Prishtina sheh dritë në fund të tunelit!

  • 28 October 2016 - 08:42
Prishtina sheh dritë në fund të tunelit!

Sigal Prishtina duket se e ka parë dritën në fund të tunelit. Dhe kjo dritë e mban emrin e Drilon Hajrizit. Ky i fundit, ndonëse ishte transferuar te Prishtina në fillim të muajit shtator, asnjëherë nuk u paraqit me fanellën bardhekaltër, për shkak se një gjë të tillë nuk e lejuan tifozët "Plisat", të cilët ishin kundër tij për shkak të "armiqësive" që datojnë që nga koha kur Hajrizi i mbronte ngjyrat e Trepçës,shkruan gazeta Kosova Sot.
 Prishtina në edicionin e ri në të gjitha garat ku merr pjesë ka bilanc negativ, 5 humbje e 1 fitore. Por, tani, me lejen e "Plisave", Hajrizi do të inkuadrohet në skuadër dhe pa dyshim se gjërat do të ndryshojnë pozitivisht për bardhekaltrit.

Pa "Plisa" nuk ka festë

"Pas disa veprimeve të pamatura mirë të disa individëve brenda Bordit dhe kryesisë tonë, Sigal Prishtina e ka filluar këtë edicion me disa probleme e mbi të gjitha me rezultate jo të mira. Me qëllim që të tejkalohet kjo situatë, ne kemi kërkuar zgjidhje dhe konsiderojmë se e njëjta është arritur me mirëkuptimin e qytetarëve dhe tifozëve tanë. Ne falënderojmë 'Plisat' që edhe pas gabimeve tona gjeten forcën dhe kurajën të na falin ato dhe për hir të mbarëvajtjes së këtij kampionati dhe zgjidhjes së lëmshit të krijuar, ofruan zgjidhje duke e lejuar Drilon Hajrizin që të luajë për klubin tonë. Se Prishtina është një familje e madhe dhe se 'Plisat' gjithmonë janë treguar të gatshëm të sakrifikohen për të, e dëshmon edhe kjo gatishmëri e tyre që të ndihmojnë klubin në këto momente jo të mira me të cilat po përballemi. Jemi të vetëdijshëm që këtë vendim të vështirë, 'Plisat' e kanë marrë, duke u udhëhequr nga dashuria për klubin, prandaj përgjegjësinë për gabimin dhe situatën e krijuar e ka marrë klubi dhe individët brenda tij. Faleminderit Plisa, faleminderit qytetarë të Prishtinës", ka qenë komunikata e Sigal Prishtinës, e lëshuar dje në opinion, ku menjëherë pas saj ka ardhur komunikata e Drilon Hajrizit në të cilën ai ka shkruar: "Të nderuar qytetarë të Prishtinës, të nderuar 'Plisa', unë dhe gjithsecili lojtar profesionist vendor pretendon që të jetë pjesë e klubit më të madh në Kosovë, Prishtinës, sepse aty është mundësia që basketbollisti të ngrihet edhe më shumë në kuptimin profesional. Andaj, për çdo gjest nën afektin e lojës që do të mund ta ketë lënduar ndokënd sinqerisht shpreh keqardhje, aq më tepër keqardhje shpreh ndaj atyre që i japin hijeshi basketbollit. Të jeni të bindur që asnjëherë nuk kam bërë ndonjë gjest për ta lënduar dikë, mirëpo thjesht kam qenë nën afektin e lojës të cilin e ushtroj me zemër. Unë, sikur të gjithë ju, e dua shumë vendin tim. E dua vendlindjen time, e dua shtetin tim dhe i dua shqiptarët kudo që janë! Unë jam shqiptar dhe mburrem që jam shqiptar! Ne si popull gjithmonë jemi shquar që bëjmë shumë për njëri-tjetrin, dhe njëri tjetrit ia japim besën për këtë! Edhe unë ua jap besën që do të japë gjithç- ka nga vetja për ngjyrat e klubit".

(Kosova Sot)