Rinovimet po vazhdojnë!

  • 21 October 2016 - 09:02
Rinovimet po vazhdojnë!

17 vjet pas luftës, Kosova ende nuk ka një stadium që i plotëson të gjitha kriteret ndërkombëtare. Në stadiumin e Mitrovicës, Përfaqësuesja e Kosovës në futboll ka zhvilluar disa ndeshje ndërkombëtare, por më pas ky stadium ka pësuar dëme dhe është dashur të rinovohet, sidomos në shtegun e atletikës. Ky shteg është rinovuar dy herë, por punimet nuk janë kryer ashtu siç duhet. Madje, shtegu është lënë gungagunga dhe sportistët janë lënduar gjatë garave. Kështu pësoi edhe atletja më e mirë kosovare, Vijona Kryeziu. Edhe punimet në stadiumin e Prishtinës po vazhdojnë, derisa drejtori i Departamentit të Sportit të Kosovës, Ibër Alaj shprehet se punimet do të përfundojnë brena afatit të caktuar,shkruan gazeta Kosova Sot.

Raport UEFA-s, edhe për stadiumin e Mitrovicës

Alaj ka thënë se edhe për stadiumin në Mitrovicë planin duhet t'ia dorëzojnë UEFA-s. "Ne duhet që raportin t'ia paraqesim edhe UEFA-s për stadiumin në Mitrovicë. Ne jemi duke e përgatitur atë që kemi pasur plan. Pra, edhe për shtegun e atletikës në Mitrovicë, raportin duhet t'ia dorë- zojmë UEFA-s. Nuk besoj se do të jetë problem që të jetë edhe shtegu i atletikës në stadiumin e Mitrovicës. Edhe pse kemi marrë rekomandime nga UEFA që mos t'i përziejmë këto dy sporte, nuk do të jetë problem, duke marrë parasysh kushtet në Kosovë. Tashmë shohim që stadiumet e reja që po ndërtohen janë pa shtigje të atletikës, por në bazë të kushteve tona nuk do të jetë problem. Pra, janë vetëm çështje të procedurave. Ne duhet t'ia dorëzojmë planin UEFA-s dhe më pas t'i presim rekomandimet e tyre", deklaroi Alaj për 'Kosova Sot'. Por, në tërë këtë situatë të krijuar kanë pësuar më së shumti sportistët. Kryetari i Federatës Atletike, Halil Sylejmani ishte shprehur se dikujt po i konvenon kjo situatë. "Ne po pësojmë 'sherri' i të tjerëve. Këto punime është dashur të përfundojnë shumë më herët, kurse ne tashmë jemi duke pësuar. Ndoshta edhe dikush po përfiton në gjithë këtë situatë të krijuar. Ndoshta edhe dikujt po iu konvenon kjo situatë. Ne jemi në një pozitë shumë të keqe, dhe po pësojmë faji i të tjerëve. Kjo që po ndodh është tmerruese. Ne ende nuk kemi shtigje të atletikës që i plotë- sojnë standardet evropiane", theksoi Sylejmani.

Ndeshjen e parë si vendas ndaj Finlandës 

Ndërkohë, punimet janë duke vazhduar edhe në stadiumin e Prishtinës. Punimet në këtë stadium duhet të përfundojnë deri në qershor-korrik të vitit të ardhshëm, por kjo ka pak gjasa të ndodhë, duke marrë parasysh edhe vërejtjet që kanë marrë nga ana e zyrtarëve të UEFA-s. "Ne jemi duke i plotësuar kushtet që i kanë kërkuar zyrtarët e UEFA-s dhe punimet janë duke vazhduar në bazë të planit. Jemi brenda afatit kohor dhe besoj se do të jetë i gatshëm deri në muajin gusht të vitit të ardhshëm, në mënyrë që të jemi të gatshëm për ndeshjen e 5 shtatorit ndaj Finlandës. Pra, jemi brenda afatit kohor dhe jam optimist se punimet do të përfundojnë brenda kohës së caktuar", shtoi tutje Alaj. Projekti për stadiumin e Prishtinës kushton rreth 3.8 milionë euro, që financohet nga Ministria e Sportit dhe Komuna e Prishtinës. Skuadra e Prishtinës në futboll takimet si vendas i zhvillon në Kastriot, derisa shpresa e tyre është që në edicionin e ri të jenë në stadiumin e tyre dhe të rikthehen në fole. 


(Kosova Sot)