< Më shumë hapësirë për trajnerët vendorë - Sport - Kosova Sot
Mė shumė hapėsirė pėr trajnerėt vendorė

Mė shumė hapėsirė pėr trajnerėt vendorė

SHUMË TRAJNERË KOSOVARË JANË TË PAANGAZHUAR

Klubet udhëhiqen nga njerëz që nuk kanë lidhje me basketboll 

Për shkak të krizës së klubeve kosovare, këtë edicion vetëm dy trajnerë të huaj drejtojnë skuadrat e elitës, një dukuri që nuk ka ndodhur më parë. Analisti Valentin Spaqi thotë se klubet duhet t'u besojnë më shumë trajnerëve vendorë në përgjithësi, sepse janë e ardhmja, por shton se nuk është çudi që nuk u besohet vendorëve, pasi klubet udhëheqin nga njerëz që nuk kanë lidhje me basketboll

Në basketbollin e Kosovës kanë qenë shumë trajnerë të huaj. Këtë edicion, për shkak të krizës financiare, vetëm Sigal Prishtina dhe Bashkimi drejtohen nga trajnerë të huaj, kurse skuadrat e tjera kanë trajnerë vendorë, madje disa skuadra kanë vetëm lojtarë vendorë, gjë që nuk ndodhte më parë. Në elitën e basketbollit gjithashtu ka pasur shumë lojtarë të huaj, ku disa kanë qëndruar për një vit, disa një gjysmë edicioni, kurse disa të tjerë vetëm disa muaj e disa ditë.

Ka ardhur koha për vendorët 

Njohësi i basketbollit vendor, Valentin Spaqi thotë se ka ardhur koha që t'u besohet më shumë trajnerëve vendorë, pasi e meritojnë. "Mendoj se në ligën tonë kemi nevojë për më shumë trajnerë vendorë, që për momentin janë të paangazhuar dhe që janë shumë cilësorë, si dhe janë trajnerë shumë më të mirë sesa disa trajnerë që kanë ardhur në Kosovë në vitet e  fundit. Unë jam dakord që të marrim trajnerë të huaj, por ata duhet të jenë shumë më të mirë se trajnerët vendorë", ka thënë në fillim Valentin Spaqi për gazetën "Kosova Sot". Ai shton se edhe vendorët mund të japin kontribut të madh dhe nuk duhet të jenë vetëm të huaj për të pasur suksese. "Është krijuar një përshtypje e keqe nëpër klube që duhet të jetë i huaj dhe do të jetë i mirë. Kjo përshtypje është plotësisht e gabuar, sepse njëjtë veprojnë edhe me lojtarë, ku vërehet ndërrimi i lojtarëve, që ka shkuar deri në 15 ndërrimi vetëm brenda një edicioni të plotë, që është keqmenaxhim i padiskutueshëm", ka shtuar tutje Valentin Spaqi për gazetën "Kosova Sot". Këtë edicion, Rahoveci, Golden Eagle Ylli, si dhe Kerasan Prishtina kanë befasuar për të mirë, duke dëshmuar që edhe vendorëve kur ju jepet hapësirë mund të arrijnë suksese.

Keqmenaxhime nëpër klube 

Por, Spaqi ka shtuar se në disa klube ka persona që nuk kanë njohuri për basketboll dhe për këtë arsye kemi ardhur në këtë gjendje. "Në disa klube udhëheqin individë, që nuk kanë lidhje me basketboll, e fatkeqësisht kemi shumë të atillë në klubet tona. Nuk po dua t'i përmend me emra, sepse tashmë dihet se kush janë ata. Prandaj, unë mendoj që duhet t'i jepet rasti vendorëve, sepse vendorët e njohin shumë më mirë Ligën dhe lojtarët. Investimi në trajnerë vendorë mbetet tek ne, pra do të thotë se po investohet në të ardhmen. Por, ky ekspansion i prurjeve të trajnerëve dhe lojtarëve është si pasojë e mosdurimit të klubeve, sepse duan gjithçka të gatshme", ka përfunduar Valentin Spaqi për gazetën "Kosova Sot". Klubet e mëdha në vitet e fundit shumë pak i kanë besuar trajnerëve dhe lojtarëve vendorë, duke u besuar më shumë të huajve. Në dy edicionet e fundit, ka rënë cilësia në elitën e basketbollit, si dhe shikueshmëria, për shkak të krizës financiare që ka kapluar shumicën e klubeve të basketbollit, e nga kjo nuk kanë shpëtuar as Peja e Trepça, që luftonin gjithmonë për trofe.

(Kosova Sot) 

15 orë e 42 minuta më parë