Papa Frençesku në Amerikë, ngjarje epike

Papa Frençesku në Amerikë, ngjarje epike
  • 03 September 2015 - 10:15

Shkruan: Chris Patten

Vizita mund të ketë ndikime edhe në garën politike

Gjatë rrugës për në SHBA të ndalet për vizitë edhe në ishullin kuban

Çështja e tretë, më sfiduesja për disa politikanë amerikanë, sidomos për konservatorët, është qëndrimi i Françeskut për ndryshimet klimatike dhe zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik

Nuk ka asnjë dyshim që vizita e Papa Françeskut në Shtetet e Bashkuara të Amerikës në muajin shtator to të përbëjë njërin prej lajmeve më të mëdha të vitit 2015. E marrim numrin e katolikëve amerikanë, të cilëve ua shtojmë aftësitë diplomatike të zyrtarëve të Vatikanit bashkë me deklaratat e fuqishme të Françeskut për tema të ndryshme dhe kësisoj i kemi të gjithë përbërësit e një ngjarjeje epike.

Lë të fillojmë me diplomatët. Zyrtarët e Vatikanit nganjëherë kritikohen, madje edhe nga vetë Françesku, megjithatë në mesin e tyre ka zyrtarë të rangut të lartë, të udhëhequr nga këshilltari kryesor i Papës, Kardinali Pietro Parolin, të cilët kanë eksperiencë në punën e qetë për paqe dhe drejtësi sociale në disa prej vendeve më të rrezikshme të botës.

Kur një diplomaci kaq e mençur i vihet në shërbim një Pape me kaq shumë ndikim, duke mos përmendur rreth 1.2 miliardë katolikët anekënd botës, si rezultat fitojmë një motor për të bërë gjëra të mira, që është shumë i fuqishëm.

Anekdotat për Françeskun – duke filluar nga prirjet e tij për t’i telefonuar njerëzit të cilët kanë pësuar fatkeqësi, deri tek vendimet e tij për t’ua larë këmbët kriminelëve, myslimanëve dhe grave – dalin të jenë të vërteta. Të gjitha këto akte të tij kanë kontribuuar në ndërtimin e reputacionit të një lideri karizmatik e shumë të afërt, që ka arritur të fitojë simpati në shumë vende të botës.

Autoritet i fortë moral

Eksperienca ime personale me Françeskun tregon që reputacioni i tij është i merituar. Përkundër faktit se unë, që jam në moshën 71-vjeçare, mund të dukem paksa i vjetër për të pasur heronj për adhurim, nuk mund ta kujtoj ndonjë figurë tjetër publike, që më është dukur më i ngrohtë. Ai jeton sipas mesazhit të dhënë në Ungjillin e Shën Meteut, që thotë: “Të bekuar janë ata që kanë uri e etje të pashuar për drejtësi”.

Autoriteti moral i Françeskut bën që intervenimet e tij në çështjet bashkëkohore – si puna e dënimit të gjenocidit në Armeni, dënimi i dhunës së xhihadistëve islamikë, kriminaliteti i mafisë dhe korrupsioni në Itali si dhe dënimi i vdekjeve të migruesve afrikanë e atyre të Lindjes së Mesme në detin e Mesdheut – të jenë shumë të fuqishme. Para dhe gjatë vizitës së tij në SHBA, pikëpamjet e tij në tri çështje – që të gjitha këto kontroverse në SHBA – do ta kenë një ndikim shumë të madh.

E para, Françesku është duke dhënë kontribut të madh në normalizimin e marrëdhënieve në mes SHBA-së dhe Kubës. Kjo pasi që për përmirësimin e marrëdhënieve, jo vetëm që ka luajtur një rol të madh Kardinali Parolin, që ka qenë i dërguar i Vatikanit në Venezuelë, mirëpo është vetë Françesku ai që planifikon që gjatë rrugës për në SHBA të ndalet për vizitë edhe në ishullin kuban.

Mirëpo, përmirësimi i marrëdhënieve në mes të Kubës dhe SHBA-së nuk është mirëpritur nga të gjithë politikanët amerikanë. Në fakt, përkundër dëshirës së qartë të presidentit Obama për t’i dhënë fund ngrirjes së pakuptimtë politike, disa politikanë amerikanë, kryesisht të krahut të djathtë, nuk duan që ta kenë një partner në afërsi të brigjeve të Floridës.

Qëndrimi për konfliktin mes Izraelit dhe Palestinës

Çështja e dytë që Françesku do ta adresojë në SHBA është konflikti mes Izraelit dhe Palestinës – një temë shumë e nxehtë në SHBA, vend ky që është aleati më i rëndësishëm i Izraelit. Vatikani ka paralajmëruar nënshkrimin e një traktati që përfshin edhe njohjen e shtetit të Palestinës. E, duke marrë parasysh miqësinë e kamotshme të Françeskut me hebrenjtë dhe diapazonin e tij të gjerë në lidhje me kulturën dhe fenë e tyre, asnjë politikan izraelit nuk mund ta quaj atë anti-semit.

Çështja e tretë, më sfiduesja për disa politikanë amerikanë, sidomos për konservatorët, është qëndrimi i Françeskut për ndryshimet klimatike dhe zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik. Ai ka për qëllim që ta vendos të gjithë peshën e autoritetit të tij prapa përpjekjeve për arritjen e një marrëveshjeje për ndryshimet klimatike në konferencën e Kombeve të Bashkuara që do të mbahet këtë dhjetor në Paris. E, edhe deklarata e fundit e presidentit amerikan Obama, në lidhje me emetimin e dyoksidit të karbonit, është në përputhje me qëllimet e Papës.

Françesku, pa asnjë dyshim, do ta diskutojë këtë çështje në adresimin e tij nga Kongresi, 30 për qind e të cilit, përfshirë këtu edhe zëdhënësin, John Boehner, republikan, janë katolikë. E, kur marrim parasysh që disa nga kandidatët më të fortë të Partisë Republikane për ta marrë nominimin, si Jeb Bush, Marco Rubio dhe Bobby Jindal janë katolikë, atëherë fjalimi i fuqishëm i Papa Françeskut në lidhje me ndryshimet klimatike mund të shkaktojë dilema serioze politike për disa prej tyre.

Papa e ka arsyen dhe engjëjt me vete

Disa nga elementët më konservativë në politikën amerikane, që mbështeten nga njerëz si puna e miliarderëve David dhe Charles Koch, të cilët përfitojnë nga mungesa e veprimeve për ndalimin e ndryshimeve klimatike, tashmë kanë filluar që t’i kundërshtojnë qëndrimet e Papës në këtë aspekt. Përkundër faktit që Kisha Katolike dikur i kishte shtypur shkencëtarët, të kishin bërë thirrje mbi zërin e arsyes, tani ajo po i mbron, Papa e ka arsyen dhe engjëjt me vete.

Në vitin 1891, Papa Leo i trembëdhjetë e kishte nxjerrë ‘Rerum Novarum’-in, një dokument për të drejtat e punëtorëve që sfidonte diskursin dhe qasjen politike në këtë aspekt. Françesku shpreson që ta ketë një ndikim të ngjashëm sot, duke dhënë kontributin e tij për kanalizimin e veprimeve në ndryshimet klimatike. Në këtë mënyrë, ai shpreson që bota mund të arrijë zhvillim të qëndrueshëm, që përmirëson jetën e të varfërve dhe e ruan planetin, nga i cili varemi.

Françesku 78-vjeçare shpeshherë flet me kohë të limituar. Shumica e katolikëve luten që këtë herë të mos jetë kështu. E, duke marrë parasysh ndikimin pozitiv që mund ta ketë një Papë karizmatik dhe i mençur, që të gjithë ne duhet ta kemi këtë shpresë.

(Chris Patten-i është guvernatori i fundit britanik në Hong-Kong dhe një ish komisionar i BE-së për punë të jashtme)

Ky shkrim është shkruar ekskluzivisht për PROJECT SYNDICATE, pjesë e së cilës është gazeta “Kosova Sot”