MKRS investon në stadiumin e Malishevës

  • 27 July 2016 - 12:07
MKRS investon në stadiumin e Malishevës

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, ka nënshkruar sot një memorandum bashkëpunimi me Komunën e Malishevës, i cili parasheh mbështetjen financiare për “Renovimin e Stadiumit të futbollit në Malishevë”, në vlerë prej 400 mijë euro, njofton kumtesa nga MKRS, transmeton gazeta Kosova Sot Online.

Sipas kumtesës, MKRS ja investon mjete financiare prej 310 mijë eurosh, për vitin 2016 dhe 2017, ndërsa Komuna e Malishevës, merr përsipër të investojë mjetet në vlerë prej 90 mijë eurosh, në këtë periudhë dyvjeçare.

Ministri Kujtim Shala me këtë rast u shpreh se memorandumi që është nënshkruar sot mundëson realizimin një investimi kapital të një rëndësie të veçantë sepse krijon një hapësirë cilësore dhe të standardizuar për futbollistët e Malishevës. Renovimi i stadiumit është një parakusht për ta, në zhvillimin e garave dhe në përmirësimin e cilësisë së futbollit në këtë komunë. Ministri tha se investimet në komunën e Malishevës nuk përfundojnë me kaq.

Kryetari i Komunës së Malishevës, Ragip Begaj, e falënderoi ministrin Shala për bashkëpunimin e ngushtë dhe ndihmën që ofron për Komunën e Malishevës.

(Kosova Sot)