Joprofesionalizmi dëmton atletët

  • 01 October 2016 - 08:24
Joprofesionalizmi dëmton atletët

Neglizhenca e punëkryesve iu kushton atletëve

Lëndimi i atletëve në stadiumin "Adem Jashari" vazhdon të jetë një temë e 'nxehtë'. Atletët janë shprehur shumë të zhgënjyer me shtegun, që është lënë me gropa, madje ka shumë mangësi të tjera. Kryetari i Federatës së Atletikës të Kosovës, Halil Sylejmani është shprehur se dikush duhet të japë përgjegjësi për atë që ndodhi. Ai ka theksuar se punëkryesi i punimeve është dashur të jetë më profesional, kurse nuk do të garohet më në këtë shteg, shkruan gazeta Kosova Sot.

Infrastruktura mbetet njëra nga pikat më të dobëta në sportin kosovar. Me këtë problem ballafaqohen pothuajse tërë sportistët. Shtegu i atletikës në stadiumin "Adem Jashari" është dashur të rinovohet, por pas rinovimit ka ndodhur skandali. Atletja më e mirë në vend, Vijona Kryeziu u lëndua gjatë garës. Ajo dhe trajneri i saj, Zijadin Kryeziu akuzuan Ministrinë e Sportit, se kompania fituese e tenderit nuk i ka kryer punët ashtu siç duhet. Por, edhe Federata Atletike e Kosovës është dashur të jetë më e kujdesshme, pasi sportistët nuk kanë marrë ndihmën mjekësore pas lëndimit.

Dikush duhet të japë përgjegjësi

I pari i atletikës kosovare, Halil Sylejmani është shprehur se dikush duhet të japë përgjegjësi. "Shtegu në Mitrovicë vërtet ka shumë mangësi. Mund të vërehet edhe me sy se ka shumë mangësi. Edhe me dorë mund të hiqet tartani, pasi nuk kanë qitur mjaftueshëm. Sigurisht se dikush është fajtor për këtë gjendje. Kompania kontraktuese është dashur të jetë më profesionale dhe më e vëmendshme, që diçka e tillë të mos ndodhë. Këshilli Profesional i Federatës së Atletikës të Kosovës i ka vërejtur mangësitë në këtë shteg, dhe ka konstatuar se nuk i plotëson kushtet për garat ndërkombëtare, megjithatë, mund të zhvillohet ndonjë garë vendore, kohë pas kohe. Por, shtegu duhet të prishet menjëherë dhe të rinovohet përsëri. Nuk ka shumë punë. Për 3-7 ditë mund të rregullohet", është shprehur Sylejmani për "Kosova Sot". Vijona pësoi disa lëndime trupore. Ajo mori pjesë edhe në Olimpiadën e Rios, derisa shihet me potencial të madh për të ardhmen.

Mosnjohje e punës

Sylejmani shton më tutje se neglizhenca e kompanisë fituese të tenderit iu ka kushtuar atletëve. "Mund të ketë qenë mosnjohje e punës ose joprofesionalizëm. Ndoshta mund të ketë edhe kursim të mjeteve pse ka ndodhur ajo, ose diçka tjetër, por është dashur që të rinovohet ashtu siç duhet. Ne kemi pasur edhe vërejtje nga ndërkombëtarët dhe nuk do të zhvillojmë asnjë garë më në këtë shteg derisa të rregullohet. Por, ne kemi mbajtur kampionatin në Mitrovicë, pasi nuk kemi shtigje të tjera të atletikës. Të gjithë e dinë se me çfarë probleme ballafaqohemi ne", shtoi kryetari i Federatës së Atletikës të Kosovës. Megjithatë, e tërë situata e krijuar rreth kësaj çështje nuk është aq tragjike për të parin e atletikës në Kosovë. "Nuk është edhe aq tragjike sa është pasqyruar. Lëndimet janë për shkak të kushteve të këqija, por edhe për çështje të tjera. Ne më herët kemi garuar në asfalte dhe shtigje shumë më të këqija. Megjithatë, ne kemi kontakte të vazhdueshme me Ministrinë e Sportit, përkatësisht, Departamentin e Sportit dhe jemi duke kërkuar zgjidhje. Vitin e ardhshëm do të organizojmë edhe Maratonën Ballkanike, ku duhet të përgatitemi shumë mirë dhe duhet të jemi të gatshëm për këtë garë, pasi na pret një punë e madhe", përfundoi Halil Sylejmani. 

(Kosova Sot)