Rënia e interesimit  - Sport - Kosova Sot
Rënia e interesimit 

Rënia e interesimit 

Në vitin 2017, përveç rënies së interesimit në volejboll dhe hendboll, kishte rënie në interesim edhe në basketboll, ku për dallim nga vitet e kaluara palestrat kanë ‘mbetur bosh’ për shkak se nuk ka asnjë derbi dhe interesimi është larg viteve të kaluara. Gjithashtu edhe hendbolli ka mbetur pa asnjë derbi, kurse në volejboll kishte edhe përplasje të brendshme.

Sportet me dorë po përjetojnë një krizë të rëndë. Në vitin 2017 kishte rënie të interesimit, ku cilësia nuk ishte në nivelin e dëshiruar, dhe për këtë arsye kishte edhe rënie të shikueshmërisë. Në basketboll, për dallim nga vitet e kaluara, Sigal Prishtina dominoi pa problem, dhe gjatë stinorit vjeshtor nuk u zhvillua asnjë derbi i vetëm. Kjo nuk ishte ndodhur që nga paslufta. Gjithashtu edhe në hendboll, Besa FamGas, dominoi pa problem, duke fituar titullin dhe Kupën pa asnjë problem. Volejbolli përveç problemeve si çdo vit, kishte edhe përplasje të brendshme në Federatën e Volejbollit. 

 Edicioni më i dobët 

Trajneri i basketbollit, Blerim Krasniqi, është shprehur se ky ishte edicioni më i dobët pasluftës. “Është edicioni më i dobët që nga paslufta deri më tani. Nuk ka ndodhur asnjëherë që për një stinor të tërë të mos ketë asnjë derbi. Më herët kishte dy-tri derbi gjatë një jave, kurse tani nuk ka asnjë. Sigal Prishtina ka dominuar pa problem dhe besoj se do të vazhdoj të dominoj edhe me këtë ekip që ka. Përveç Pejës dhe Trepçës që ishin në krizë të thellë, tani me shumë probleme është edhe Bashkimi, që ka probleme edhe organizative. E kam parë Bashkim si shpëtim të këtij kampionati, megjithatë, kjo nuk ka ndodhur, dhe tani i është dhënë rasti klubeve tjera si Ylli e Rahoveci të jenë në top-4. Kjo nuk ka ndodhur më herët, ku ka pasur interesim të jashtëzakonshëm. Lufta ka qenë e madhe në mes katërshes së madhe. Klubet po i vuajnë pasojat, pasi kanë shpenzime të mëdha në vitet e kaluara, duke u dhënë hapësirë lojtarëve dhe trajnerëve të huaj. Ata kanë marrë paga marramendëse dhe janë larguar, kurse me të kanë ikur edhe tifozët, pasi interesimi ka rënë dukshëm”, është shprehur Blerim Krasniqi për gazetën “Kosova Sot”.

S’ka cilësi, s’ka suksese 

Ish-hendbollisti i disa skuadrave të hendbollit, Alban Dobroshi, ka thënë se Besa FamGas, po dominon pa problem dhe nëse nuk ka ndryshime, vështirë se Superliga do të ngrihet në cilësi. “Skuadra pejane në vitet e fundit është dukshëm më e organizuar se skuadrat e tjera. Kanë paga më të mëdha, paguhen lojtarët me rregull, si dhe është e vetmja skuadër që ka lojtarë të huaj. Për këtë arsye po dominojnë pa problem. Skuadrat e tjera ballafaqohen me shumë probleme, sidomos financiare. Gjeneratave të reja u është kushtuar shumë pak rëndësi. Duhet që kjo urgjentisht të ndryshojë, dhe të mendojmë për të ardhmen. Për këtë arsye nuk kemi pasur suksese as në garat ndërkombëtare, pasi klubet përballen me shumë probleme”, ka deklaruar Alban Dobroshi për gazetën “Kosova Sot”. Këtë edicion pesë skuadrat e hendbollit, në përgjithësi arritën vetëm një fitore dhe nëntë humbje në garat ndërkombëtare, dhe të gjitha u eliminuan qysh në rrethin e parë. 

(Kosova Sot)

19 orë e 57 minuta më parë
16/08/18