Gjergjaj: Disfata ndaj Haye, e dhimbshme!

  • 24 May 2016 - 14:45
Gjergjaj: Disfata ndaj Haye, e dhimbshme!

Tre nokdaune të rëndë në një sfidë vendimtare për karrierën e tij. Më shumë se pesha e grushteve të Haye, në ndërgjegjen e Arnold Gjergjaj ka lënë shenjë fakti që ai pësoi një disfatë që do t’i kushtojë shumë. Boksieri i lindur në Gjakovë por me pasaportë zvicerane, flet për mediat e vendit helvet pas humbjes në “O2 Arena” të Londrës, duke theksuar se dëmtimet i ka kaluar por humbja vazhdon t’i dhembë.

“Ndihem shumë keq por duhet ta pranoj se Haye ishte më i fortë dhe e uroj për të ardhmen. Ndoshta gabova në disa raste duke e lejuar të godiste në vazhdimësi. Në momentin që arriti të më godiste, e humba tërësisht orientimin sepse këmbët nuk po më bindeshin. Ishte si një mankth”.

Në vijim ai shton se aspekti më negativ është që nuk arriti të tregonte asgjë ngatalenti i tij.

“Kjo është gjëja që më dhemb më shumë në këtë histori. Është gjëja e parë që më kalon në mendje çdo moment. Në peshat e rënda boksi është i paparashikueshëm sepse çdo gjë ndodh sa hap e mbyll sytë”.

Në fund Gjergjaj flet edhe për të ardhmen dhe si e shikon ai karrierën pas kësaj disfate.

“Nuk di se çfarë të them tani. Duhet të reflektoj gjatë. Do të rinis punën në palestrën time të boksit por përsa i përket karrierës nuk kam marrë ende asnjë vendim”.

(Kosova Sot)