A e hodhi Papa votën e parë në zgjedhjet presidenciale amerikane?

A e hodhi Papa votën e parë në zgjedhjet presidenciale amerikane?
  • 04 October 2015 - 11:45

Shkruan: Paul Vallely

Vizita papa Françeskut në SHBA 

Ai doli fuqishëm në mbrojtje të emigrantëve

Një përqafim implicit papnor i politikës së Partisë Demokratike mund të tregohet i rëndësisë kryesore në mesin e katolikëve të Amerikës në nëntor të vitit të ardhshëm

 

Tre muaj më parë, derisa ishte duke u kthyer me avion nga Bolivia, papa Françesk u pyet pse ai dukej të kishte aq pak për t’iu thënë shtresave të mesme të shoqërisë, të cilët punuan me mund dhe paguan taksat e tyre. Papa u përgjigj se “ishte gabim i tij, që nuk kishte menduar rreth kësaj”. Është e vërtetë se, gjatë vizitës së tij në SHBA, Françesku e kishte përqendruar vëmendjen e tij te fituesit në ekonominë globale. Ata mund të mos kenë qenë tërësisht të kënaqur me këtë rezultat. Papa ishte më i afti deri më tani si operator politik në SHBA. Sikur edhe më parë, ai foli me vepra sa edhe me fjalë. Ai balancoi çdo ngjarje në skenën e madhe – në Shtëpinë e Bardhë, Kongres, Asamble të përgjithshme të OKB-së – duke i vizituar të pastrehët, imigrantët dhe të burgosurit. “Fiat”-i i vogël, i zi të cilin e përdorte ai, ishte më shumë sesa një simbol i modestisë. Ai ishte një mesazh i qartë rreth nevojës që çdokush ta japë kontributin e vet në këtë botë. Ai ka thënë edhe “Fiat voluntas tua”, që në latinishten e vjetër të kishës d.m.th. “Do të bëhet vullneti yt”.

 

Kisha Katolike të jetë më tolerante

Por, fjalët e tij ishin mjeshtërore. Ai me butësi, por edhe me vendosmëri kritikoi peshkopët amerikanë për qasjen e tyre “të ashpër dhe përçarëse” në çështjet rreth abortit dhe martesave të homoseksualëve. “Nuk kam ardhur as t’ju kritikojë, e as t’ju mbajë ligjërata”, iu tha ai, para se ta bënte mu atë. Qortimi i tij mund të ketë qenë i nënkuptuar, por ai ishte i qartë. Ai tha se, derisa largohej nga Amerika, e kishte këshilluar Kishën katolike që të jetë më tolerante dhe më gjithëpërfshirëse.

Me anë të qasjes së vet, ai mishëroi stilin më të butë, të cilin e ligjëronte, por përkundër kësaj ai ishte i pakompromis gjatë përcjelljes së mesazheve, të cilat e djathta amerikane nuk donte t’i dëgjonte.

Peshkopët e SHBA-së kishin shpresuar se papa do ta kritikonte sistemin “Obamacare” për shkak se ai përfshin kontracepsionin dhe pritnin nga ai që t’i kritikonte gjykatat amerikane, për shkak të miratimit të martesave të pjesëtarëve të gjinisë së njëjtë. Në vend të kësaj, ai në Filadelfi vendosi një grup të të drejtash fetare në kontekst të përgjegjësisë religjioze.

“Dinjiteti i çdo individi” duhet të përcaktohet në kuadër të “idealit të një bashkësie, të bashkuar nga dashuria vëllazërore”, tha ai. Individualizmi liberal, thoshte ai, duhet të balancohet nga solidariteti social. Dhe, ai doli fuqishëm në mbrojtje të imigrantëve në një vend në të cilin kandidati kryesor republikan për zgjedhjet presidenciale, Donald Trump, është duke u angazhuar për mbledhjen e rreth 11 milionë imigrantëve, për t’i kthyer ata nga kanë ardhur.

 

Fjalimi historik në Kongres

Përgjatë tërë udhëtimit të tij në Amerikë, qasja e papës ishte e shkathët dhe e nuancuar, por edhe sfiduese. Ai mund të fliste me butësi, meqë bartte një shkop të madh; ai kishte denoncuar fuqishëm kapitalizmin e papenguar në dokumentet e tij “Evangelii Gaudium” dhe “Laudato si”, ku që të dy këto fjalime identifikuan shkaktarët e përbashkët e indiferencës së të pasurve ndaj planetit dhe të të varfërve.

Në fjalimin e tij, të mbajtur në Kongres, ai përshtati kritikat e së kaluarës ndaj këtyre dokumenteve.

Por, kishte edhe dobësi në qasjen e tij tepër të butë. Duke lëvduar peshkopët amerikanë për “guximin” e tyre gjatë trajtimit të rasteve të abuzimit seksual, dilte në pah një dallim i madh midis kësaj dhe ankesave të viktimave të këtyre abuzimeve, të cilët ankohen se kisha ende nuk është duke bërë sa duhet. Vlerësimi i tij pas takimit me viktimat, se “Zoti qan” nuk mund ta zëvendësojë veprimin vendimtar për t’i disiplinuar si priftërinjtë, po ashtu edhe peshkopët, të cilët i fshehën veprat e keqbërësve. Ai u përkushtua për ndjekjen e rrugës së të vërtetës, pa marrë parasysh se ku çonte ajo dhe tha se “klerikët dhe peshkopët do të jenë përgjegjës”. Por, përparimi në këtë drejtim në Vatikan është tepër i ngadalshëm.

Kanunizimi i misionarit kontrovers, Junípero Serra, të cilin shumë popuj indigjenë e konsiderojnë më shumë mëkatarë, sesa të shenjtë, dukej një veprim jo mirë i menduar. Dhe, përkundër asaj se papa doli nga agjenda e tij duke pranuar me ngrohtësi punën e murgeshave amerikane, papa ende duket që nuk e ka idenë se si ta rritë rolin e grave në kishë.

Fjala “abort” nuk doli asnjëherë nga goja e tij, gjë që zemëroi djathtistët amerikanë. Por, në fushat e tjera mesazhi i tij ishte provokues dhe i qartë. Nevoja për t’i mirëpritur refugjatët dhe imigrantët ekonomikë u përsërit disa herë, derisa ai tha se: “Nuk duhet të frikësohemi nga numri i tyre, por duhet që ata t’i shohim si njerëz”. Dhe, ai ishte i ashpër edhe ndaj atyre që fitojnë nga tregtia e armëve, duke thënë se ato para janë të zhytura me gjak, në të shumtën e rasteve, me gjak të pafajshëm.

 

Ndryshimet klimatike godasin të varfrit 

Me rastin e vizitës në katedralen “St Patrick”, papa ua rikujtoi priftërinjve, murgeshave dhe anëtarëve të rendeve fetare, se ata duhet ta bëjnë një jetë të thjeshtë dhe duhet të ruhen nga arsyetimi se komfortet e kësaj bote do t’iu ndihmojnë që të shërbejnë më mirë. Njëri ndër momentet më interesante ndodhi gjatë fjalimit të tij në Kongres, rreth nevojës së “respektimit absolut për jetë në të gjitha etapat dhe dimensionet e saj”. Por, sapo republikanët u bënë gati që të duartrokisnin, papa u kthye me të shpejtë kah e majta, duke denoncuar fuqishëm dënimin me vdekje.

Për dallim nga kjo, ndryshimet klimatike ishin gjëja e parë që ai i përmendi sapo zbriti nga avioni. Ato godasin së pari dhe më së shumti të varfrit, tha ai në OKB. Angazhimi për planetin dhe për të varfrit janë gjëja e njëjtë. Dhe, ai shkoi përtej qasjes së papëve paraprakë, duke kaluar në detaje. Qëllimet e zhvillimit të qëndrueshëm duhet të jenë “një shenjë e rëndësishme e shpresës”. Ka pasur nevojë për reformë të OKB-së, sidomos të KS-së dhe të agjencive ndërkombëtare financiare, për të siguruar që shtetet e varfra “të mos bëhen subjekt i sistemeve shtypëse huazuese”. Ai përshëndeti marrëveshjen bërthamore midis SHBA-së dhe Iranit dhe u përqendrua sidomos te negociatat e ardhshme klimatike në Paris. Ky papë, sa është moralist, është edhe taktik. Dhe, kjo mund të ketë ndikim të rëndësishëm në SHBA. Në aspektin politik ka pasur një shkarje, e cila mund të dalë të ketë rëndësi kyçe te votuesit, të cilët identifikohen si katolikë.

Nën dy papët paraprakë, republikanët mund të llogaritnin se do të kishte deklarata kundër abortit dhe kundër martesave të së njëjtës gjini. Katolikët demokratë, në anën tjetër, patën një moment më të komplikuar, duke qenë midis mbështetjes për papën dhe për elektoratin e tyre në lidhje me këto çështje.

Françesku e ka ndryshuar këtë; ai ka mbështetur preferencat politike demokratike, rreth pabarazisë, imigrimit, dënimit me vdekje dhe ndryshimeve klimatike. Mund të dalë që papa ta ketë një ndikim vendimtar për garën presidenciale të vitit 2016.