Memushaj kthehet te Pescara për ndeshjet play-off

  • 27 May 2016 - 16:29
Memushaj kthehet te Pescara për ndeshjet play-off

Vetëm katër ditë pasi u paraqit në grumbullimin e Kombëtares në tokën austriake, Ledian Memushaj detyrohet të largohet nga rezidenca e kuqezinjve. Paraditen e së premtes, mesfushori vlonjat zhvilloi stërvitjen e fundit në radhët e kuqezinjve dhe prej orës 14:00 udhëtoi drejt Italisë, për të luajtur në fazën play-off të Serisë B. Pescara, ku Memushaj mban edhe shiritin e kapitenit, do të ndeshet me Novaran në gjysmëfinalet e play off, ndërsa menjëherë pas sfidës kuqeziu pritet të rikthehet nën urdhërat e trajnerit De Biasi.

Kombëtarja e Shqipërisë do të nisë të plotësohet vetëm në fundin e muajit Maj. Fillimisht, janë dy lojtarë që militojnë në Zvicër, Frederik Veseli dhe Burim Kukeli ata që do ti bashkohen grupit. Të dielën pasdite, Lugano dhe Zurich luajnë finalen e Kupës së Zvicrës dhe menjëherë pas takimit dy lojtarët do të paraqiten në rezidencën në Bad Waltersdorf. I fundit që do t’i bashkohet kuqezinjve është Ergys Kaçe, me mesfushorin e PAOK-ut që do të jetë pranë ekipit më datë 30 Maj.

(Kosova Sot)