Kriza e Milan-it, lojtarët mbeten pa uniformë

  • 24 July 2016 - 18:24
Kriza e Milan-it, lojtarët mbeten pa uniformë

Milan ndodhet në Amerikë për të marrë pjesë në turneun e International Champions Cup. Por skuadra e Montella-s, siç dihet, nuk po kalon një moment aspak të lehtë.

Duke filluar që nga merkato, e bllokuar nga Carlos Bacca, i cili ka refuzuar transferimin te West Ham, në pritje të një oferte më të mirë. Situatë që është përkeqësuar edhe nga shtyrja e nënshkrimit të kontratës paraprake për shitjen e klubit te grupi kinez, firmë që duhet të sjellë para të freskëta në arkat e klubit, në mënyrë që skuadra të përforcohet në merkato. Duhet një mesfushor (Sosa, Zielinski) dhe një mbrojtës qendror (Musacchio ose Caceres), operacione këto që mund të dështojnë pikërisht për shkak të mungesës së fondeve.

Sikur të mos mjaftonin këto, ka ardhur edhe çështja e veshjeve zyrtare të lojtarëve për të përkeqësuar gjithçka. Siç ka bërë të ditur “Tuttosport”, pas skadencës së kontratës me Dolce&Gabbana, nuk është gjetur akoma marrëveshja me Armani-n, kështu që Bertolacci me shokë kanë qenë të detyruar të shkojnë në Amerikë pa veshjet zyrtare, por duke marrë veshjet personale

(Kosova Sot)