S’ka Ligë të Kampionëve për ekipet kosovare

  • 28 May 2016 - 18:26
S’ka Ligë të Kampionëve për ekipet kosovare

Në Dublin të Irlandës sot po zhvillon punimet Asambleja e Përgjithshme e FIBA Evropës, në të cilën po marrin pjesë në cilësinë e delegatëve, kryetari i Federatës se Basketbollit të Kosovës (FBK), Erolld Belegu dhe anëtari i Bordit, Arben Fetahu.

Në këtë mbledhje të organit më të lartë të FIBA Evropës, në të cilën po shqyrtohen zhvillimet e fundit në basketbollin evropian dhe atë botëror, numri 1 i FBK-së, Erolld Belegu iu drejtua Asamblesë me kërkesë që edhe kampionët e Kosovës dhe 21 shteteve tjera me rangim më të ulët aktualisht në ranglistën e FIBA-s, të lejohen të garojnë në kualifikimet për Ligën e Kampionëve në basketboll për njërën nga 8 vendet kualifikuese për këtë ligë që nga edicioni i ardhshëm.

Ndërkaq kryetari i FIBA Evropës, Turgay Demirel dhe Drejtori Ekzekutiv, Kamil Novak, njoftuan Asamblenë se nuk ka qenë e mundur përfshirja e të gjitha federatave në Ligën e Kampionëve në basketboll që në edicionin e parë pas lansimit të tij këtë vit, por qe rezultatet dhe fitoret e shënuara nga ekipet e Kosovës në FIBA Europe Cup dhe nga kombëtaret e Kosovës nëpër gara zyrtare do t’i shërbejnë përmirësimit të rangimit të Kosovës dhe përfshirjes së ekipeve nga Kosova në këtë lige elitare.

FIBA Evropa edicionin e ardhshëm do të organizoje dy gara për klubet, Basketball Champions League dhe FIBA Europe Cup.

Punimet e Asamblesë së Përgjithshme po shfrytëzohen nga delegatët e FBK-së për takime dhe diskutime të frytshme me homologë nga federatat tjera evropiane dhe me udhëheqësit e familjes evropiane dhe botërore të basketbollit.

(Kosova Sot)