Ajeti i pakompromis te Torino

  • 23 July 2016 - 10:12
Ajeti i pakompromis te Torino

Mbrojtësi kuqezi, Arlind Ajeti, e ka nisur shumë mirë aventurën te skuadra e re Torino. Ai duket se do të jetë një titullar i padiskutueshëm te skuadra italiane, pasi në ndeshjet miqësore që po i zhvillon po tregohet një futbollist i pakompromis.

Mbrojtësi shqiptar, që u transferua vetëm pak javë më parë në radhët e skuadrës “Granata”, ka besimin e trajnerit Sinisa Mihajloviq, i cili tashmë e shikon si pjesë të formacionit të parë, edhe pse deri në fillim të edicionit mund të ndryshojnë shumë gjëra, shkruan sot gazeta Kosova Sot.

Lojtari kuqezi e nisi miqësoren kundër Casateserogoredos që nga minuta e parë në një formacion me 4 mbrojtës ku ai mbuloi pozicionin qendror.

Paraqitja e 23-vjeçarit u veçua si mjaft pozitive, pasi Ajeti ashtu si edhe shokët e tjerë të repartit të mbrojtjes mbyllën çdo hapësirë duke i ofruar siguri ekipit.

Ashtu si e gjithë pjesa tjetër e skuadrës, në fraksionin e dytë Ajeti u zëvendësua duke u lënë vendin zgjedhjeve të tjera të trajnerit, i cili kërkon të zgjidhë sa më shpejt dilemat në qendër të mbrojtjes.

(Kosova Sot)