Sahiti: Azerbajxhani, rast i mirë për disa futbollistë të Superligës

  • 17 January 2018 - 08:47
Sahiti: Azerbajxhani, rast i mirë për disa futbollistë të Superligës

PËRFAQËSUESJA E KOSOVËS E VLERËSON LART NDESHJEN ME AZERBAJXHANIN 

Kosova vitin 2018 e nis me një miqësore interesante, pasi ndeshet me një shtet që nuk e ka njohur

Ndeshja e parë e Përfaqësueses së Kosovës për këtë vit do të jetë miqësorja që do ta zhvillojnë ndaj një shteti që nuk e ka njohur shtetasin tonë, Azerbajzhanin, përballje kjo që tashmë është zyrtarizuar dhe do të luhet me 2 shkurt në Antalia. Ajo që bie më shumë në sy dhe e bën të veçantë këtë sfidë është se Kosova do të paraqitjet me lojtarë të kampionatit vendor, çka nënkupton se këtë herë do të mungojnë yjet. Për përzgjedhësin e Kosovës, Muharrem Sashitin, kjo ndeshje është shumë e mirëseardhur pasi dëshiron t'i shoh disa elementë nga Superliga e Kosovës, e që po beson se në të ardhmen mund të jenën edhe pjesë e ekipit A. Sa u përket lojtarëve vendorë, Sahiti duhet pranuar që gjithmonë e ka shikuar me një sy tjetër kampionatin tonë dhe kjo u pa qysh në ndeshjen e parë që ai e udhëhoqi Kosovën ndaj Letonisë, të fituar me rezultat 4:3, duke iu besuar dy lojtarëve të Superligës, Armend Thaqit dhe portierit Blendi Hajdini. "Për mua është shumë më rendësi t'i shoh se si do të paraqiten lojtarët e Superligës në këso nivele. Nuk po them se do të bëjmë mrekulli. Këta lojtarë që i kemi me këta do t'i kundërvihemi dhe të shohim se si do të dalim", ka thënë për gazetën "Kosova Sot" Muharrem Sahiti. 

Mos ta nënçmojmë Azerbajxhanin

Përzgjedhësi i Kosovës, Muharrem Sahiti, para se të flasë për listën dhe agjendën e Kosovës, është ndalur pak edhe të kundërshtari, duke thënë se Azerbajxhani assesi nuk duhet nënçmuar. "Askund nuk mund të thotë se e kemi një kundërshtar të lehtë, pasi edhe për nga ranglista e FIFA-s ai qëndron shumë lart, pra është kundërshtar për t'u respektuar", ka thënë Sahiti për gazetën "Kosova Sot". "Sa i përket listës, ajo nga tash do të nisë të përpilohet, pra ne do të fillojmë të marrim informata nga klubet për gjendjen e lojtarëve. E dimë që klubet janë në vlugun e përgatitjeve dhe ajo që si trajner më shqetëson më shumë është se në këtë fazë klubet janë të fokusuara kryesisht në përgatitjet fizike dhe shumë pak punojnë në aspektin teknik, çka do të jetë një problem për ne", ka thënë trajneri gjilanas, Muharrem Sahiti. "Gjithsesi ne këtë ndeshje e marrim si një rast shumë të mirë për futbollistët e Superligës, të cilët do të krijojnë një përvojë të re. E dimë që disa lojtarë veç i kanë shijuar garat e këtyre niveleve, si ata të Prishtinës dhe Trepçës'89, që luajtën në garat ndërkombëtare, pastaj edhe me U21 shumë lojtarë luajtën në kualifikime, kështu që nuk jemi pa përvojë dhe do të mundohemi ta shfrytëzojmë sa më shumë", ka thënë Muharrem Sahiti për gazetën "Kosova Sot". Përzgjedhësi i Kosovës tashmë ka krijuar agjendën ku parasheh që më 30 janar të udhëtojë për Antalia atje do t'i zhvillojnë stërvitjet më 31 e 1 janar për të qenë të gatshëm për 2 janar. 

Batatina: Kjo ndeshje rrit motivin te vendorët

Në anën tjetër për trajnerin e Llapit, Tahir Batatina, ka thënë se me këtë ndeshje është një nderë që i bëhet kampionatit vendor. "Kam qenë zëri më dominues në mbrojtje të lojtarëve vendorë. Gjithmonë kam thënë se kemi lojtarë cilësorë të cilët munden të kontribuojnë në reprezentacionin tonë. Është një vendim shumë i qëlluar që t'u jepet mundësia lojtarëve të Superligës të dëshmojnë se kanë cilësi dhe se mund të jenë pjesë e përfaqësueses sonë", ka thënë Batatina për gazetën "Kosova Sot", duke shtuar se kjo, përveçqë i bën një nder kampionatit, rrit maksimalisht edhe motivin te lojtarët. "Kjo ndeshje rrit motivin te lojtarët, pasi e kanë parasysh se edhe ata po i vëzhgon dikush dhe se po interesohet për ta. Pra, kjo do të ndikojë maksimalisht te lojtarët që të punojnë shumë për ta dëshmuar vetën", ka përfunduar Tahir Batatina.

(Kosova Sot)