Sadiku pa ofertë konkrete

  • 24 July 2016 - 09:22
Sadiku pa ofertë konkrete

Është folur shumë, por duket se asgjë konkrete nuk ka. Fjala është për sulmuesin kuqezi, Armando Sadikun, i cili për momentin nuk do të lëvizë nga Zurich-u. Pavarësisht interesimit të shumë klubeve për sulmuesin e kombëtares shqiptare, ofertat konkrete mungojnë derisa të hënën, 25-vjeçari pritet të zbresë rregullisht në fushë me skuadrën e trajnerit Uli Forte në sfidën e javës së parë të kategorisë së dytë zvicerane, me Zurich-un që do të ketë përballë Winterthur.

Së fundmi është folur për një kalim të mundshëm të Sadikut te Galatasaray, por shuma e lartë që varion nga 7,5 deri në 9,5 milionë euro që kërkon presidenti i Zurich-u, Ancillo Canepa për ta lënë të lirë lojtarin ka frenuar drejtuesit e Galatasaray-it të bëjnë një ofertë konkrete për autorin e golit të vetëm të Shqipërisë në "Euro 2016".

Një nga drejtuesit e Zurich-ut, Thomas Bickels, edhe pse nuk i mbylli dyert largimit të Sadikut në një intervistë për mediet zvicerane bëri me dije se aktualisht oferta konkrete për lojtarin nuk ka dhe ai do të luajë në javën e parë të Challenge League. "Nëse do të ketë ofertë ne do të gjejmë një zgjidhje për të gjitha skuadrat e interesuara për lojtarin", ka thënë Bickels. Mbetet për t'u parë se çfarë do të ndodhë me të ardhmen e sulmuesit shqiptar, për momentin e vetmja gjë që mund të thuhet se Sadiku do të luajë me Zurich-un në ndeshjen e parë kampionale.

(Kosova Sot)