Putin thur lavde: Blatter meriton çmimin Nobel

  • 28 July 2015 - 14:24
Putin thur lavde: Blatter meriton çmimin Nobel

Dikush mendon se duhet të përfundojë prapa hekurave dhe dikush tjetër e shikon si një kandidat të merituar për çmimin Nobel. Bëhet fjalë për presidentin e FIFA-s, Sepp Blatter, i cili do të largohet nga ky post në muajin Janar pas skandalit të korrupsionit që çoi drejt gjykatave amerikane një numër të lartë zyrtarësh të FIFA-s. Pavarësisht këtij skandali, presidenti i Rusisë, Vladimir Putin e mendon ndryshe sepse sipas tij, Blatter meriton çmimin Nobel. Pas takimit që ata patën disa ditë më parë me rastin e hedhjes së shortit të botërorit, numri 1 i Kremlinit shfrytëzoi mundësinë për të thurur elozhe ndaj zvicerianit, duke u konfirmuar si një nga të paktët njerëz në krah të tij.

“Të gjithë e dimë se si është situata. Unë nuk dua të hyj në detaje por nuk besoj asnjë fjalë që thuhet për të dhe nuk mendoj se ai është i përfshirë në çështjet korruptive. Njerëz si Z. Blatter apo drejtues të tjerë të lartë të organizatave sportive meritojnë një mirënjohje të veçantë. Nëse ka njerëz që meritojnë çmimin Nobel janë këta njerëz”.

 

Në vijim, Putin e cilësoi aksionin për arrestimin e zyrtarëve të FIFA-s, si të orkestruar nga disa shtete që sipas tij dëshiurojnë të fitojnë të drejtën e organizimit të botërorit. Gjatë muajit qershor, Blatter njoftoi tërheqjen nga posti i presidentit por do ta mbajë këtë detyrë deri në zgjedhjet e reja presidenciale për kreun e FIFA-s./supersport.al/