Zyrih, Sadiku e nis sezonin me gol

  • 26 July 2016 - 14:20
Zyrih, Sadiku e nis sezonin me gol

Armando Sadiku e nis me gol sezonin e ri. Sulmuesi i Kombëtares Shqiptare, ende në pritje për të mësuar të ardhmen e tij, nuk di të ndalet. Ai ka realizuar golin e parë në ndeshjen e javës së parë në Challenge League ku Zyrihu mundi me rezultatin 2-0 skuadrën e Winterthur. Heroi kuqezi që shënoi rrjetën e vetme në Euro 2016 për skuadrën e Gianni De Biasit, vulosi suksesin e ekipit të Zyrihut me një gol të shënuar në minutën e 83, vetëm një minutë përpara daljes nga fusha e lojës.

Edhe pse arriti të siguronte tre pikë me shumë vlerë për skuadrën e tij, sulmuesi shqiptar nuk festoi pas golit. Aktualisht Sadiku mbetet pjesë e skuadrës së Zyrihut që zotëron kartonin e tij. Në pjesën e dytë të sezonit të kaluar ai u aktivizua me Vaduzin, duke e ndihmuar me golat e tij në arritjen e objektivit për qëndrimin në Kategorinë e Parë. Aktualisht, ai është pjesë e Zyrihut por nuk përjashtohet mundësia që deri në fund të merkatos të gjejë një destinacion të ri. Gjatë ditëve të fundit, interes për të ka shfaqur skuadra turke e Galatasaray.

(Kosova Sot)