Kombëtarja “betohet” për heroizëm para armëve të Skënderbeut

  • 30 May 2016 - 21:08
Kombëtarja “betohet” për heroizëm para armëve të Skënderbeut

Kombëtarja shqiptare e futbollit ka vizituar sot Muzeumin e Arteve të Vjenës. Sipas FSHF-së, qëllimi i kësaj vizite ka qenë për të parë nga afër armët e Heroit Kombëtar të shqiptarëve, Gjergj Kastriot Skënderbeu. Përpara muzeumit ishin mbledhur disa dhjetëra tifozë dhe studentë shqiptarë. Ishin të pranishëm edhe ambasadori i Shqipërisë në Vjenë, Roland Bimo, konsulli i Republikës së Kosovës dhe drejtori i Muzeut të Arteve të Vjenës, që ju ka uruar kuqezinjve mirëseardhjen.

Pranë përkrenares dhe shpatës së Skënderbeut, presidenti i Federatës, Armand Duka, ka theksuar se, “jemi këtu për të dhënë një mesazh dhe për të marrë frymëzimin e duhur nga Heroi ynë Kombëtar”. “Ai ndër shekuj ka qenë një burim frymëzimi për të gjithë shqiptarët. Ne po shkojmë në Francë për të bërë më të mirën dhe për të arritur këtë duhet të luftojmë fort. Kjo do të jetë beteja juaj. Kjo do të jetë mundësia që edhe ju të jeni heronj për të gjithë shqiptarët që ju duan dhe ju ndjekin”, theksoi Duka.

Drejtuesit, stafi i Kombëtares dhe ekipi patën mundësi të shihnim nga afër armët dhe përkrenaren e Heroit Kombëtar, Gjergj Kastriot Skënderbeu, të cilat ishin të ekspozuara në Vjenë.

(Kosova Sot)