Guardiola: Tani të mendojmë për të ardhmen

  • 02 August 2015 - 12:08
Guardiola: Tani të mendojmë për të ardhmen

Pep Guardiola këmbëngul se Bayerni i Mynihut nuk luajti keq në finalen e Superkupës së Gjermanisë, pavarësisht disfatës që erdhi nga lotaria e 11 metërshave. Trajneri katalanas sqaroi se skuadra e tij dha maksimumin për ta fituar këtë sfidë edhe pse nuk arriti të siguronte trofeun të cilin Bayerni e humbet në finalen e tretë rresht.

“Është një mëkat sepse duhej të ishim të përqëndruar në mbrojtje edhe për 2 apo 3 minuta. Nuk është e lehtë të luash ndaj një ekipi të fortë si Wolfsburgu që ka arritur të tregojë se gjatë viteve të fundit mund të rivalizojë me skuadra të mëdha. Ata kanë transmetuar shumë krenari në grupin e tyre dhe këtë e vunë në dukje edhe ndaj nesh. Bundesliga dhe Champions League janë objektivat tanë të vërtetë edhe pse çdo trofe ka vlerën e tij”. 

Në vijim, 44 vjeçari doli në mbrojtje të skuadrës, duke saktësuar se djemtë e tij i’u përgjigjën.

“Lojtarët e mi mbuluan të gjithë hapësirën e blertë dhe dhanë maksimumin për ta fituar këtë ndeshje. Do të kërkojmë ta fitojmë trofeun gjatë sezonit të ardhshëm nëpërmjet suksesit në kampionat. Tani duhet të mendojmë për Kupën Audi dhe më pas për ndeshjen e Kupës”.

Në krahun tjetër, trajneri i Wolfsburgut, Dieter Hecking përgëzoi skuadrën e tij duke theksuar se pas 15 minutave të para grupi u fut në lojë duke krijuar shumë raste për të shënuar. Ai e përfundoi deklaratën për shtyp duke nënvizuar se Wolfsburgu besoi deri në fund duke gjetur edhe golin e barazimit që e çoi ndeshjen te 11 metërshat ku lojtarët e përzgjedhur prej tij nuk u hipnotizuan nga një gjigand si Manuel Neuer.