FSV Frankfurt largon Kapllanin

  • 02 July 2016 - 09:22
FSV Frankfurt largon Kapllanin

Përfundon pas 4 vjetësh aventura e futbollistit shqiptar  Edmond Kapllanit me FSV Frankfurt-in. Ish-sulmuesi i Kombëtares shqiptare ishte në përfundim të kontratës dhe me rrëzimin e FSV Frankfurt-it në Bundesliga-n e tretë drejtuesit e klubit gjerman nuk i ofruan rinovimin e kontratës 33-vjeçarit. Në këtë mënyrë Kapllani tashmë është një futbollist i lirë dhe duhet të gjejë një ekip të ri për të vazhduar karrierën, shkruan sot gazeta "Kosova Sot".

Lajmi për largimin e sulmuesit shqiptar nga FSV Frankfurti u publikua nga mediet gjermane. Këto të fundit kanë arritur t’i shkëputin edhe një intervistë të shkurtër, Kapllanit i cili është shfaqur shumë i zhgënjyer, pasi priste që drejtuesit e klubit tek i cili ai luante prej 4 vjetësh t’i ofronin zgjatjen e bashkëpunimit.

Në kontratën që Edmond Kapllani kishte me FSV Frankfurtin ekzistonte një klauzolë për rinovimin e saj me një tjetër edicion, por skuadra gjermane vendosi për të kundërtën. Fakti që drejtuesit e klubit rinovuan edhe për dy vite të tjera marrëveshjen me sulmuesin 35-vjeçar Mortiz Voltz, la edhe më tepër të zhgënjyer Kapllanin, me 33-vjeçarin që për mediet gjermane u shpreh se të gjithë vepruan pas shpinës së tij. Kapllani dëshironte të qëndronte ende te FSV Frankfurti, por diçka e tillë nuk do të jetë më e mundur. 

(Kosova Sot)