Si në UEFA, si pa UEFA, organizimi mbetet i njëjtë

  • 23 July 2016 - 09:55
Si në UEFA, si pa UEFA, organizimi mbetet i njëjtë

Klubet kosovare nuk ndryshojnë shumë edhe pas pranimit në arenën ndërkombëtare

“Është shumë e vërtetë, që edhe pse jemi pranuar në UEFA e FIFA, nuk po shohim shumë ndryshime në futbollin e Kosovës, pra organizimi është pothuaj i njëjtë. Janë disa klube që duken më të organizuara, por jo deri në atë masë sa kemi pritur, që do të jenë pas pranimit”, ka thënë Enis Zabërxha

Investimet nuk e kanë arritur ende nivelin e dëshiruar

Futbolli ynë vazhdimisht ka kërkuar daljen në arenën ndërkombëtare, derisa klubet tona gjithmonë akuzonin UEFA-n e FIFA-n, si fajtorët kryesorë që futbolli ynë nuk po mund të zhvillohet, pasi nuk i pranonin në këto dy institucione. Megjithatë, tash kur Federata e Futbollit e Kosovës u bë pjesë e UEFA-s e FIFA-s, gjërat në terren vazhdojnë të mos ndryshojnë shumë. Njohësit e futbollit nuk shohin shumë ndryshime në organizimin e klubeve nga ato që ishin para pranimit në arenën ndërkombëtare, çka vërtet është një sinjal shumë i keq për fillim. Gjithsesi, duhet thënë se janë disa klube që sivjet po mundohen të bëjnë më shumë, siç është Feronikeli, Besa e Prishtina, të cilat veçohen për nga investimet, por duhet thënë se këso lëvizje që kanë bërë sivjet këto tri skuadra, janë bërë edhe në vitet e kaluara, kështu që gara vendore mund të jetë interesante, por assesi nuk mund të themi se me këtë nivel mund të kemi suksese edhe në arenën ndërkombëtare. Ditë më parë, ish-trajneri i mirënjohur, Arsim Abazi, për gazetën tonë tha se qasja e klubeve duhet të ndryshojë, pasi garat ndërkombëtare janë të një niveli krejt tjetër, dhe se për t’u prezantuar si duam, duhet të përgatitet çdo detaj. Njëjtë mendon tash edhe futbollisti Enis Zabërxha, i cili e pranon se në këtë fillim nuk po vëren asnjë ndryshim në organizim nga ai që ishte para pranimit, shkruan sot gazeta Kosova Sot.

Organizimi jo në nivelin e pritur

“Është shumë e vërtetë që, edhe pse jemi pranuar në UEFA e FIFA, nuk po shohim shumë ndryshime në futbollin e Kosovës. Janë disa klube që duken më të organizuara, por jo deri në atë masë sa kemi pritur që do të jenë pas pranimit”, ka thënë Zabërxha, duke besuar se kjo qasje do të ndryshojë shpejt. “Shpresoj që me kalimin e kohës gjërat do të rregullohen dhe do të jetë më mirë edhe për lojtarë edhe për klube, pasi tash për tash nuk duhet të jemi të kënaqur”, ka thënë njëri nga futbollistët më të mirë në Kosovës, Enis Zabërxha, i cili edicionin e ri do ta veshë fanellën e Trepçës, skuadër kjo me shumë traditë në futbollin tonë. Është e kuptueshme që gjërat nuk mund të ndryshojnë brenda natës, dhe se duhet kohë për t’i parë përmirësimet, megjithatë, kështu siç është tash nuk duhet askush të jetë i kënaqur. Përveç investimeve, klubet tona dhe futbollistët në këtë kampionat do të përballen edhe me problemin e infrastrukturës, pasi asnjë stadium nuk i plotëson kriteret ndërkombëtare, dhe se për ta ngritur nivelin e futbollit rol jetik luan fusha, gjë e cila i mungon futbollit tonë. “Sa i përket infrastrukturës, do të jetë pothuaj e ngjashme me atë të viteve të kaluara. Unë po besoj shumë se para fillimit të kampionatit Komisioni i FFK-së për pranimin e fushave, do të marrë masa për licencimin e stadiumeve dhe kriteret do t’i ashpërsojnë në mënyrë që mos të luajmë në çfarë do fushe pasi kjo po ndikon direkt në imazhin e futbollit”, ka thënë sulmuesi vushtrrias.

Feronikeli, Besa e Prishtina, një hap para

Dy skuadrat shqiptare, Partizani i Tiranës dhe Shkëndija e Tetovës, sivjet po shkëlqejnë në garat evropiane. E para ka kaluar në raundin e tretë të Ligës së Kampionëve, derisa e dyta në atë të Ligës së Evropës. Vitin e ardhshëm edhe klubet tona do të luajnë në këto gara, dhe se a do të arrijnë rezultate të ngjashme si këto të Partizanit e Tiranës vështirë të besohet. “Është vështirë të kërkohen rezultate të tilla dhe normalisht se pa investime atje nuk mund të arrijmë. Mirëpo, besoj se ngadalë edhe ne do të jemi atje nëse punojmë profesionalisht. Në vitin e parë është e padrejtë nëse kërkojmë shumë, por shpresoj se klubet si Besa, Feronikeli e Prishtina do të arrijnë të organizohen mirë dhe të prekin atë nivel të klubeve shqiptare”, ka përfunduar Enis Zabërxha.

(Kosova Sot)