Derbit që po i MUNGOJNË TIFOZËVE

  • 21 November 2017 - 09:16
Derbit që po i MUNGOJNË TIFOZËVE

Për dallim nga vitet e kaluara, këtë edicion po mungojnë derbit në IP Superligën e Kosovës në basketboll. Kur janë zhvilluar dhjetë xhiro, Sigal Prishtina po dominon pa problem dhe nuk ka pësuar asnjë humbje, kurse të gjitha ndeshjet i ka fituar me rezultate bindëse. Derisa nuk ka luftë për titull, synimet e skuadrave tjera janë për 'play-off' dhe për të mbijetuar. Në vitet e kaluara, kishte shumë rivalitet në fushë dhe në tribuna, kurse kjo po mungon këtë edicion. Madje, edhe katërshja e madhe më nuk 'ekziston' me klubet që po përballen me shumë probleme financiare dhe po e kanë vështirë të funksionojnë.

Këtë edicion pa rivalitet

Trajneri i basketbollit, Blerim Krasniqi është shprehur se hijeshia e një kampioni janë derbit, që fatkeqësisht po mungojnë në elitën e basketbollit të Kosovës. "Vlerat e një kampionati, në këtë rast basketbollit, shtohen pikërisht sa më shumë që të ketë derbi, ndërsa tani thuajse nuk ka derbi në elitën e basketbollit të Kosovës. Kam menduar se Bashkimi do t'i bëjë ballë Sigal Prishtinës, megjithatë, kështu nuk ndodhi, dhe në këtë edicion nuk ka pasur asnjë derbi deri më tani dhe vështirë do të ketë me këtë gjendje të klubeve", ka thënë Blerim Krasniqi për gazetën 'Kosova Sot', duke shtuar: "Nëse shikojmë vitet 2004, 2005 dhe 2006 vetëm në një xhiro kishte dy-tri derbi dhe Superliga ka qenë shumë më interesante. Tani, terminologjia e fjalës derbi nuk ekziston fare në basketboll, përveç rivalitetit", ka shtuar tutje Blerim Krasniqi për gazetën 'Kosova Sot'. Dy klubet e mëdha, Trepça dhe Peja janë në krizë të thellë, por kësaj krize nuk kanë mundur t'i ikin as skuadrat tjera, që po përballen me shumë probleme, dhe në këtë edicion kishte rënie në cilësi dhe shikueshmëri. Gjithashtu edhe klubet kanë marrë më pak lojtarë të huaj, se në vitet e kaluara.

Ndryshime rrënjësore

Por, për të rikthyerit shikuesit në palestra duhet ndryshime rrënjë- sore. Sipas Krasniqit, duhet t'u kushtohet shumë më shumë rëndësi lojtarëve dhe trajnerëve vendorë. "Duhet reforma të rrënjësishme. E para duhet që përbërja e ekipeve të jetë prej lojtarëve vendorë. Pastaj trajnerët duhet të jenë vendorë. Drejtuesit duhet t'i mbështesin vendorët dhe të punojnë në favor të tyre, e jo t'i lënë pa pagesa për muaj të tërë. Nuk duhet të mbjellim iluzione, por të jemi realistë. Gjithashtu edhe premtimet duhet me qenë reale", ka theksuar Blerim Krasniqi për gazetën "Kosova Sot". Kosova ka shumë talente në basketboll dhe duhet të punohet më shumë me gjenerata të reja. "Duhet të punohet jashtëzakonisht me gjenerata të reja. Ne kemi shumë potencial me gjenerata të reja dhe kemi shumë talente. Vetëm duhet një përkushtim i madh më i madh dhe atëherë mundemi me llogarit në një të ardhme të ndritshme të basketbollit tonë. Duhet të punohet më shumë me gjenerata të reja dhe e ardhmja e basketbollit është në duar të sigurta", ka përfunduar Blerim Krasniqi për gazetën "Kosova Sot".

(Kosova Sot)