Rënia drastike

  • 21 March 2018 - 10:57
Rënia drastike

EDICIONI I SIVJETMË ISHTE I ZBEHTË PËR DALLIM NGA VITET E KALUARA 

Pozitive për lojtarët e rinj që të kenë më shumë minuta në parket 

Ky edicion në basketbollin e Kosovës është karakterizuar si njëri nga më të dobëtit në vitit e fundit, ku kishte rënie të cilësisë dhe shikueshmërisë. Klubet u përballën me shumë probleme, derisa nga kjo më së shumti kanë përfituar lojtarët e rinj, që kanë pasur më shumë hapësirë nga vitet e kaluara, për shkak se klubet nuk u përforcuan me shumë të huaj

Edicioni i sivjetmë i basketbollit kosovar nga shumë analistë është konsideruar si njëri nga më të dobëtit pas luftës. Në këtë edicion kishte rënie të cilësisë për shkak të krizës financiare të klubeve, derisa kjo ka ndikuar që të ketë edhe rënie të shikueshmërisë. Klubet e mëdha si Peja dhe Trepçau përballën me shumë probleme, kurse skuadrat e tjera nuk arrinin t'i bënin ballë Sigal Prishtinës, që i largoi të gjithë të huajt, duke fituar Kupën e Kosovës me lojtarë vendorë. Megjithatë, ky edicion kishte edhe anët pozitive, si inkuadrimi i më shumë lojtarëve vendorë, për shkak se skuadrat nuk kishin mjete financiare për të marrë shumë lojtarë të huaj, siç ka ndodhur në vitet e fundit në elitën e basketbollit.

Gjendja reale e basketbollit në Kosovë

Trajneri i basketbollit, Blerim Krasniqi, është shprehur se në këtë edicion kishte rënie negative, për shkak të mos menaxhimit të duhur të klubeve. "Ky edicion është një test se në çfarë gjendje reale është basketbolli ynë. Kjo situatë është e pritshme, pikërisht duke u bazuar në mos menaxhimin e duhur të klubeve dhe apetiteve të mëdha të skuadra dhe mundësive të vogla që kishin. Kjo bëri që niveli i basketbollit të ketë rënie drastike. Pikërisht kjo e ka sjell basketbollin e Kosovës në këtë gjendje. Kjo është ana negative e këtij edicioni, të paktën kështu e vlerësoj unë, sepse ka pasur rënie të cilësisë dhe shikueshmërisë, prandaj është cilë- suar si një nga edicionet më të dobëta pasluftës", është shprehur Blerim Krasniqi për gazetën "Kosova Sot". Edhe rezultatet në garat ndërkombëtare të skuadrave kosovare nuk ishin të kënaqshme, sepse kampionia Sigal Prishtina nuk arriti të kalojë fazën e grupeve, derisa gjithashtu nuk kaloi asnjë rreth në kualifikimet e Ligës së Kampionëve. Për dallim nga viti i kaluar, kur morën pjesë katër skuadra në Ligën Ballkanike, në këtë edicion, vetëm Bashkimi përfaqësoi Kosovën, duke u kualifikuar deri më tani në çerekfinale.

Gjërat pozitive

Megjithatë, edhe në këtë edicion, kishte gjëra pozitive, si inkuadrimi i lojtarëve të rinj. "Mirëpo, në këtë situatë të tillë siç ndodhemi, pozitive është se po ballafaqohemi me realitetin dhe fatkeqësisht realiteti është i hidhur. Dhe në këtë situatë, duhet shfrytëzuar maksimalisht, që sa më shumë t'iu jepet rasti lojtarëve të rinj dhe trajnerëve vendorë. Duhet pasur durim dhe me kalimin e kohës, pas kuantitetit do të vjen kualiteti, ndërsa shikueshmëria do të vjen duke u rritur, dhe në rritjen e shikueshmërisë do të ndikojnë lojtarët e rinj dhe me perspektivë për të ardhmen", ka nënvizuar Blerim Krasniqi për gazetën "Kosova Sot". Në stinorin pranveror ka pasur shumë më shumë shikues në palestra se në vjeshtë, derisa edhe takimet kanë qenë mjaft interesante. Në fundjavë përfundoi xhiroja e 23-të në elitën e basketbollit, derisa deri në përfundim të kampionatit të rregullt, kanë mbetur edhe pesë javë, ku do të vendoset përfundimisht se kush do të kualifikohet në "Play-off", kush do të jetë në "Play-out", si dhe kush do të bie nga elita.

(Kosova Sot)