Ushtarja e basketbollit

  • 20 February 2018 - 10:47
Ushtarja e basketbollit

Interesim të madh në mesin e qytetarëve ngjalli parakalimi i Forcës së Sigurisë të Kosovës (FSK) dhe Policisë së Kosovës, të dielën në sheshet kryesore të Prishtinës, në festën për përvjetorin e dhjetë të Pavarësisë së Kosovës.

Në mesin e mijëra qytetarëve që i duartrokitën fort pjesëtarët e FSK-së dhe të Policisë kishte edhe shumë sportistë. Sportistët e Kosovës i patën përfaqësuesit e tyre edhe në mesin e atyre që parakalonin me krenari, duke mbajtur veshur uniformën.

Gentiana Ismaili ishte njëra prej tyre që me krenari mori pjesë në Paradën e së dielës. Ismaili është pjesëtare e FSK-së dhe në të njëjtën kohë edhe trajnere e basketbollit.

25-vjeçarja ka plot 15 vjet në basketboll, ndërsa në FSK është prej afro tre vjetësh. Topi i basketbollit dhe uniforma e FSK-së janë shumë të rëndësishme për Ismailin, që për herë të parë ishte pjesë e parakalimit të FSK-së.

"Është hera e parë që isha pjesë e parakalimit. Vërtet jam ndier krenare dhe kam parakaluar me shumë krenari. Jam përzgjedhur për të parakaluar për një ditë të veçantë, për 10-vjetorin e shpalljes së Pavarësisë dhe kjo më ka bërë shumë të lumtur.

Është vërtet krenari të parakalosh e përcjellë nga duartrokitjet e qytetarëve të shumtë dhe duke dëgjuar disa duke ta thirrur edhe emrin", ka thënë Gentiana Ismaili për gazetën. Ajo është nga Gjilani, por tashmë shërben dhe jeton në Prishtinë. 

(Kosova Sot)