Korrupsioni dhe krimi i organizuar janë bërthama e së keqes

Korrupsioni dhe krimi i organizuar janë bërthama e së keqes
  • 03 October 2015 - 10:27

Shkruan: Shefik Shkodra

Kosova do të hyjë në Evropë, por me kushte

Politikanët e korruptuar e lënë pa rrugëdalje qytetarin tonë

Ata janë që e gënjejnë popullin sa herë që organizohen zgjedhjet. Ata janë që lejojnë gjyqet të mos zbatojnë ligjet dhe të korruptohen edhe vetë si gjykatës e prokurorë, e madje edhe disa avokatë. Ata janë që ia ngushtojnë punët qytetarit tonë. Ia pamundësojnë rrugëdaljen. Ata janë që kanë përzier punë në Universitetin publik, duke organizuar protestë pas proteste si banda muzike për ceremoni rasti. Secili duanë të kenë sa më shumë forcë politike garuese e mbizotëruese edhe në arsim e kudo tjetër. S'ka rëndësi çka dëmtohet, veç kur vjen koha e zgjedhjeve, të kenë argatë sa më shumë

Nuk ka mundësi të largohemi nga elemente, që e plotësojnë njëri-tjetrin në vazhdën e kësaj politike të sotme. Jemi dëshmitarë se janë dhënë shumë hera fjalë të mëdha për ngjalljen e ekonomisë, hapjen e vendeve të punës për të mbijetuar ky popull. Pse mund të hidhen aq shumë premtime, si farë në parcelën e lëruar dhe nuk mbin asgjë. Ose, në vend të bereqetit, rriten gëmusha ferrash. Pse të gënjehet aq shumë populli qe sa vite. Kjo po shihet, vetëm e vetëm, që, disa persona ta kenë primatin në shtetin e këtij vendi për pushtet. Dhe ky shtet-pushtet është shndërruar në mjet utilitar për grupe. Madje edhe me koston e bllokimit të të gjitha institucioneve. Me asgjësimin e të mirave materiale e financiare. Me shkurtimin e të drejtave qytetare. Dhe në fund, pa asnjë qëllim të mirëfilltë. Pa vlerë konvencionale!

Është padije apo me qëllim, nuk dëshirojmë të paragjykojmë

Disa herë janë paraqitur në shtypin e përditshëm e mjete tjera informative, se sa shpenzime bën një delegacion i Kosovës. Madje, edhe një njeri nëse është dashur të bëj atë udhëtim zyrtar. Nuk mund të besoj kush me mendje të shëndoshë se si pas një delegacioni për katër-pesë veta, ngjiten edhe dhjetëra të tjerë pa nevojë. Pastaj, shtruarja e drekave e darkave, është bërë si traditë e pa cipë fare. Benificionet e zyrtarëve të institucioneve të shumta e gati të pakuptimta, si me telefona, me laptopë, me vetura, mëditje, dhe nuk e prodhojnë qëllimin e dukshëm për qytetarë. Nepotizmi me ato borde nëpër institucione të tjera veç familjarë e militantë - të shumtën pa aftësi. Kur kthehemi në retrospektivë, me tenderët, punët në infrastrukturë rrugore, punët në shëndetësi, ato aferat e arsimit të pashkëputshme, në gjyqësi, etj. këta njerëz nuk mund ta avancojnë ardhmërinë e qytetarëve të këtij vendi. Ndoshta, kjo po bëhet prej ndonjërit me qëllim(?). Nuk ta merr mendja se në këtë grumbull personash institucional, të mos ketë ndonjëri që nuk merr vesh çka do të thotë racionalizim ekonomik në kushtet tona. Nuk pranohet objektivisht se, nuk e ka ditur dikush, çka do të thotë plaçka dhe shitja e mjeteve themelore dhe ndërmarrjet publike, po pa ndonjë efekt të dukshëm. Nuk do të thosha se, asnjë njeri në mesin e gjithë atyre agjencive, borde dhe komisione (çfarë emëroheshin - shpeshherë në anglisht si përhitje në opinion) të ndryshme se, nuk e kanë ditur se mijëra e mijëra qytetarë të këtij vendi do të mbeten rrugëve në këtë mënyrë. Nuk ma merr mendja dhe askush nuk e mendon se, ka aq njerëz injorantë sa t'i "mbush xhepat" e vet me para e me hisen edhe të atyre fëmijëve dhe jetimëve që sot nuk e kanë as bukën e gojës. 

(Mos)zbatimi i ligjit - ata janë vetë që prijnë

Veç korrupsioni dhe krimi i organizuar është problemi kryesor në këtë vend. Dhe, ky problem më i madhi, të nderuar qytetarë, janë institucionet e korruptuara si në shumë vende ballkanike. Korrupsioni dhe krimi i organizuar janë fatura që po e paguan ky popull. Asnjë pengesë nuk ka mundësi t'ia bëj Evropa shqiptarëve të Kosovës, po të mos ishin përfaqësuesit e institucioneve të korruptuar e të kriminalizuar. Vizat janë të lidhura e të kushtëzuara nga këto dy dukuri e institucioneve, jo nga qëllimi i evropianëve. As nuk është problemi i qytetarëve tanë se, ata janë kriminelë apo që ia "ngjitin zhugën" të tjerëve. Përkundrazi. Kosova s'është Amerikë, por s'është as Banglladesh, as Afganistan. "Kosova do të hyjë në Evropë me këto kushte..." thonë. Kosova është në Evropë, por mos po degradojmë ne. Dhe kjo është shumë e papranueshme dhe e dënueshme! E dini ju të gjithë çka thonë përfaqësuesit e Qeverisë shpesh: "evropianët nuk po na i lejojnë vizat", sikur ne të gjitha punët e brendshme i kemi në rregull e pa probleme. Kemi thënë, vizat qytetarët tanë (rinia) i kërkojnë, që, sa më shpejt të ikin prej vendit të vet. Në krejt gjyqësinë, dy-tre vetë do të gabonin. Po ata do të dënoheshin, do t'u konfiskohej pasuria, por nuk do të gabonin në çdo skutë. Nga qeveri të tilla nuk pritet ligj i zbatueshëm te ne. Pas kësaj të gjitha të ligat vijnë në mënyrë serike. Bëhen edhe punët që nuk janë në interes të përgjithshëm. Po asnjëri nuk vepron kundër vetvetes. Askush nuk është aq naiv sa të krijoj gjykata për të luftuar korrupsionin dhe deformimet në politikën e përditshme, kur ata që e bëjnë këtë politikë, të njëjtit janë të korruptuarit e parë. Ata janë të kriminalizuar. Ata lejojnë që qytetarët tanë të duken si ata të Sirisë në luftë, duke lëshuar vendin e tyre. Ata e bëjnë lajm dite arrestimin e qytetari të rëndomtë për njëzet (20) apo dhjetë (10) euro. Ata janë që e dinë mirë se ku kanë shkuar miliona e miliona...ata e dinë mirë se si janë të privilegjuar, duke pasur pushtetin në duart e tyre. Ata janë që e gënjejnë popullin sa herë që organizohen zgjedhjet. Ata janë që lejojnë gjyqet të mos zbatojnë ligjet dhe të korruptohen edhe vetë si gjykatës e prokurorë, e madje edhe disa avokatë. Ata janë që ia ngushtojnë punët qytetarit tonë. Ia pamundësojnë rrugëdaljen. Ata janë që kanë përzier punë në Universitetin publik, duke organizuar protestë pas proteste si banda muzike për ceremoni rasti. Secili duanë të kenë sa më shumë forcë politike garuese e mbizotëruese edhe në arsim e kudo tjetër. S'ka rëndësi çka dëmtohet, veç kur vjen koha e zgjedhjeve, të kenë argatë sa më shumë dhe para. Ata janë në dijeni për çdo aferë dhe ekses më të vogël...asnjë ditë nuk kalon pa ndonjë të tillë, por nuk çon peshë në kandarin e tyre, sepse të gjitha janë bërë nga ana e tyre - legale, madje edhe në shtrirje horizontale gati legjitime. Kështu një pjesë e popullatës (që kanë mundësi për të mbetur gjallë) po i gëlltisin të gjitha, sikur diçka e rëndomtë apo e domosdoshme për zyrtarët e institucioneve në këtë vend. Si diçka që populli u ka borxh atyre, jo shtetit. 

Nuk janë punë institucionaleqeveritare, por "katundare"

Sikur qeveritarët të ishin serioz në punën e tyre, askush nuk do të guxonte ta "lëshojë frontin" e vet. Për çdo ditë do të pastroheshin fajtorët. Në qoftë se institucionet tona nuk janë të nevojshme, ose veç të duken dekor, atëherë nuk jemi shtet, nuk qeverisemi vetë. Dhe, gjendja e këtij populli mbetet e pezulluar dhe e ngrirë. Këtë dikush e di edhe në meset tona. Ata që dje ishin të trembur nga regjimet e pushtuesit të huaj dhe luftuan me ta, janë në qeverisje, le të na tregojnë. Kur themi, nuk janë veprime institucionale-qeveritare, por "katundare", nuk e kemi fjalën për 'katund' si term gjeografik, ngase edhe banorët e katundeve janë qytetarë. Fjala është për ata njerëz, që nuk dinë të planifikojnë një agjendë qeveritare e institucionale, por edhe njerëz të zgjedhur sa për përfitime personale, familjare, partiake, dosllakije, bajraktare...Të shkon mendja kur i sheh disa punë të këtyre institucioneve, sikur fëmijët kur luajnë në zalle. Ngritin kulla e pallate me kokrriza zalli...pas pak shemben e fshihen për tokë. Mirëpo, këto kulla e pallate ngrihen sa për shfaqje e lojë të përkohshme. Si këta zotërinjtë, sa për të marrë kredibilitet nga masa. Sa për të fituar ndonjë votë. - Ai s'bën. Ky s'bën. Unë jam! Kur i shikon asnjëri as tjetri e as i treti. Njëjtë janë, me shenjë barazi - interesi i tyre. Bie fjala, kush duhet t'i kontrolloj këta njerëz kur marrin qëndrim për ndonjë udhë zyrtarisht në ndonjë vend. Njëmend shkojnë si në një "dasmë". Sikur atje ka diçka që veç duhet të preket dhe të kthehen prapa grumbull, duke reklamuar se e kanë gjetur "ilaçin". Si një pjesë e grave, me ide pagane, kur mblidhen tuba-tuba ngado. Nisen për të shkuar te një tyrbe, apo faltore tjetër për të lexuar fall, ditën apo natën e Shëngjergjit (?). Kur kthehen plot entuziazëm. Plot hare, kënaqësi. Ngjashëm po duket. E shihni, ne kemi biseduar dhe jemi fotografuar me këtë e atë, thonë. Na kanë premtuar. Ne nuk e dimë cilat janë premtimet, si janë ndihmat, çfarë shprehet financiarisht. Po çfarë përfaqësish me nëpunës për ambasada ka emëruar në vende të ndryshme në MP-në e Jashtme. Ata i dinë sa janë njerëz të përgatitur për ato marrëdhënie diplomatike. Mos veç formalisht. 'Bum' problem djali i atij në konsulatë, pasi e proklamuan të dehur mësuam se i kujt ishte. Atje në Gjermani luftë në mes vete, atje në Amerikë. Mos po dalim si shumë qesharak ?! 

(Pa)përgjegjësia shoqërore për njerëzit e gabuar

Një njeri që rren ai edhe është dilenxhi, përpiqet të bëhet shakaxhi, por del me hajni, i pa besë dhe kriminel. Ai edhe nuk do të dëgjojë për asgjë. Pra, niset atje ku është e thjeshtë, nuk mendon se duhet të ndëshkohet e del deri te diçka që duhet "ta kruash kokën" më në fund. Disa tipa, nuk janë pak në mese tona, tamam si ajo thënia popullore: "Magarin e kish' hangër ujku për bishti, ai thoshte - ishalla jam andërr!" Është e çuditshme. Tipi sa herë i sulmon të tjerët, me pretekst sikur askush nuk di gjë në këtë botë. Veç njerëzit e prishur mendsh dhe kur e kanë një "copë buke" nga dika, atëherë shndërrohen në "derr i kënaqur" dhe recitojnë ode në "krah" të korbes. Krejt këtu fjalën e kemi për zhvillim ekonomik, racionalizim të mjeteve buxhetore, ruajtjen e pasurisë shoqërore, kulturore, hapjen e vendeve të punës, pastaj ka mundësi që të bisedohet edhe për përkufizime të sferave të ndryshme të politikës - cili çfarë merite ka në të kaluarën. A është i aftë në politikë. A është i moralshëm edhe sot. A është i dënuar apo në proces gjyqësor. A është tradhtar që nuk e di opinioni i gjerë. A ka vjedhur mjaft para nga ky vend dhe sërish e përzien veten si politikan. A ka vrarë njerëz. Me një fjalë, sa i përmbahet parimeve për të qenë i zgjedhuri i qytetarëve? Por, një që është shumë më e rëndësishme: A mund që fjalët e veta t'i çojë në vend, së paku një nga ato? Qytetarët nuk i kanë zgjedhur tipat në Parlament, as në Qeveri, vetë janë zgjedhur. Partitë me pazare... Natyrisht, me njerëz të vullnetit të mirë zhvillohet vendi. Me ata që shpërblehen me paga mujore të caktuara me ligj, pa e keqpërdorur krejt buxhetin. Pa e ndarë shumën që shkon nëpër baltë rrugëve të Evropës e botës. Që shkon në gomat e automjeteve, në celularë, në darka e dreka. Në...në çka jo. Po, a mundet të japë përgjegjësi tipi që e dinë edhe të tjerët që ka gabuar? - Jooo! thotë. Me këtë tregon vetë se nuk e meriton që t'i "rikatrrithet" këtij shpati për politikë në këtë vend. Pra, para se të kërkojmë shumë çështje të rregullohen, duhet kërkuar llogarinë nga zyrtarët tanë për mashtrimet që i kanë bërë pandërprerë. Madje, përgjegjësi për dëmet që ia kanë sjellë qytetarit drejtpërdrejt në shpinën e tij. Me zvogëlimin e mundësive për një jetë minimale, etj. Është shumë njerëzore që ta lirojë vendin vetë kandidati që e ndien veten të rënduar. Që nuk ka dhënë atë që është dashur as në minimum. Është edhe më shumë zgjuarsi e gjeniale, kur pranohet gabimi. Kur kërkon falje, është gjysma e hidhërimit ndaj të tjerëve që u ka sjellë dëmin. Në të kundërtën është vrazhdësi.