Vendim me implikime të larta në buxhet

Vendim me implikime të larta në buxhet
  • 29 April 2016 - 08:40

Shkruan: Ervina Hakaj

Mësimdhënësit e paraluftës do t’i marrin pensionet e merituara për periudhën 1990-1999

Gjeneratat e reja mund të dëmtohen, për shkak se Qeveria do të detyrohet të rrisë nivelin e tatimeve

Ky vit solli një lajm të mirë për gjithë ata mësimdhënës që me punën e tyre gjatë periudhës 1990-1999 kanë kontribuar në kohën më të vështirë të sistemit tonë arsimor. Më 6 janar, Qeveria e Kosovës ka miratuar vendimin për njohjen e përvojës së punës për mësimdhënësit në periudhën 1990-1999. Këta punonjës tanimë të pensionuar, të cilët deri në vitin 1990 nuk i kishin përmbushur 15 vjet përvojë pune, dhe për këtë arsye në bazë të ligjit të Qeverisë nuk e kishin fituar të drejtën për të përfituar pension si kontributdhënës, do të mund të shfrytëzojnë edhe aktivitetin e tyre në sistemin paralel të edukimit si vite të rregullta pune.

Pas aprovimit të këtij programi të gjithë mësimdhënësit kontributdhënës mund të aplikojnë në Drejtoritë komunale të arsimit për njohjen nga skema pensionale të kontributit të dhënë në arsim gjatë viteve të 90-ta. Në bazë të këtij vendimi, rreth 22 mijë punonjës të pensionuar të cilët deri më tani kanë marrë vetëm pensionin bazë (75 euro) do të gëzojnë pensionin e plotë të punës, i cili aktualisht është 158 euro. Pastaj, në bazë të kualifikimit dhe viteve të punës punonjësit e kësaj periudhe do të kenë mundësinë të aplikojnë për përshkallëzimin e pensioneve.

Ky vendim shënon një hap tejet të rëndësishëm për sa i përket përmirësimit të mirëqenies sociale të punëtorëve të arsimit. Si i tillë, u mirëprit nga shumë mësimdhënës që kanë kontribuar gjatë viteve ‘90-‘99 duke vlerësuar se ky vendim i Qeverisë e respekton angazhimin dhe rezistencën e tyre në procesin mësimor gjatë një periudhe të sakrificës.

Sfida e sigurimit të fondeve

Gjatë implementimit të këtij programi, qeveria pos pensioneve të merituara do të ofrojë edhe benefite të tjera për mësimdhënësit si për shembull: sigurim shëndetësor, uljen e pagesës së transportit etj. Në këtë mënyrë, duke marrë parasysh se kostoja vjetore e këtij vendimi është relativisht e lartë, rreth 100 milionë euro, dhe pagesat për kontributdhënësit do të fillojnë shumë shpejt ky vendim doemos do të shkaktojë implikime të larta në buxhet. Qeverisë do t’i duhet të sigurojë fondet e nevojshme financiare për implementimin e plotë të këtij vendimi.

Një opsion në dispozicion të Qeverisë do të ishte zvogëlimi i shpenzimeve publike në sektorë të tjerë, gjë që mund të dëmtojë grupe të caktuara të popullsisë. Nëse Qeveria mendon financimin përmes rritjes së deficitit buxhetor, atëherë do ketë nevojë për huazime shtesë të fondeve nga institucione të ndryshme financiare brenda ose jashtë vendit. Në një skenar të tillë, gjeneratat e reja mund të dëmtohen për shkak se qeveria në të ardhmen do të detyrohet të rrisë nivelin e tatimeve në mënyrë që të paguaj detyrimet ndaj institucionit përkatës. Do të ishte mirë që këto implikime të analizohen me shumë kujdes para se qeveria të përcaktohet për ndonjërin nga opsionet e mundshme.

(Kosova Sot)