Mburravecët ballkanikë!

Mburravecët ballkanikë!
  • 04 May 2016 - 09:43

Shkruan: Gëzim Mekuli

Krekosjet e politikës

Shqiptarët e mëdhenj të futbollit i krijoi bota tjetër, shoqëria tjetër

Anëtarësimi i Kosovës në UEFA është lajm i mirë, është lajm i bukur, por jo aq edhe i zjarrtë, sikurse po e paraqet politika. Lajmi për Kosovën në UEFA të mos përdoret si mjet pune në duar të Qeverisë së degjeneruar. Mos të romantizohet, deri në budallallëk, ky sukses, jo i vogël sportiv, i Kosovës së lodhur e të kërcënuar nga copëtimi i Serbisë. Lajmin me ngjyrime të tilla politike e me emocione plot, do ta mirëkuptoja, atëherë dhe vetëm atëherë, kur do të ndodhë bashkimi i kombit shqiptar në një sistem politik e në një udhëheqje politike. Pikë! Mos e partiakëzoni sportin ashtu siç e keni partiakëzuar ushtrinë, policinë, ekonominë e gjyqësinë! Mos të krenohemi me "prodhimet e haja"! Shqiptarët e mëdhenj të futbollit i krijoi bota tjetër, shoqëria tjetër, politika tjetër. Ata janë prodhim i shoqërisë zvicerane, i shoqërisë gjermane, angleze, belge, franceze, janë prodhim i shoqërisë italiane, norvegjeze e, jo i shoqërisë sonë. Jo i politikave tona! S'ka përse krekoset politika e poshtër dhe johumane e Prishtinës, e as e Tiranës. Këto dy qendra krimi po prodhojnë ikje masive të rinisë, këtu nuk shërohen sëmundjet e fëmijëve, këtu ka kancer të pashërueshëm, këtu po marshon analfabetizmi e papunësia kolektive... Të dashur lexues, Nuk ka sport e as kulturë atje ku ministri është mafioz. Nuk ka vlera atje ku deputeti është kriminel. Nuk ka sport aty ku ka varfëri. Mos u mburrni me veprat e shoqërive të tjera. Mos krijoni lajme nga përrallat e pushtetit! Urime Kosovë pranimi në EUFA!