Mourinho: Ka diçka mistike dhe romantike në këtë skuadër

  • 28 May 2016 - 09:44
Mourinho: Ka diçka mistike dhe romantike në këtë skuadër

Strategu portugez më në fund prezantohet te “Djajtë e Kuq”

“Gjithnjë kam ndjerë një afërsi me ‘Old Trafford’-in dhe gjithnjë kam pasur raporte të mira me tifozët e Manchester United-it. Mezi po pres që të nis punën këtu dhe të ndjej mbështetjen e zjarrtë të tyre në vitet e ardhshme”, ishin fjalët e para të Jose Mourinho-s si trajner i “Djajve të Kuq”

E pret një punë e vështirë në krye të shtabit teknik të United-it

Pas sigurisë së shfaqur në mediet britanike, erdhi edhe konfirmimi zyrtar: Jose Mouirinho është trajneri i ri i Manchester United-it. Klubi anglez, nëpërmjet një komunikate për shtyp në faqen e tij të internetit, bëri të ditur nënshkrimin e një kontrate me trajnerin portugez deri në vitin 2019, me opsion për rinovimin e saj deri në vitin 2020, shkruan sot gazeta "Kosova Sot".

I trofeshëm

Jose Mourinho, 53 vjeç, drejton prej 10 vjetësh skuadra të nivelit të lartë në futbollin evropian. Që nga viti 2003 ai ka fituar në total 22 trofe, mes të cilave edhe 2 tituj kampionë Evrope me Porto-n dhe Inter-in. Vetë portugezi u shfaq entuziast për këtë kontratë të nënshkruar me Manchester United, drejtimin e të cilit ai e konsideron si një nder të madh. “Të jesh trajner i Manchester United-it është një nder i veçantë në botën e futbollit. Bëhet fjalë për një klub të njohur dhe të admiruar në mbarë botën. Ka diçka mistike dhe romantike në këtë skuadër, gjë që nuk e sheh te asnjë nga ekipet e tjera. Gjithnjë kam ndjerë një afërsi me ‘Old Trafford’-in dhe gjithnjë kam pasur raporte të mira me tifozët e United-it. Mezi po pres që të nis punën këtu dhe të ndjej mbështetjen e zjarrtë të tyre në vitet e ardhshme”, ishin fjalët e para të Mourinho-s si trajner i “Djajve të Kuq”.

Image

 

Çështjet që duhet t’i zgjidhë urgjentisht

Tashmë portugezin po e pret një punë e vështirë në krye të shtabit teknik të “Djajve të Kuq”. Mediet britanike kanë raportuar se Mourinho  duhet t’i zgjidhë 11 çështje te United-i për të pasur sukses në Ligën Premiere. Në mesin e tyre është mbajtja e portierit David de Gea, i cili flitet se do të kalojë gjatë verës te Real Madrid-i. Portugezi duhet t’i zgjidhë urgjentisht këto 11 çështje në “Old Trafford”:  1. Të mbajë në radhët e United-it, De Gea-n; 2. Të përforcojë qendrën e mbrojtjes; 3. Të gjejë një mbrojtës të krahut të djathtë; 4. Të flasë me Michael Carricku-n; 5. Të përcaktojë rolin e Wayne Rooney-t; 6. Të fuqizojë krahun e djathtë; 7. Të blejë një mesfushor organizator; 8. Të rritë besimin në dhomat e veshjes dhe të kenë vetëbesim; 9. T’u sigurojë më shumë kohë lojtarëve të njëjtë; 10. Të rimodelojë stilin e lojës; 11. Të definojë statusin e Ryan Giggs-it. 

(Kosova Sot)