Kampionat interesant, por me shikueshmëri të dobët - Sport - Kosova Sot
Kampionat interesant, por me shikueshmëri të dobët

Kampionat interesant, por me shikueshmëri të dobët

FUTBOLLI YNË VAZHDON TË PËRBALLET ME STADIUME TË BOSHATISURA

Sivjet gara është shumë interesante, por as kjo nuk po i josh tifozët

"Komoditeti në stadiumet tonë është nën çdo nivel dhe kjo po i shtyn tifozët që më mirë të rrinë para televizorëve sesa të vijnë në stadiume ku nuk kanë as ku të ulen", ka thënë Robert Gjeraj për gazetën "Kosova Sot"

F utbolli i Kosovës po i bënë 2 vjet që është pjesë e futbollit ndërkombëtar. Pas një izolimi të padrejtë që iu bë për shumë vjet Kosovës, Federata e Futbollit e Kosovës arriti t'i thyejë barrierat për t'u bërë pjesë e barabartë me të gjitha vendet e tjera anëtare të FIFA-s e UEFA-s. Megjithatë, barrierat më të mëdha futbolli ynë duket se i ka përbrenda. Kur tash jemi pjesë e garave ndërkombëtare dhe se fituesi i kampionatit dhe i Kupës së Kosovës mund të prezantohet në Kupat e UEFA-s, është besuar se interesimi i tifozëve do të jetë i jashtëzakonshëm, por ja që gjërat nuk kanë ndryshuar shumë. Sivjet kampionati i Kosovës po cilësohet si njëri nga më interesantët e pasluftës, por fatkeqësisht as kjo nuk e ka ngjallur interesimin e tifozëve, të cilët vazhdojnë t'i "bojkotojnë" stadiumet tona. Njëri nga futbollistët më me përvojë në futbollin tonë Robert Gjeraj, gjatë një bisede për gazetën "Kosova Sot", ka thënë se ka shumë faktorë që po çojnë në zbehjen e interesimit të tifozëve, derisa problemin më të madh e sheh te cilësia, por edhe kushtet në stadiume, ku tifozët nuk kanë as ku të ulen për ta ndjekur një ndeshjeje futbolli.

Bashkëpunimi klube-tifozë mungon

Ish- futbollisti i Vëllaznimit të Gjakovës Robert Gjeraj, i cili aktualisht mbron ngjyrat e Besës së Pejës, kujton kohën kur ishte pjesë e kuqezinjve ku në çdo ndeshje stadiumi ishte i stërmbushur, pa marrë parasysh se me çfarë kundërshtari takoheshin. Sot interesim deri diku mund të ngjallë vetëm ndonjë superndeshje që vendos gjithçka, ndryshe shumica e ndeshjeve i ngjasojnë shfaqjeve teatrale, ku qetësia është absolute. "Ka shumë faktorë pse po ndodh kjo. E para, mendoj se është cilësia shumë e dobët që nuk po i josh tifozët të jenë në stadiume. Sikur cilësia të ishte në nivel ose së paku të ketë për çdo vit ngritje, atëherë edhe shikuesit do të kishin arsye më shumë të vijnë, mirëpo kjo nuk po ndodh. Pra, cilësia jo që po ngritët, por shpesh është edhe në rënie dhe natyrisht bashkë me cilësinë bie edhe interesimi i tifozëve", ka thënë Gjeraj për gazetën "Kosova Sot", duke thënë se një faktor tjetër është edhe bashkëpunimi i klubeve me tifozët. "Një faktor tjetër shumë i rëndësishëm, që do të kishte ndikuar në shikueshmëri ,është edhe organizimi i klubeve. Mendoj se bashkëpunimi në relacionin klube-tifozë mungon dhe sikur në këtë aspekt të ishim më të organizuar, gjërat me siguri do të ishin ndryshe", vlerësoi futbollisti prizrenas i Besës, Robert Gjeraj.

Kushtet janë të vështira në stadiume

Sipas mbrojtësit të Lirisë, i cili gjatë afatit kalimtar vendosi t'i bashkohet Besës në misionin e mbijetesës Robert Gjeraj, tifozët duhet arsyetuar, pasi vërtet kushtet në stadium janë shumë të vështira, dhe kjo sikur po i tremb ata të vijnë për të shikuar një ndeshje. "Komoditeti në stadiumet tonë është nën çdo nivel dhe kjo po i shtyn tifozët që më mirë të rrinë para televizorëve dhe t'i përcjellin ndeshjet. Pra, edhe transmetimi i drejtpërdrejtë i ndeshjeve ka ndikuar në këtë gjë", ka thënë Gjeraj për gazetën "Kosova Sot". Sipas futbollistit të Besës, klubet duhet të ndryshojnë strategjinë nëse duam tifozë në shkallët e stadiumeve. "Për mendimin tim, njëra nga arsyet shumë serioze në këtë gjë është edhe fakti se klubet tash po luftojnë vetëm për rezultat e assesi për lojë të bukur, pasi në bazë të rezultateve edhe po merren pagat. Pra, një klub që nuk ka rezultate nuk jep pastaj as paga", ka përfunduar Robert Gjeraj.

Interesim të tifozëve deri diku mund të ngjallë vetëm ndonjë super-ndeshje që vendos gjithçka, ndryshe shumica e takimeve i ngjasojnë shfaqjeve teatrale, ku qetësia është absolute dhe se shkallët pothuaj janë të zbrazura.

(Kosova Sot)

13 orë e 35 minuta më parë
20/06/18