Kosova nuk i frikësohet askujt

  • 28 September 2016 - 08:50
Kosova nuk i frikësohet askujt

Bunjaki e ka të qartë çka duhet të bëjë ndaj kroatëve

"Është një lojë e vështirë për ne, por presioni do të jetë tek Kombëtarja e Kroacisë. Paramendojeni çfarë reagimesh do të ketë nëse ata dështojnë, kështu që ne jemi të qetë dhe, pavarësisht kundërshtarit të fortë, do të kërkojmë rezultat pozitiv", ka thënë përzgjedhësi Albert Bunjaki
Ndeshja e madhe e Kosovës po afrohet, e bashkë me të emocionet po rriten maksimalisht. Përzgjedhësi, Albert Bunjaki, edhe pse thotë se është i qetë, gjithsesi ai për një javë të plotë, sa ka mbetur deri në zhvillimin e ndeshjes, nuk do të mund të bëjë gjumë të rehatshëm. Problemet e fundit që e përcollën Kosovën, përkatësisht futbollistët e saj, me lëndime, nuk patën si mos të sjellin kokëdhimbje për Bunjakin, megjithatë me afrimin e ditës së ndeshjes gjërat po qartësohen dhe lajmet e mirë vetëm sa po shtohen. Futbollisti më në formë, Arbër Zeneli, pritet të marrë ditën e gjelbër për këtë sfidë, derisa edhe lëndimi i Milot Rashicës në vikend nuk doli të jetë serioz, kështu që edhe ai pritet të jetë në dispozicion të Bunjakit, shkruan gazeta Kosova Sot.

Këto lajme shpirtërisht e kanë qetë- suar përzgjedhësin tonë, derisa ai e pranon se emocionet po rritën, por që nuk kanë presion, madje presioni sipas tij është te Kroacia. "Kosova është e papërvojë dhe sigurisht në të ardhmen do të rritet, por që për momentin nuk ka shanse të fitojë ndaj nesh", ishte deklarata e dalë nga tabori kroat, megjithatë, sipas njohëse të futbollit këto fjalë dëshmojnë se presioni te ta po rritet dhe përmes "lojës së deklaratave" po mundohen të marrin poenë."Është një lojë e vështirë për ne, por presioni do të jetë tek Kombëtarja e Kroacisë. Paramendojeni çfarë reagimesh do të ketë nëse ata dështojnë", ka thënë Bunjaki, duke mos dashur shumë t'i komentojë deklaratat e kroatëve. Kosova më 2 tetor do të grumbullohet, ndërsa stërvitjet i zhvillon në stadiumin e Feronikelit në Drenas

Presioni te kroatët

Sipas numrit një në bankinën e Kosovës, Albert Bunjaki, gjendja në taborin e Kosovës është shumë më e mirë sesa ajo që ishte në ndeshjen e parë ndaj Finlandës. Pa dyshim ai takim i mbajti nën ankth deri disa orë pa filluar ndeshja për shkak të lejes së UEFA-s për disa lojtarë. Tash gjërat duken më të qarta."Në aspektin administrativ gjendja është më e mirë sesa nga ajo e ndeshjes së parë. Gjërat tash janë nën kontroll, por sigurisht që emocionet para ndeshjes rriten. Është një ndjenjë shumë e mirë dhe ne jemi të përqendruar maksimalisht në detyrat që duhet t'i bëjmë", ka thënë Bunjaki, duke i analizuar më pas edhe deklaratat e taborit kroat, e që sipas tij ato janë normale. "Ne e kemi shumë të qartë çka duhet të bëjmë për këtë ndeshje. Sa u përket deklaratave të kundërshtarit është normale të flasin ashtu, presioni është tek ata, pasi në rast rezultati pozitiv tonin paramendojeni çfarë reagimesh do të ketë. Në futboll gjithçka është e mundur dhe ne, pavarësisht se kemi një kundërshtar tejet të fortë, do të kërkojmë rezultat pozitiv. Duhet të japim 120 për qind nga vetja dhe përveç kësaj duhet të lutemi që edhe Kroacia mos të jetë në ditën e saj", ka thënë Albert Bunjaki.

Situata po normalizohet

Përzgjedhësi i Përfaqësueses së Kosovës, Albert Bunjaki, kishte marrë një lajm të hidhur të dielën, kur ylli i skuadrës, Milot Rashica, u desh ta lëshojë fushën në minutën e 29-të, për shkak të lëndimit. Mediet në Holandë raportuan se ai mund të mungojë 2 javë, çka nënkuptonte se i mungon Kosovës në ndeshje me Kroacinë. Mirëpo, tashmë është sqaruar gjithçka dhe se Bunjaki do ta ketë në dispozicion edhe atë. "Kam kontaktuar me Rashicën dhe ai pritet të luajë këtë vikend me ekipin e tij, Vitesse, çka nënkupton se lëndimi nuk është serioz. Tashmë mungesa të konfirmuara janë Loret Sadiku, Benjamin Kololli, Elbasan Rashani e Ertor Zejnullahu, për shkak të lëndimeve, ndërsa jemi në pritje të Enis Alushit, i cili në vikend do t'i ketë kontrollet mjekësore për të mësuar sigurt situatën e tij", ka thënë Albert Bunjaki, i cili përveç këtyre është në pritje edhe të vendimit të UEFA-s për Arbër Zenelin, Adis Nurkoviq, Besart Berishën dhe Atdhe Nuhiun. Për dy të parët gjasat janë të mëdha të luajnë më 6 tetor, ndërsa Berisha e Nuhiu duket se duhet të presin edhe pak.

(Kosova Sot)