FFK reagon pas shortit të Ligës së Kampionëve dhe Ligës së Evropës

  • 19 June 2017 - 16:19
FFK reagon pas shortit të Ligës së Kampionëve dhe Ligës së Evropës

Federata e Futbollit të Kosovës ka reaguar përmes një njoftimi për shtyp, pas shortit të Ligës së Kampionëve dhe Trepçës ’89.

“Skuadra kampione e Kosovës, Trepça’89 dhe ajo nën-kampione, Prishtina, kanë mësuar sot kundërshtarët e tyre në debutimin historik në garat evropiane, përkatësisht në Ligën e Kampionëve dhe Ligën e Evropës”, thuhet fillimisht në njoftimin e FFK-së.

“Shorti i hedhur sot në mesditë në selinë e UEFA-s në Nion, e ka vendosur Trepçën’89 përballë skuadrës kampione të Ishujve Faroe, Vikingur, në rrethin e parë para-eliminator të Ligës së Kampionëve”.

“Ndeshjen e parë mitrovicasit do ta luajnë si mysafirë, më 27 ose 28 qershor, derisa atë të kthimit më 4 ose 5 korrik në stadiumin “Adem Jashari” në Mitrovicë. Në rast arrin ta kalojë këtë kundërshtar, atëherë në rrethin e dytë kampioni i Kosovës do të ballafaqohet me skuadrën islandeze, Hafnarfjordur”.

“Ndërkohë, Prishtina në rrethin e parë të Ligës së Evropës do të ballafaqohet me skuadrën IFK Norrkoping, 13 herë kampione e Suedisë dhe e cila aktualisht renditet e dyta në kampionatin suedez, pas 13 javëve të zhvilluara me pikë të barabarta me Malmon, që zë pozitën e parë. Ndeshjen e parë Prishtina do ta zhvillojë si mysafire më 29 qershor, derisa atë të kthimit më 6 korrik në stadiumin “Adem Jashari” në Mitrovicë”.

(Kosova Sot)