A do ta ekstradojë Kroacia Ballistin në Serbi?

  • 02 January 2018 - 22:01
A do ta ekstradojë Kroacia Ballistin në Serbi?

​Ministrja serbe e Drejtësisë Nela Kuburuviq ka thënë sot se nuk e ka asnjë informatë se a do ta dorëzojë dhe kur Kroacia Ismail Morinën në Serbi

Ajo, duke folur për gazetën “blic” të Beogradit ka theksuar se nuk ka afat sipas të cilit ministri i Drejtësisë duhet të veprojë pas marrjes së vendimit të plotfuqishëm nga Gjykata dhe pas përmbushjes së kushteve për dorëzim, shkruan media online.

Megjithatë, Kuburuviq beson se ky (dorëzimi), do të ndodhë në çdo moment në afatin njëvjeçar.

Ismail Morina është në paraburgim në Dubrovnik nga qershori i vitit 2017 kur u arrestua sipas fletë arrestit nga Serbia të shpallur për shkak të akuzave që i ka përpiluar Beogradi.

Sipas akuzave, Morina, i njohur me nofkën Ballisti, në ndeshjen ndërmjet Serbisë e Shqipërisë filluar e të papërfunduar në tetorin e viti 2014, e kishte lëshuar dronin me hartën e viseve shqiptare me Flamurin Kombëtar e me portretet e Ismail Qemalit e të Isa Boletinit.

Me këtë akt, sipas Beogradit, Morina ka bërë vepër penale prandaj dhe e kërkon ekstradimin e tij. 

(Kosova Sot)