Derbi mbyllet me thirrjet "marre-marre

  • 23 April 2018 - 08:34
Derbi mbyllet me thirrjet

JANË ZHVILLUAR NDESHJET E JAVËS SË 28-TË TË VALA SUPERLIGËS NË FUTBOLL

Skandalet nuk e kanë ndërmend t'i ndahen futbollit kosovar

Ishte pritur me shumë entuziazëm, por përfundoi në mënyrën më të keqe të mundshme. Fjala është për derbin e javës së 28-të të Vala Superligës që u zhvillua në Podujevë ndërmjet Llapit e Dritës, dy skuadra këto që sivjet synonin titullin e kampionit dhe kjo ishte arsyeja që stadium "Zahir Pajaziti" të jetë i vogël për gjithë ata shikues që donin ta ndiqnin këtë superndeshje. Mirëpo, paralajmërimi në medie vetëm dy orë para fillimit të ndeshjes, së ky ballafaqim është i kurdisur, duke e zbuluar një bisedë të kryesisë së Dritës, ka bërë që shikuesit me ankth ta presin ndeshjen dhe në fund doli të përfundojë shumë keq. Me t'u bërë rezultati 3:1 për Dritën tifozët llapjanë e vërshuan fushën, duke i fyer lojtarët e vet dhe trajnerin me akuza se e kanë kurdisur ndeshjen. Kjo bëri që ndeshja të ndërpritet për shumë minuta, derisa stadium u zbraz dhe në fushë mbetën vetëm lojtarët. Pa dyshim kjo hije dyshimi për kurdisje e ka zbehur maksimalisht futbollin kosovar, i cili edhe ashtu kishte probleme të mëdha. UEFA e FIFA mund të reagojnë me shpresë se futbolli ynë nuk do të pësojë si ai i Shqipërisë, kur skuadra e Skënderbeut u përjashtua për 10 vjet ndalesë pjesëmarrje në garat ndërkombëtare. Trajneri i Dritës, Bekim Isufi, ka thënë se të gjithë ata që shpifën rreth skuadrës së Dritës, do të përballen me drejtësinë. "Ata që i kanë përhapur këto duhet të përballen me drejtësinë, ne veç kemi krijuar një grup brenda klubit, i cili do të merret me këtë rast, nuk do t'i lejojmë që të dëmtohet imazhi ynë familja dhe puna profesionale që bëhet", ka thënë Isufi. Gjithsesi një reagim pritet edhe nga Federata e Futbollit, e cila është e detyruar t'i hetojë gjithë këto fjalë që u bënë rreth kësaj ndeshjeje.

Llapi vazhdon rrugëtimin, Prishtina nuk e lë të qetë

Derisa Drita ka marrë pikë shumë të mëdha ndaj Llapit, Prishtina me shumë vështirësi e ka mposhtur të fundit në tabelë, Vllazninë, me rezultat 1:0, për ta ruajtur kështu diferencën e liderin e tabelës me vetëm 3 pikë. Skuadra bardhekaltër, ashtu siç kishte paralajmëruar se përballë Vllaznisë nuk do ta jetë aspak të lehtë, ashtu edhe doli, pasi arritën të shënojnë vetëm një gol dhe për 90 minuta mbajtën nën ankth tifozët e saj. "Është e qartë se ne jemi skuadër më e mirë se Vllaznia, por diferencat nuk janë shumë të mëdha. Duhej të ishim më kërkues, sidomos në pjesën e dytë, sepse në raste të tilla skuadra mund të ndëshkohet, ashtu siç na ndodhi me Vëllaznimin", ka thënë trajneri i Prishtinës, Mirel Josa. Në takimet tjera të ditës së diel Flamurtari ka marrë tri pikë shpresa ndaj Vëllaznimit, derisa një humbje shokuese ka pësuar Besa në fushën e vet ndaj Drenicës dhe tashmë shumë seriozisht e rrezikon mbijetesën. 

Nuk ka as gol, as fitore për Feronikelin

Të shtunën janë zhvilluar dy ndeshjet e para të javës së 28-të. Gjilani ka shënuar fitore të rëndësishme para tifozëve të vet, duke e mposhtur skuadrën kampione në fuqi, Trepçën'89, me rezultat 2:0. Golat për skuadrën gjilanase i shënuan Gëzim Rusi, në minutën e 26-të dhe Betim Haxhimusa, në minutën e 60-të. Gjithsesi, kjo ndeshje u karakterizua me një veprim të çuditshme të klubit të Trepçës'89, e cila para ndeshjes suspendoi tre futbollistë të vet, Shend Kelmendin, Argjend Mustafën e Festim Krasniqin, me dyshime se e kanë kurdisur ndeshjen. Në takimin tjetër të ditës së shtunë, Feronikeli ka barazuar sërish para tifozëve të vet, kësaj radhe kundër Lirisë, me rezultat 0:0. Skuadra nga Drenasi këmbënguli më shumë për të gjetur golin, por nuk arriti të finalizojë me sukses asnjërin prej mundësive të krijuara, megjithëse në minutat shtesë Qemail Elshani e qëlloi shtyllën pingule. Për Feronikelin ky është barazimi i katërt për që pas ardhjes së trajnerit Sulejman Starova, madje që të katër ndeshjet i ka mbyllur pa gola.

(Kosova Sot)