Jeta pas Schengen-it

Jeta pas Schengen-it
  • 08 October 2015 - 16:26

Shkruan: Bill Emmott

Liria e lëvizjes

Kanoset zona e lëvizjes së lirë përbrenda kufijve evropianë

Nëse refugjatëve u ofrohet azili, ata mund të lëvizin me lehtësi në secilin shtet që është anëtar i marrëveshjes së Schengen-it dhe si rrjedhojë marrëveshjet për ndarjen e përgjegjësive e humbasin kuptimin

Përgjatë gjithë krizës së refugjatëve në Evropë, që është duke u ndërtuar tash e dy vjet, vazhdimisht është folur për kërcënimin që i kanoset zonës së lëvizjes së lirë përbrenda kufijve evropianë, Zonës Schengen. Në fakt, ky paralajmërim është dëgjuar përsëri së fundmi, kur ministrat e BE-së e kanë prishur një marrëveshje të arritur vonë për rivendosjen e refugjatëve. Mirëpo, në një periudhë të vetëbesimit të shkatërruar të BE-së a do të ishte eliminimi i udhëtimit pa kufij një gjë kaq e keqe?

Shkurt, jo. Natyrisht, ideja e heqjes së kufijve përbrenda Evropës ka një rëndësi të madhe simbolike. Mirëpo, nganjëherë edhe lopët e shenjta duhet të vriten. Meqë kriza e refugjatëve e ka shndërruar Schengen-in në një kërcënim të besueshmërisë së BE-së si një bashkësi kolektive, si dhe është humbur besimi në BE-në që ky institucion mund ta sigurojë sundimin e ligjit, atëherë ky pikërisht është momenti i veprimit.  

Kur ishte krijuar në vitin 1985, Zona Schengen përfshinte vetëm pesë shtete (Belgjikën, Francën, Luksemburgun, Holandën dhe Gjermaninë Perëndimore). Me kalimin e kohës, numri i shteteve anëtare të BE-së që janë bërë pjesë e Zonës Schengen është rritur, duke mbërritur në 22 nga gjithsej 28 shtetet anëtare, me katër shtete që nuk janë anëtare (Bullgaria, Kroacia, Qipro dhe Rumania) që pritet t’i bashkohen në të ardhmen, plus katër shtete që nuk janë anëtare të BE-së, e që janë pjesë e Zonës Schengen (Norvegjia, Islanda, Zvicra dhe Lihtenshtajni). Të gjitha këto shtete i kanë hequr kontrollet në kufijtë e tyre të përbashkët dhe kanë adaptuar një politikë të përbashkët të vizave për qytetarët e shteteve që nuk janë anëtare.

Pikat e dobëta të Marrëveshjes

Është më të vërtetë mirë që të jesh në gjendje që të shkosh nga Cyrihu në Oslo sikur të jesh duke udhëtuar brenda një shteti, pa kontrollim të pasaportave në hyrja dhe dalje. Gjithashtu, është ndjesi e mirë të udhëtosh nga Berlini në Barcelonë pa pasur nevojë të presësh në radhë tek secila pikë kontrolluese. Në fakt, janë këto lehtësira ato që kanë bërë që vetëm dy shtete të Bashkimit Evropian (Irlanda dhe Britania e Madhe) të mos jenë pjesë e Marrëveshjes Schengen.

Mirëpo, kriza e refugjatëve ka vënë në pah pikat e dobëta të Marrëveshjes Schengen, njëra prej së cilave është edhe vështirësia për monitorimin e territoreve kombëtare dhe atë të BE-së pa kontrollim të kufijve. Për më tepër, shtetet që nuk janë pjesë e Marrëveshjes Schengen kanë përfituar nga kjo gjë, si puna e Britanisë së Madhe, duke mos u bërë pjesë e politikave të përbashkëta për rivendosjen e refugjatëve, ndonëse as këto shtete nuk kanë qenë të izoluara ndaj sfidave të imponuara nga kriza e imigrantëve. Këto shtete, sikurse edhe ato që janë pjesë e Marrëveshjes Schengen, nuk mund të thonë se sa imigrantë janë futur në shtetin e tyre dhe kush janë këta njerëz.

Kjo humbje e kontrollit është e rëndësishme për dy arsye kryesore. E para, nëse statistikat rreth migrimit lënë hapësirë për dyshime, edhe para se të merren në konsideratë imigrimi ilegal, partitë nacionaliste, anti-imigrimit, me shumë lehtësi mund t’i ekzagjerojnë figurat e t’i ekspozojnë të njëjtat para publikut të gjerë. Së dyti, nëse refugjatëve iu ofrohet azili ata mund të lëvizin me lehtësi në secilin shtet që është anëtar i Marrëveshjes së Schengen-it dhe si rrjedhojë marrëveshjet për ndarjen e përgjegjësive e humbasin kuptimin.

Zgjohen partitë nacionaliste

 

Një shtet nuk do të dëshironte t’i mbulonte shpenzimet për vendosjen e refugjatëve, e pastaj t’i humbiste përfitimet që do t’i kishte pasi që këta refugjatë do t’i bashkoheshin fuqisë punëtore. Për ta shmangur një rezultat të tillë, e udhës do të ishte implementimi i një periudhe të tranzicionit - sikur periudha shtatëvjeçare me të cilën duhet të përballen qytetarët e shteteve të reja anëtare – gjatë të cilës azilkërkuesit e suksesshëm do ta kishin të ndaluar lëvizjen nëpër shtetet e tjera, për të kërkuar punë. Mirëpo, Schengen-i e bën këtë gjë shumë të vështirë për t’u vënë në praktikë, gjë kjo që gjithashtu shkon në favor të partive nacionaliste, që në këtë mënyrë arrijnë ta portretizojnë BE-në si një obligim me barrë të rëndë, e jo një burim të zgjidhjeve e mundësive të mira.

Për të qenë më i qartë, Marrëveshje e Schengen-it dhe principi i BE-së për lëvizjen e lirë të njerëzve duken që në mënyrë natyrale e fuqizojnë njëra-tjetrën. Mirëpo, çështjet që ato ngritin nuk janë të njëjta. Është lëvizja e lirë e qytetarëve, e jo lëvizja pa kontrolle kufijsh ajo që formon një komponent të rëndësishëm për BE-në. Dhe, në rrethanat e tanishme, Schengen-i po e vendos këtë të drejtë fundamentale dhe përfitimet që vijnë nga ajo në rrezik.

Natyrisht, zgjidhja e krizës së refugjatëve do të kërkojë shumë më tepër sesa thjesht dërgimin e zyrtarëve me uniforma nëpër kufij. Mirëpo suspendimi ose heqja e Marrëveshjes së Schengen-it do të ndikonte në rritjen e besueshmërisë në përpjekjet e qeverive për ruajtjen e rendit dhe si rrjedhojë, qytetarët e rëndomtë do të ishin shumë më të gatshëm për t’iu ndihmuar refugjatëve.

Në të njëjtën kohë, tërheqja e një politike kaq ngazëlluese do të dëshmonte që BE-ja është larg të qenit e kurthuar në një ideologji utopike dhe se mund të përshtatet ndaj rrethanave në një mënyrë shumë pragmatike. Tërheqja prapa, për të kërcyer më mirë, fundja, është një princip evropian, që është nderuar nga vetë koha.

(Bill Emmott ka qenë redaktor përgjegjës në ‘The Economist’, tani është producent ekzekutiv i dokumentarit të ri ‘Filmi për katastrofën e madhe evropiane’)

Ky shkrim është shkruar ekskluzivisht për PROJECT SYNDICATE, pjesë e së cilës është gazeta “Kosova Sot”