Tifozët s'e duan kryesinë, Prishtina me telashe

  • 26 July 2017 - 09:31
Tifozët s'e duan kryesinë, Prishtina me telashe

PRISHTINA, NË KËRKIM TË RIKTHIMIT TË TITUJVE

"Bardhekaltrit" po investojnë shumë, por gjërat nuk duken edhe aq mirë

"Shumë njerëz, që e duan Prishtinën, më kanë kontaktuar dhe kanë kërkuar që të organizohemi maksimalisht këtë edicion. Këta njerëz që janë në krye të Prishtinës po e shkatërrojnë klubit dhe ne nuk do ta lejojmë. T'ju kujtojë finalen e Kupës me Dritën, kur tifozët i vërshëllyen kryesisë, tash do të jetë edhe më keq për ta", ka thënë për gazetën "Kosova Sot" kryetari i "Plisave", Albert Kastrati

Humbja e titullit, humbja e kupës, humbja e talenteve si dhe turpërimi në Evropë, duket se ka ndikuar shumë keq te adhuruesit e skuadrës më të madhe në vend, Prishtinës, e cila tashmë në maksimum i ka acaruar marrëdhëniet me tifozët e saj "Plisat". Këta të fundit, përmes gazetës "Kosova Sot", kanë bërë me dije se nuk do të jenë kurrë mbrapa kësaj kryesie dhe derisa ata të udhëheqin klubit, mbështetja e tyre do të mungojë. Gjithsesi, tifozët kanë sqaruar se kjo vlen vetëm për kryesinë, ndryshe skuadra do ta ketë mbështetjen maksimale dhe se futbollistët asnjëherë nuk do të jenë vetëm. Në anën tjetër drejtuesit e klubit bardhekaltër e kuptojnë frustimin e tifozëve, ku sipas tyre ata janë mësuar, që Prishtina gjithmonë të fitojë trofe dhe këto dështimet e fundit nuk kapërdihen lehtë, por pikërisht për këtë arsye edhe po bëjnë sivjet investime për ta kthyer titullin në kryeqytet. Prishtina, përveç tifozëve, po përballet me një tjetër telashe dhe ajo është infrastruktura ku edhe këtë edicion bardhekaltrit do të duhet ndeshjet si vendas t'i zhvillojnë në terren neutral për shkak të vonimit në rregullimin e stadiumit të Prishtinës.

Kastrati: Ejupi, Muçiqi e "Lara" i përzunë talentet

Numri një i tifozëve të Prishtinës, "Plisat", Albert Kastrati, për gazetën "Kosova Sot" ka thënë se derisa kjo kryesi ta udhëheqë Prishtinën, raportet kurrë nuk do të jenë të mira mes tyre. Sipas tij, kjo kryesi edhe po i humb talentet e ekipit. "Mes "Plisave" dhe kryesisë raportet nuk janë të mira dhe nuk do të jenë, derisa këta njerëz e udhëheqin klubin. Pikërisht kjo kryesi është fajtore që Prishtinës po i ikin talentet. Me direktiva të Remzi Ejupit, Afrim Muçiqit e Ahmet Kurtollit "Lara", janë larguar futbollistët që kanë dhënë shumë për ekipin", ka thënë Kastrati për gazetën "Kosova Sot", ku me theks të veçantë fjalën e kishte për futbollistin Shend Kelmendi, i cili u largua nga klubi për t'ju bashkuar më pas Skënderbeut të Korçës. Kastrati kishte kritika në adresë të klubit edhe për ndeshjen evropiane kundër Norrkoping-ut, ku ekipi bardhekaltër u turpërua, duke u mposhtur me rezultat të përgjithshëm 6:0. "Kam thënë dhe e përsëris se aty është zero organizimi. Prishtina tash nuk ka shikues pikërisht pse kjo kryesi e këta e ka shkatërruar Prishtinën. Në të kaluarën asnjëherë Prishtina nuk e ka diskutuar titullin e kampionit dhe ky klub çdo vit duhet të jetë kampion. Me një fjalë ne e duam kohën e Beqes (Beqir Aliu ish-kryetar i KF Prishtina), kur Prishtina fitonte gjithçka", ka thënë Kastrati për "Kosova Sot".

Lojtarët nuk janë vetëm

Kanë mbetur më pak se një muaj deri në fillimin e stinorit të ri, i cili sipas tifozëve kosovarë, mund të jetë më i zjarrti i pasluftës, kjo për shkak të investimeve bukur të mëdha që kanë bërë klubet. "Plisat", pavarë- sisht marrëdhënieve aspak të mira me kryesinë, nuk do ta lenë vetëm klubin dhe do ta mbështesin maksimalisht. "Mbështetja ka me qenë shumë e madhe, madje mendoj se do të jetë më e madhja që nga paslufta. Shumë njerëz që e duan Prishtinën më kanë kontaktuar dhe kanë kërkuar që të organizohemi maksimalisht këtë edicion. E kemi parë, që këta njerëz që janë në krye të Prishtinës po e shkatërrojnë klubit dhe ne nuk do ta lejojmë. T'ju kujtojë finalen e Kupës me Dritën kur tifozët e Prishtinës i vërshëllyen kryesisë, tash do të jetë edhe me keq për ta", deklaroi për gazetën "Kosova Sot", Albert Kastrati.

(Kosova Sot)