Dimë të kritikojmë, por jo edhe të punojmë

  • 26 September 2016 - 09:16
Dimë të kritikojmë, por jo edhe të punojmë

Kosova detyrohet të natyralizojë të huaj për ta ruajtur portën

Vendimi i përzgjedhësit Albert Bunjaki për ta ftuar një portier boshnjak në Përfaqësuese u kritikua shumë nga trajnerët kosovarë, e në fakt do të duhet të ndodhte ndryshe. Trajnerët të vetëkritikohen, pasi këtu puna e portierit neglizhohet maksimalisht. "Në profesionalizëm dy trajnerë punojnë me një portier, tek ne katër portierë nuk e kanë një trajner profesional", ka thënë Valmir Byrtyçi

Përzgjedhësi i Kosovës në futboll, Albert Bunjaki, ka kohë që ka shprehur shqetësimin e tij se futbollit shqiptar i mungojnë portierët e nivelit të lartë, dhe se në këtë aspekt do të kenë probleme të mëdha. Ai sikur ishte i detyruar të kërkojë të huaj për t'ia besuar këtë pozitë delikate. Boshnjaku Adis Nurkovic shumë shpejt mund të bëhet gardian i Kosovës, vendim ky i cili nga trajnerët kosovarë u kritikua shumë e në fakt do të duhej të ndodhte e kundërta. Trajnerët duhet të vetëkritikohen që nuk po punojnë aspak me kategoritë e reja në këtë aspekt. Klubet kosovare është e qartë që po përballen me probleme financiare dhe nuk e kanë luksin të investojnë shumë në trajnerë të portierëve, por assesi nuk arsyetohet puna që bëjnë momentalisht, pasi ka klube që punën e trajnerit të portierëve e kryejnë trajnerët që nuk e kanë profesion këtë lëmi. Portieri i mirënjohur kosovar, Valmir Bytyçi, është shumë i shqetësuar me punën që bëhet në këtë kategori, madje sipas tij nëse vazhdohet me këtë ritëm në të ardhmen do të kemi probleme edhe më të mëdha sa i përket portës. Jemi dëshmitar që në Evropë, kohëve të fundit po lulëzojnë talentet tanë. Mirëpo, si portier nuk kemi pothuaj asnjë. Emrat e vetëm të njohur që po bëjnë karrierë në Evropë tash për tash, janë Etrit Berisha e Samir Ujkani, dhe se zëvendësimet e tyre për momentin është shumë problem të gjinden, shkruan gazeta Kosova Sot.

Strategjia e gabuar

Strategjia e klubeve kosovare totalisht është e gabuar. Sigurisht që në këtë po ndikon stabiliteti jo i mirë financiar, të cilët në tentim të kursimit e ngushtojnë aq shumë rrethin sa një njeri duhet të kryej 3-4 punë në klub. "Puna me grupmoshat e reja tek portierët te ne fatkeqësisht është shumë e neglizhuar. Në shumicën e shkollave të futbollit nuk kanë trajner të portierëve ku do të ishte e domosdoshme për t'i marr hapat e parë e që janë më të rëndë- sishmit për zhvillimin e një portieri", ka thënë Bytyçi, sipas të cilit klubet e dinë që kështu nuk funksionon, por kjo vjen si rezultat i krizës financiare dhe për të mos shpenzuar për ta marrë një trajnerë për 4 ose 5 portierë, ata këtë punë ua ngarkojnë të tjerëve.

Portieri nuk vlerësohet

Përveç kursimeve, gardiani pejan një arsye tjetër që në Kosovë nuk punohet me portier e sheh edhe të mosvlerësimi si duhet i kësaj kategorie e që në fakt në lojën e futbollit, roli i portierit është tejet i rëndë- sishëm dhe jo më kotë në Evropë cilësohet se kur ke një portier të mirë në portë, shpina e lojtarëve është e sigurt. "Edhe në ato klube që punohet më portier, ajo punë duhet të avancohet në raport me futbollin, pasi në shumicën punohet me metoda të vjetra. Përfundimisht duhet të ndërrohet qasja e punës me portier. Në profesionalizëm dy trajnerë punojnë me një portier, ndërsa te ne, katër portierë nuk kanë një trajner profesional", ka thënë Byrtyçi. "Se pse ndodh kjo ndoshta është kriza financiare, por mendoj se edhe nuk vlerësohet sa duhet roli i portierit tek ne, sidomos shkollat private mendoj që çalojnë në këtë drejtim. Ka raste kur një fëmijë është portier 4 vite dhe nuk ka ushtruar asnjëherë punë të veçantë me portierë, por vazhdimisht punon me skuadër", ka thënë Bytyçi, duke bërë me dije kështu se e ardhmja tek ne nëse nuk ndryshojë qasja e punës mund të sjellë vështirësi.

(Kosova Sot)