Tahiri në histori - Sport - Kosova Sot
Tahiri në histori

Tahiri në histori

SKITARI I VETËM I KOSOVËS NË LOJËRAT OLIMPIKE DIMËRORE

Kosova në mesin e gjashtë shteteve debutuese

Kosova do të debutojë në Lojërat Olimpike Dimërore, derisa skitari Albin Tahiri do të jetë flamurmbajtës dhe garuesi i vetëm në pesë disiplina të ndryshme. Tahiri është shprehur se do të mundohet të ketë paraqitje sa më të mira në këto gara, derisa Kosova është në mesin e gjashtë shteteve debutuese në Korenë e Jugut

Në një atmosferë solemne, është bërë ceremonia e ngritjes së flamurit të Kosovës në Fshatin Olimpik në PyeongChang, ku po qëndron ekipi olimpik i Kosovës për Lojërat Olimpike Dimërore "PyeongChang2018". Ekipi olimpik i Kosovës i prirë nga presidenti i Komitetit Olimpik të Kosovës, Besim Hasnai u prit nga kryetari i Fshatit Olimpik, Yeo Hyeung-Koo, i uroi mirëseardhje Kosovës. Ceremonia e ngritjes së flamurit në Fshatin Olimpik simbolizon ngritjen e flamurit të Kosovës gjatë kohës sa do të zgjasin Lojërat Olimpike Dimërore në PyeongChang. "Padyshim se është ndjenjë e veçantë sepse ku këtu në PyeongChang po ndodh historia e sportit të Kosovës, pasi për herë të parë po marrim pjesë në Lojërat Olimpike Dimërore. Si çdo qytetar tjetër po ndihem edhe unë mirë. Po marrim pjesë me Albin Tahirin, i cili ka fituar normën olimpike në pesë disiplina. Sot (e enjte) ishte ngritja e flamurit ku së bashku me kryetarin e Fshatit Olimpik. Ishte delegacioni i Kosovës dhe delegacionet tjera, të cilat përcollën me vëmendje ngritjen e flamurit të Kosovës", është shprehur presidenti Hasani.

Ndjenjë e veçantë 

Flamuri i Kosovës për herë të parë do të parakalojë në Lojërat OlimpikeDimërore, falë skitarit Albin Tahiri, i cili ka fituar normën olimpike në pesë disiplina të skijimit alpik. Ceremonia hapëse do të fillojë në ora 12:00 me kohën tonë lokale (sot), kurse me kohën koreane në ora 20:00. Ceremonia pritet të zgjasë dy orë, kurse Kosova pritet të parakalojë pas orës 13:00. Ekipi olimpik i Kosovës që do të parakalojë përbëhet nga bartësi i flamurit, Albin Tahiri, trajneri i tij, Agim Pupovci, shefi i misionit, Bujar Turjaka dhe zyrtari për media, Kushtrim Krasniqi. Skitari i cili u lind dhe është rritur në Slloveni, ka thënë se është ndjenjë e papërshkrueshme të jesh në mesin e garuesve më të mirë botëror. "Është ndjenjë e mahnitshme të jesh këtu në mesin e skitarëve më të mirë në botë. Si disiplinë të preferuar kam lëshimin e shpejtë. Kjo disiplinë është arma më e fortë në këto gara. Do të mundohem të jap më të mirë për rezultate pozitive dhe të përfaqë- soj Kosovën sa më mirë në këto Lojëra, ku merr pjesë për herë në Lojërat Olimpike Dimërore. Andaj do të jetë një ndjenjë e veçantë të jem pjesëmarrës në këto gara", është shprehur Albin Tahiri nga vendi i ngjarjes. 

Ëndrra realitet 

Skitari i Kosovës ka shtuar se ka realizuar ëndrrën e tij. "Është një ëndërr që bëhet realitet për mua dhe për tërë familjen time, sepse ata investuan gjithçka kishin që unë të ndiqja ëndrrën time", ka shtuar garuesi i cili ka fituar normën në pesë disiplina. Pjesëmarrja e Tahirit nuk është thjesht një arritje personale, por një frymëzim për popullin e Kosovës se ëndrrat mund të bëhen realitet. "Besoj se pjesëmarrja ime në Olimpiadë është shumë domethënëse, sepse sportistët në Kosovë përpiqen shumë, shpeshherë dhe me sakrifica për të qenë pjesë e kompeticioneve të rëndësishme, dhe për t'u ndjerë të barabartë me kolegët e tyre në mbarë botën", ka shtuar tutje 28-vjeçari. Garën e parë, Albini do ta ketë më 11 shkurt në lëshim të shpejtë, derisa që nga 8 shkurti do t'i fillojë përgatitjet zyrtare. Garat e lëshimit të shpejtë fillojnë në ora 3:00 të mëngjesit me kohën tonë lokale, kurse në 11:00 me kohën në Korenë e Jugut. Garën e dytë, Albini do ta ketë më 13 shkurt në kombinim alpik. Gara fillon në ora 3:30 me kohën tonë lokale. Dy ditë më vonë, më 15 shkurt Albin Tahiri do ta sfidojë veten në një ditë të veçantë për të. Ai do të garojë në super sllallom të madh në ditën kur do të mbush 29 vjet. Edhe kjo garë fillon nga ora 03:00 me kohën tonë lokale. Gara e ardhshme e tij është ajo e sllallomit të madh që mbahet më 18 shkurt, dhe e cila fillon nga ora 02:15. Sfida e fundit kur do ta shohim Albinin në gara të "LOD PyeongChang 2018" do të jetë më 22 shkurt, kur do të garojë në sllallom, duke filluar nga ora 2:15.

Ceremonia hapëse do të fillojë në ora 12:00 me kohën tonë lokale (sot), kurse me kohën koreane në ora 20:00. Ceremonia pritet të zgjasë dy orë, kurse Kosova pritet të parakalojë pas orës 13:00

(Kosova Sot)

4 orë e 9 minuta më parë
19/10/18