Loja e fundit e Koresë Veriore

Loja e fundit e Koresë Veriore
  • 02 September 2015 - 10:55

Shkruan: Christopher R. Hill

Diktatori komunist po luan me zjarr

Është vështirë të kuptohet pse Kim e filloi këtë krizë

Vendeve të tjera nuk u ka mbetur asgjë tjetër, pos t’i ashpërsojnë sanksionet, ta rrisin vigjilencën dhe, në rastin e SHBA-së dhe aleatëve të saj, të zhvillojnë mbrojtje të teknologjisë së lartë, duke paaftësuar sistemin sulmues të Koresë Veriore ende pa sulmuar ai

Negociatorët nga të dy Koretë duket ta kenë zgjidhur krizën e këtij muaji, ku përdorimi i altoparlantëve nga Koreja Jugore, për të dërguar mesazhe përtej zonës së demilitarizuar, bëri që Koreja Veriore të kërcënonte me luftë. Ky është një lajm i mirëpritur për një regjion dhe për botën: përkundër rritjes së frikës në lidhje me ekonominë kineze, tanimë ekzistojnë arsye të shumta për shqetësime në lidhje me ngjarjet në Azinë Verilindore. Sido që të jetë, mbetet pasiguria në lidhje me të ardhmen e Koresë Veriore nën udhëheqjen e Kim Jong-un-it dhe episodi më i fundit ofron një mundësi të rëndësishme për ta vlerësuar lidershipin e tij.

Sjellja e Kim-it ka qenë shumë e ngjashme me atë të babait të tij, Kim Jong-il, si dhe të gjyshit të tij, Kim Il-sung: ta krijosh një krizë pa ndonjë arsye të veçantë dhe të presësh shpërblim për përfundimin e saj. Por, me rastin e krizës së fundit, Kim nuk fitoi shumë. Koreja Veriore nuk mori marrëveshje të reja ushqimore, as asistencë ekonomike, apo financiare, sikur që nuk mori as ndihmë energjetike, apo bujqësore. Ajo nuk mori as fjalë të ngrohta nga Kina. Në fakt, është vështirë të kuptohet pse Kim e filloi këtë krizë.

Sundim i tmerrit

Ajo që Kim duket ta ketë marrë, është marrëveshja e Koresë Jugore që të ndërpresë transmetimet, ku përfshiheshin disa kritika shumë personale ndaj tij. Dhe, kjo mund të ketë mjaftuar.

Sipas të gjitha të dhënave, Kim gëzon një legjitimitet të vogël personal në Korenë Veriore. Sipas traditës koreane, besimi i pasurisë familjare djalit më të ri të gjeneratës së tretë, ndonjëherë është propozim i rrezikshëm. I ati i tij, Kim Jong-il, ishte munduar shumë që ta mbante nivelin dhe namin e të atit të tij. Duket se Kim Jong-un e ka edhe më të vështirë që ta udhëheqë “biznesin familjar”. Ai ka lansuar atë që shumë njerëz e quajnë sundim i tmerrit: disa zyrtarë të lartë janë ekzekutuar në mënyrë brutale, derisa të tjerët i ka kapluar frika. Përkundër ndonjë projekti të ri herë pas here – zakonisht të ndonjë parku të argëtimit – Koreja Veriore nën Kim Jong-un-in vazhdon rrugën e saj drejt shkatërrimit.

Ekonomia e vendit është kaotike, me bazën e saj bujqësore, në mungesë të ndonjë teknologjie moderne, gjithnjë e më të varur nga kushtet klimatike. Vendimi i autoriteteve për lejimin e veprimit të tregjeve reflekton nevojën që të gjendet një zgjidhje dosido.

Kina, në esencë, ka hequr dorë nga fqinji i saj i vogël. Rusia, me problemet e veta ekonomike, nuk është e interesuar në ringjalljen e një miqësie me një vend, i cili duket se parim kryesor e ka që të mos i paguajë askujt kurrë, për asgjë.

Njëra ndër karakteristikat e regjimit të Kim Jong-un-it ka qenë mosinteresimi rreth negociatave për t’i dhënë fund programit bërthamor të Koresë së Veriut. Në fakt, derisa kinezët gjatë viteve të fundit janë munduar për ringjalljen e të ashtuquajturave, biseda gjashtëpalëshe, koreanët e veriut iu përgjigjën atyre me një zë të qetë: “Jo, faleminderit”!

Koreja Veriore nën Kim Jong Unin ka investuar dhe ka punuar me të madhe për zhvillimin e raketave, të afta që të bartin armë bërthamore. Vendeve të tjera nuk u ka mbetur asgjë tjetër, pos t’i ashpërsojnë sanksionet, ta rrisin vigjilencën dhe, në rastin e SHBA-së dhe aleatëve të saj, të zhvillojnë mbrojtje të teknologjisë së lartë, duke paaftësuar sistemin sulmues të Koresë Veriore ende pa sulmuar ai.

 Duhet një Kore e bashkuar

Gjatë procesit gjashtë palësh, përgjatë periudhës katër vjeçare, bashkëbiseduesit e Koresë Veriore (SHBA-ja, Koreja jugore, Kina, Rusia dhe Japonia) i ofruan regjimit atë që dukej sikur një ofertë e madhe: mbylljen e programit bërthamor, në këmbim të një game të gjerë të ndihmave dhe sigurive. Kim Jong-un nuk i ka pranuar përfitimet të cilat do të vinin nga njohja si anëtar i bashkësisë ndërkombëtare, si duket për shkak të qëllimit që ta udhëheqë vendin e tij për në shkatërrim.

Duke pasur parasysh këtë, është lehtë që të kuptohet pse shumë analistë kanë filluar që të përqendrohen te ajo çka shkatërrimi i Koresë Veriore do të thotë për gjendjen politike në gadishullin korean. Në një moment të caktuar, Koreja Veriore nuk do të jetë në gjendje që të funksionojë dhe Koreja Jugore do të bëhet shteti trashëgues.

Shumë banorë të Koresë Jugore nuk janë të sigurt se duan ta absorbojnë popullsinë e Koresë Veriore. Por, si duket ata nuk do të kenë zgjidhje tjetër. Të ballafaquar me një sfidë të tillë historike, koreanët, duke pasur parasysh të ardhmen e fëmijëve të tyre, si dhe dëshirën e paraardhësve të tyre, koreanët përfundimisht do ta pranojnë bashkimin.

Kjo do të jetë një detyrë monumentale. Shembulli relativisht i ri i ribashkimit të Gjermanisë ofron njëfarë shembulli, por Koreja do të duhet që ta zgjedhë rrjedhën e vet. Kjo nuk do ta kërkojë vetëm një planifikim të qëndrueshëm, por edhe miq, aleatë, si dhe partnerë.

Më 4 shtator, presidentja e Koresë Jugore, Park Geun-hye, do të arrijë në Kinë për vizitën e saj të dytë zyrtare. Do të ketë një agjendë të ngjeshur të gjërave për diskutim. Por, duke pasur parasysh udhëheqjen për faqe të zezë të Kim Jong-un-it në veri, mund të jetë një ide e mirë që të bisedohet se si do të dukej kufiri i një Koreje të bashkuar.

(Autori aktualisht është dekan i Shkollës “Korbel” për studime ndërkombëtare, në Universitetin e Denverit)

Ky shkrim është shkruar ekskluzivisht për PROJECT SYNDICATE, pjesë e së cilës është gazeta “Kosova Sot”