Kampioni e KA SERIOZISHT

  • 11 January 2018 - 08:56
Kampioni e KA SERIOZISHT

TREPÇA'89 TASH PËR TASH KËRCËNIMI KRYESOR PËR SKUADRAT E SUPERLIGËS SË KOSOVËS NË FUTBOLL

Pranvera pritet të sjellë luftë të ashpër për kreun e tabelës

"Ne gjithmonë kemi qenë skuadër kërcënuese për kundërshtarët tanë, por me ardhjet e reja vetëm sa jemi bërë më të fortë dhe më të frikshëm. Qëllimi ynë është mbrojtja e titullit të kampionit dhe natyrisht pjesëmarrja në garat evropiane, atje ku sadopak tashmë kemi krijuar një përvojë", ka thënë për gazetën "Kosova Sot", Përparim Islami

Nuk e patën një vjeshtë të mirë dhe kjo ka bërë që drejtuesit e skuadrës së Trepçës'89, me të filluar afati kalimtar i janarit të reagojnë në mënyrë që të krijojnë një skuadër që do ta mbronte titullin e kampionit të fituar edicionin e kaluar. Ardhja e trajnerit të mirënjohur Gugash Magani si dhe zbritja e disa lojtarëve nga jashtë e bën Trepçën '89 të duket skuadra më e rrezikshme tash për tash sa i përket stinorit pranveror. Ajo që befason më shumë është heshtja e Prishtinës dhe Feronikelit, dy skuadra këto që mendohet se do të jenë rivalët më të mëdhenj të Trepçës'89. Në anën tjetër, lideri i tabelës dhe kampioni i vjeshtës, Llapi, përkundër që ka paralajmëruar se nuk do të bëjë shumë ndryshime, pasi beson në ekipin vjeshtor, gjithsesi ka bërë disa lëvizje që mund të cilësohen bukur atraktive. Një befasi po vjen nga Drita e Gjilanit, e cila në fillim të këtij kampionati ishte njëri ndër skuadrat që bëri më së shumti ndryshime në ekip, ndërsa tash kur jemi në ditën e 12-të të afatit kalimtar ende nuk kanë bërë diçka të madhe.

Islami: Titulli mbetet në Mitrovicë

Mbrojtësi prishtinas i Trepçës'89, Përparim Islami ka thënë se këto lëvizje që po bën skuadra e tyre janë të mirëseardhura dhe kanë vetëm një qëllim, mbrojtjen e titullit. Sipas tij, kampionët është e sigurt se do të mbesin kampionë edhe për edicionin e ardhshëm. "Ne gjithmonë kemi qenë skuadër kërcënuese për kundërshtarët tanë, por me ardhjet e reja vetëm sa jemi bërë edhe më të fortë dhe më të frikshëm", ka thënë për gazetën "Kosova Sot", Përparim Islami. Të kujtojmë se Trepça'89 në stinorin vjeshtor pati telashe bukur të mëdha dhe atë jo vetëm me rezultate, por edhe në bankinë, ku u detyruan të ndërrojnë disa herë trajnerin. I pari që u shkarkua ishte Zekerija Ramadani, për t'u zëvendë- suar disa ndeshje nga ndihmësi i tij Sabit Osmani, i cili më pas ia liroi vendin Gani Sejdiut, por edhe ky pa përfunduar stinori vjeshtor u largua, për të ardhur tash i mirënjohuri Gugash Magani, emri i të cilit ka mjaftuar për ta rritur maksimalisht motivin në ekip.

Përgatiten për Evropë

Trepça'89 shkroi historinë edicionin e kaluar, kur e prezantoi futbollin tonë në garat e Ligës së Kampionëve. Dëshpërimi që solli në atë paraqitje, kur u eliminua që në rrethin e parë nga amatorët e Vikingur-it, ka bërë që ekipi të mobilizohet shumë. "Në ekip janë bërë disa ndryshime, si në stafin teknik ashtu edhe me lojtarë të rinj, të cilët po besoj që do të përshtaten shpejt në ekip. Qëllimi ynë është mbrojtja e titullit të kampionit dhe natyrisht pjesëmarrja në garat evropiane, ku atje sadopak tashmë kemi krijuar një përvojë", ka thënë Islami, i cili është shumë i kënaqur që do të ketë rastin të punojë me një trajner si Gugash Magani. Trepça'89 pas 18 ndeshjeve në stinorin vjeshtor ka tubuar 27 pikë duke mbetur në pozitën e 7-të në tabelë, megjithatë, diferenca nga vendi i parë është e vogël. Vetëm 7 pikë janë mbrapa liderit, Llapit, gjë që i bie që kjo skuadër është seriozisht në luftë për titull. Përveç kësaj, "minatorët" do ta kërkojnë edhe Kupën e Kosovës, trofe ky që gjithashtu iu hap dyert për të garuar në arenën ndërkombëtare.

(Kosova Sot)