Rindërtimi i sistemit të azilit

Rindërtimi i sistemit të azilit
  • 02 October 2015 - 09:24

Shkruan: George Soros

BE-ja pa politika të përbashkëta

Evropa duhet t’u japë fund panikut dhe vuajtjeve të panevojshme të njerëzve

BE-ja duhet të sigurojë 15.000 euro në vit për secilin azilkërkues në dy vitet e para, për t’u ndihmuar me banim, shëndetësi dhe koston e edukimit, duke e bërë kështu pranimin e refugjatëve një gjë më tërheqëse për shtetet anëtare

Bashkimi Evropian duhet ta pranojë përgjegjësinë për mungesë të politikave të përbashkëta të azilit, që e kanë transformuar fluksin e refugjatëve nga një problem që mund të menaxhohej në një krizë tjetër politike. Secili shtet anëtar është përqendruar në interesat e veta, shpeshherë duke vepruar kundër interesave të të tjerëve. Kjo gjë ka shkaktuar panik në mesin e azilkërkuesve, publikut të gjerë dhe autoriteteve përgjegjëse për rend e ligj. Azilkërkuesit kanë qenë viktima kryesore.

BE-ja ka nevojë për një plan gjithëpërfshirës për t’iu kundërpërgjigjur krizës, plan që e vlerëson qeverisjen efektive para valës së azilkërkuesve në atë mënyrë që ata të kenë mundësi ta gjejnë një strehë të sigurt dhe në një formë që reflekton kapacitetin evropian për t’i absorbuar. Mirëpo, për të qenë gjithëpërfshirës, plani duhet të jetë përtej kufijve të Evropës. Është më pak përçarëse dhe më pak e kushtueshme për t’i mbajtur azilkërkuesit në ose afër lokacioneve të tyre të tanishme.

Meqë origjina e krizës së tanishme është Siria, fati i popullsisë siriane duhet të jetë prioriteti kryesor. Mirëpo nuk duhet harruar as azilkërkuesit dhe imigrantët tjerë. Ngjashëm, një plan evropian duhet shoqëruar nga një përgjigje globale nën autoritetin e Kombeve të Bashkuara, duke i përfshirë aty të gjitha shtetet anëtare. Kjo do të ndihmonte në shpërndarjen e barrës së krizës siriane tek një numër më i madh shtetesh, derisa, në të njëjtën kohë do të përcaktoheshin standarde për trajtimin e problemeve të migrimit të detyruar, në mënyrë më të përgjithshme.

Një plan gjithëpërfshirës

Këta janë gjashtë komponentët e një plani gjithëpërfshirës.

Fillimisht, BE-ja duhet të pranojë të paktën një milion azilkërkues në vit për të ardhmen e parashikueshme. Dhe, për ta bërë një gjë të tillë, barra duhet ndarë në mënyrë të drejtë, princip që shumica e kualifikuar më në fund e kanë votuar në samitin e së mërkurës.

Edhe financimi adekuat është shumë i rëndësishëm. BE-ja duhet të sigurojë 15.000 euro në vit për secilin azilkërkuesit në dy vitet e para për t’iu ndihmuar me banim, shëndetësi dhe koston e edukimit, duke e bërë kështu pranimin e refugjatëve një gjë më tërheqëse për shtetet anëtare. Këto fonde mund të grumbullohen nëpërmjet sigurimit të bonove afatgjate, duke përdorur kapacitetin e huamarrjes, që ka kohë që nuk është prekur, gjë që do të ndikonte edhe në sigurimin e stimulimit të justifikuar fiskal për ekonominë evropiane.

Është shumë e rëndësishme t’u lejohet shteteve dhe azilkërkuesve që t’i shprehin preferencat e tyre, duke përdorur sa më pak masa shtrënguese. Vendosja e refugjatëve në vendin ku duan të shkojnë dhe ku janë të dëshiruar, është një shenjë e suksesit.

Së dyti, BE-ja duhet ta udhëheqë përpjekjen globale për të siguruar një financim adekuat për Libanin, Jordaninë dhe Turqinë për t’iu ndihmuar atyre me mbështetjen e katër milionë refugjatëve, që për momentin janë duke jetuar në këto shtete.

BE-ja jep pak për refugjatët në Turqi

Deri më tani janë grumbulluar vetëm një pjesë e fondeve të nevojshme për sigurimin e kujdesit bazik. Nëse përfshihen edhe edukimi, trajnimi dhe nevojat tjera esenciale, kostoja vjetore për një refugjat del të jetë 5.000, ose 20 miliardë euro për të gjithë. Ndihma e BE-së për Turqinë, ndonëse është dyfishuar javën e kaluar, ende është vetëm 1 miliard euro. Për më tepër, BE-ja duhet të ndihmojë edhe në krijimin e zonave të veçanta ekonomike me statusin e tregtisë së preferuar në regjion, përfshirë këtu edhe Tunizinë dhe Marokun, për të tërhequr kështu investime dhe për të gjeneruar vende të punës edhe për banorët lokalë edhe për refugjatët.

BE-ja duhet t’ia vë vetës një qëllim që të sigurojë për këto shtete të paktën 8-10 miliardë euro, ndërsa pjesa tjetër do të duhej të sigurohej nga SHBA-ja dhe pjesa tjetër e botës. Kjo shumë do të mund të shtohej në sasinë e bonove afatgjate, që janë të destinuara për mbështetjen e azilkërkuesve në Evropë.

Evropës i duhet një gardë për ruajtjen e kufijve

Së treti, BE-ja duhet menjëherë të fillojë me ndërtimin e një Agjencie të Azilit dhe Migrimit dhe eventualisht edhe të një garde të përbashkët të Kufijve të BE-së. Mozaiku i tanishëm i 28 sistemeve të ndara të azilit nuk është funksional: është i shtrenjtë, joefikas dhe prodhon rezultate të parregullta në lidhje me atë se kush duhet të kualifikohet për azil e kush jo. Një agjenci e re gradualisht do të ndikonte në modernizimin e procedurave, do të siguronte rregulla të përbashkëta për punësim e sipërmarrësi si dhe përfitime të tjera, duke zhvilluar një politikë fitimprurëse e efektive për imigrantët, të cilët nuk kualifikohen për azil.

Së katërti, duhet krijuar kanale të sigurta për azilkërkuesit, duke filluar nga marrja e tyre nga Greqia dhe Italia e dërgimi nëpër vendet që i kanë si destinacion. Kjo është shumë urgjente, nëse mëtohet qetësimi i panikut të krijuar. Një tjetër hap logjik është sigurimi i porteve në regjionin nga vijnë azilkërkuesit, duke e reduktuar kështu numrin e imigrantëve që e marrin rrezikun për ta kaluar Mesdheun. Nëse azilkërkuesit e kanë një mundësi të arsyeshme për të mbërritur në Evropë, gjasat janë shumë të mëdha që ata të qëndrojnë aty ku janë. Kjo gjë kërkon negociata me shtetet e bashkëpunim me Agjencinë e OKB-së për Refugjatë për të themeluar qendra të ndryshme, me Turqinë si prioritet.

Duhet të angazhohen edhe sponsorët

Marrëveshjet financiare dhe ato të operimit, të zhvilluara nga ana e BE-së, duhet të përdoren për themelimin e standardeve globale për trajtimin e azilkërkuesve dhe imigrantëve. Kjo është pika e pestë e planit gjithëpërfshirës.

Përfundimisht, për të qenë në gjendje t’i absorbojë e integrojë më shumë se një milion azilkërkues dhe imigrantë në vit, BE-ja ka nevojë për mobilizimin e sektorit privat, OJQ-ve, grupeve të kishave dhe bizneseve, në mënyrë që ata të veprojnë si sponsorë. Kjo gjë do të kërkonte jo vetëm financim të mjaftueshëm mirëpo edhe kapacitet njerëzor, të përshtatshëm me imigrantët dhe sponsorët.

Eksodi nga Siria e shqyer nga lufta nuk do të duhej të shndërrohej në krizë. Ai ka qenë shumë lehtë për t’u parashikuar dhe shumë lehtë për t’u menaxhuar nga Evropa dhe komuniteti ndërkombëtar. Kryeministri hungarez, Viktor Orbán, tani e ka krijuar një plan me gjashtë pika për adresimin e kësaj krize. Mirëpo, plani i tij, që nënshtron të drejtat njerëzore të azilkërkuesve dhe të imigrantëve nën sigurinë e kufijve, që kërcënon përçarjen dhe shkatërrimin e BE-së nëpërmjet vënies në pikëpyetje të vlerave mbi të cilat është ndërtuar dhe duke shkelur ligjet që është dashur ta kishin qeverisur atë.

BE-ja duhet të përgjigjet me një politikë azili origjinale të Evropës, që do t’u jepte fund panikut dhe vuajtjeve të panevojshme të njerëzve.

(George Soros është biznesmen amerikan i lindur në Hungari, investitor, autor dhe filantrop i shquar. Ai është drejtor i Fondacionit ‘Soros’.)

Ky shkrim është shkruar ekskluzivisht për PROJECT SYNDICATE, pjesë e së cilës është gazeta “Kosova Sot”