Hysaj firmos për 5 vjet me Napolin

  • 31 July 2015 - 16:57
Hysaj firmos për 5 vjet me Napolin

Elseid Hysaj është zyrtarisht një futbollist i Napolit. Më në fund mbrojtësi shqiptar ka hedhur edhe firmën mbi kontratë dhe për 5 vitet e ardhshme do të jetë pjesë e skuadrës së kaltër. Në orët e fundit  është zgjidhur edhe cështja e të drejtave të imazhit dhe 21-vjecari nga Shkodra tashmë mund të përqafojë sërish trajnerin Maurizzio Sarri që me marrjen e drejtimit të Napolit këmbënguli për ta patur përsëri Hysajn në skuadrën e tij. Blerja e kartonit të talentit të kombëtares kuqezi nga Empoli i kushtoi Napolit 5 milionë Euro plus bonuset. Transferimi i Elseid Hysaj te klubi i presidentit Aurelio De Luarentiis mund të konsiderohet padiskutim si lëvizja më e bujshme e bërë nga një futbollist shqiptar në këtë merkato vere. Mediat italiane raportojnë se marrëveshja mes palëve është arritur dhe janë shuar plotësisht problemet lidhur me të drejtat e imazhit.

Nuk bëhet e ditur paga që do të përfitojë mbrojtësi shqiptar te Napoli por me siguri që në xhepat e Hysajt do të përfundojë një shifër e konsiderueshme. Pas 3 sezonesh si profesionist me Empolin dy në Serinë B dhe një në Serinë A për Elseidin nis kështu një aventurë e re dhe më e rëndësishmja në karrierën e tij të deritanishme. Hysaj realizon në këtë mënyrë ëndrrën e tij për të luajtur me një skuadër të madhe të Serisë A, tashmë te Napoli ai do të stërvitet me kampionë të mëdhenj si Gonzalo Higuain, Marek Hamsik, Jose Maria Callejon, Christian Maggio, Pepe Reina etj. Objektivi i radhës për Elseid Hysajn tashmë do të jetë të sigurojë vendin e titullarit në formacionin e Napolit, dicka që me siguri do ta arrijë pasi ky djalosh zotëron një talent dhe një klas të jashtëzakonshëm edhe pse është vetëm 21-vjec.