kanë për t'u sjellë në të ardhmen është jashtë çdo logjike normale, e sidomos kur logjika politike këtë fare nuk e njeh. Tani ka mbetur të shihet se çfarë garanci Thaçi do t'i japë kumbarës së kësaj ideje-kryeministrit Rama, për të mos e lënë të "trembur" nga ideja e " korrigjimit të kufijve"! Sigurisht që do ta garantojë se Kosova nuk do të ketë "kurrë" pretendime territorial ndaj Shqipërisë dhe as nuk do të kërkojë "korrigjim kufijsh" me Shqipërinë në të ardhmen!

Thaçi, megafon i Serbisë për Ballkanin
Përderisa çdo ditë e më shumë në arenën ndërkombëtare po betonohet qëndrimi kundër idesë serbe për "korrigjim kufijsh", sidomos nga vendeve kyçe të Evropës, i mekur nga vetmia në këtë ide Thaçi është shndërruar në një megafon të Serbisë në konferenca për shtypë. Asgjë të tijën personale nuk e ka në këtë ide Thaçi, pos rolit të tij si megafon për ta përhapur kudo në Ballkan idenë serbe për " korrigjim kufijsh" si ide e paqes në Ballkan. Ideja për "korrigjim kufij" nuk ka qenë asnjëherë ide shqiptare, sepse në thelb është ide për shkëmbim territoresh. Shkëmbimin e territoreve shqiptarët kurrë nuk e kanë pranuar në kuptim të "bashkimit", por si ndarje, për vetë rrethanat në të cilin gjendet kombi shqiptar. Është dallim i madh në mes bashkimit kombëtar dhe shkëmbimit të territoreve shqiptaro -shqiptare sipas të cilit po e kupton bashkimin Hashim Thaçi. Ideja për "korrigjim kufijsh"-shkëmbim të territoreve shqiptaro- shqiptare në mes Kosovës dhe Serbisë është ide antishqiptare për bashkimin e trojeve shqiptare në një shtet etnik. Thaçi duhet ta kuptojë se insistimi i tij egoist dhe prepotent për të mos hequr dorë "kollaj" nga ideja serbe e "korrigjimit të kufijve" me marrëveshje Kosovë -Serbi, e ëmbëlsuar me fjalën romantike për "paqen në Ballkan" nuk është i mjaftueshëm për ta shtyrë tutje këtë ide, e cila pos që po konsiderohet e rrezikshme, tani po quhet edhe ide e çmendur. Është për keqardhje se sa mundim organik i shkakton Thaçit pesha e kësaj ideje, ngase zakonisht idetë serbe dhe ruse kanë goxha peshë të madhe për supet e "argatëve " të tyre. Pesha e ide serbe për Ballkanin i ka kushtuar Ballkanit e Evropës me miliona jetë njerëzish dhe dëme materiale miliardëshe.

Serbëve u mjafton një vrimë për ta hapur një derë në politikë
Ishin idetë Serbe për "paqen në Ballkan" ato që kanë shkaktuar Luftën e Parë Botërore, luftërat ballkanike dhe luftërat në Slloveni, Kroaci, Bosnje dhe në Kosovë. Pse duhet t'i besojnë shqiptarët idesë serbe për Ballkanin kur nuk iu beson më as Evropa? A duhet të dorëzohemi para ca "zyrtarëve" të Bashkimit Evropian pa fuqi politike dhe ca shteteve mike të Serbisë? Ideja për korrigjim kufijsh në thelb nënkupton ndarjen e Kosovës, qoftë e realizuar edhe nën siglën e të ashtuquajturës "shkëmbim i territoreve". Serbëve u mjafton një vrimë për ta hapur një derë në politik. Shkëmbimi i territoreve paraqet vrimë për Serbinë, e cila pastaj do të hapë portën për ndarjen e Kosovës nga të katër anët. Historia ka treguar se në çdo konferencë ndërkombëtare kur është diskutuar për trojet shqiptare, Serbia ka dalë fitimtare në tryeza të bisedimeve duke gllabëruar territore shqiptare. Kush garanton se Kosova nuk do të humbë territor ma shumë se 4 komunat me shumicë serbe në veri? Në bisedime vetë ulja në tavolinë me palën tjetër është pajtim në parim për t'u marrë vesh për diçka. Vetë hapja e temës për shkëmbim territoresh nuk ka cak se ku mund të përfundojë dhe për më keq që po flasim për një marrëveshje për normalizimin e raporteve me Serbinë që duhet të arrihet patjetër. Dhe, fjala "patjetër" është djalli që mund të na shfaqet në detalet e negociatave për "korrigjim kufijsh"!  

Karamelet ruse
Thaçi nuk e fsheh entuziazmin se Rusia e mbështet atë në idenë serbe për "korrigjim kufijsh". Takimi i tij me kryeministrin e Rusisë, Medvedev për të ishte si një karamele që e kënaq fort ambicien e tij për të qenë flamurtar i idesë së çmendur për tragjedi të reja të Ballkanit. Rusët dinë të jenë zemërgjerë dhe u japin karamele gjithë atyre politikanëve që besojnë në sinqeritetin bolshevik rus. Rusia çdoherë ka qenë sponsorizuesja kryesore e ideve serbe për Ballkanin edhe kësaj për "korrigjim kufijsh". Rusia e mbështet këtë ide, bile duke përfshirë në këtë "mesele" edhe miqtë e saj në Shtëpinë e Bardhë për efektin propagandistik- atë të karameles ruse. Dhe jo rastësisht Xhon Boltoni zgjodhi Kievin ( Ukrainën) që të japë një deklaratë për idenë e shkëmbimit të territoreve, sa për hamendësuar edhe më shumë Thaçin në krijimin e përfytyrimit se pas Boltonit qëndron Amerika! Shtrohet pyetja sa mijëra dollarë i ka përfituar Xhon Boltoni nga Putini për ta dhënë atë deklaratë mediatike, kur dihet se ai si këshilltar nuk ka kurrfarë peshe në vendimmarrjen politike në SHBA. Thaçi e hëngri karamelen ruse nga duart e Boltonit. I përhumbur në ëmbëlsinë e karameles ruse, Thaçi assesi të këndellet dhe krahë për krahë me serbët po vazhdon betejën e humbur për jetësim të idesë serbe për "paqen në Ballkan", të cilat ide prodhojnë vetëm tragjedi të reja.

(Kosova Sot)