Nëse e ka mbështetjen e duhur, do ta arrijë majën në sport

  • 01 October 2016 - 08:26
Nëse e ka mbështetjen e duhur, do ta arrijë majën në sport

DONJETA SADIKU KA POTENCIAL PËR TË FITUAR MEDALJE OLIMPIKE

Kampione e Evropës dhe nënkampione e botës për juniore

Donjeta Sadiku ka potencial për të fituar medalje në Lojërat Olimpike që do të mbahen pas katër vjetësh në Tokio. Dhe, ky është një fakt i gjallë. Megjithatë, nuk mjafton vetëm potenciali që të arrish majën në sport. Dhe, ky është një fakt tjetër, pasi për të arritur nivelin që kërkohet dhe pritet nga boksierja 17- vjeçare duhet shumë sakrificë nga ajo, gjë të cilën Donjeta tashmë e ka dëshmuar se është e gatshme ta bëjë, por ajo duhet të ketë edhe përkrahje të lartë të nivelit shtetëror në aspektin financiar, në mënyrë që pas katër vjetësh t'ia sjellë Kosovës medaljen e dytë olimpike, pas asaj të xhudistes Majlinda Kelmendi të fituar këtë verë në Olimpiadën e Rios. Donjeta së fundi është shpallur kampione e Evropës në kategorinë e junioreve, derisa vitin e kaluar është shpallur nënkampione e botës për juniore, shkruan gazeta Kosova Sot.

Medalja olimpike kërkon përgatitje të nivelit të lartë

Trajneri dhe njeriu që e dha maksimumin që Donjeta Sadiku të arrijë këtu ku është sot, Besim Brahimi beson se boksierja e tij ka potencial për të fituar medalje olimpike. Por, ai ka shtuar se për të arritur këtë sukses të madh, Donjeta duhet të përgatitet në nivel të lartë dhe kjo nënkupton se duhet të ketë mbështetje të madhe financiare nga institucionet e vendit dhe nga sponsorët. "Gjatë kësaj periudhe katërvjeçare, Donjeta duhet të zhvillojë përgatitje shumë të fortë me sparingpartnerë shumë të fortë,si dhe duhet të marrë pjesë, përveç Kampionateve Evropiane dhe Botërore, edhe në turnetë e tjerë të fortë. Për të realizuar gjithë këtë program, ajo duhet të marrë mbështetjen e duhur financiare nga shteti, e mos të na ndodhë kjo që na ndodhi në Kampionatin Evropian në Turqi për juniore, ku ne shkuam me para të huazuara, pasi shteti nuk kishte. Zyrtarët e institucioneve na thanë të shkojmë dhe më pas do të na transferojnë të hollat. Ashtu edhe kemi vepruar, por kjo gjë duhet të marrë fund, sepse Donjeta e ka dëshmuar se meriton më shumë përkujdes", ka deklaruar Brahimi.

Duhet plotësuar kushtet për të arritur suksesin kulmor

Në anën tjetër, legjenda e boksit kosovar, Mehmet Bogujevci është i bindur se Donjeta Sadiku pas katër vjetësh do të na sjellë medalje. "Donjeta është duke shkuar hapave të xhudistes Majlinda Kelmendi. E vërtetë është se suksesi i Majlindës vështirë se do të përsëritet, bashkë me emocionet që na solli ajo pas triumfit në Olimpiadë. Mirëpo, me punë dhe angazhim dhe me përkushtim të institucioneve tona, unë besoj se Donjeta do të arrijë që në Tokio të fitojë medalje. Ajo tashmë e ka dëshmuar se dëshiron të arrijë majën, ndërsa tani i mbetet vetëm shtetit që t'ia plotësojë kushtet në mënyrë që të arrijë suksesin kulmor", ka theksuar Bogujevci.

(Kosova Sot)