Gazetari-Valverdes: “Çfarë rezultati preferoni nga derbi Atletico – Real?”

  • 17 November 2017 - 16:55
Gazetari-Valverdes: “Çfarë rezultati preferoni nga derbi Atletico – Real?”

Valverde thotë se La Liga është shumë e gjatë pa marrë parasysh atë që do të ndodhë nesër.

Barcelona aktualisht është tetë pikë para Real Madridit dhe diferenca mund të thellohet edhe më shumë të shtunën pasi Los Blancos do të përballen me Atletico Madridin, skuadër kjo që i ka shkaktuar gjithmonë probleme rivalit të qytetit.

Trajneri i Barcelonës, Ernesto Valverde, është pyetur nga gazetarët në konferencë për media se çfarë rezultati do të kishte preferuar nga derbi i nesërm. Spanjolli nuk ka dashur të përzihet që tani në këto gjëra, duke thënë se; “pa marrë parasysh çfarë do të ndodhë nesër, La Liga është e gjatë”.

“Çfarë rezultati preferoni nga derbi? Nuk kam asnjë dyshim se do të luhet një derbi shumë i rëndësishëm, por ajo që ka rëndësi për ne është ndeshja jonë”, u shpreh trajneri i Barcelonës.

“Pas kësaj xhiro, do të ketë edhe 26 ndeshje tjera, kështu që distanca nuk do të jetë vendimtare pa marrë parasysh çfarë do të ndodhë nesër”, deklaroi Valverde.

Barcelona do të përballet me Leganes në xhiron e 12’të të La Ligas, sfidë kjo që zhvillohet nga ora 16:15. 

(Kosova Sot)