Kroacia 'shpartallon' Argjentinën

  • 22 June 2018 - 08:39
Kroacia 'shpartallon' Argjentinën

Lionel Messi edhe një herë i pavërejtur te Argjentina

Kroacia është kualifikuar për në fazën e ardhshme të Kupës së Botës 2018, pasi ka mposhtur 3:0 Argjentinën dhe tani argjentinasit rrezikojnë eliminimin e bujshëm. Lionel Messi mund ta mbyllë Botërorin në Rusi pas vetëm tre ndeshjesh dhe fajtori kryesor për këtë është portieri Wilfredo Caballero, i cili bëri një gafë që do të mbahet mend gjatë. Pas pjesës së parë, relativisht të ekuilibruar dhe të mbyllur në barazim 0:0, në minutën e tetë të pjesës së dytë erdhi gafa e 36-vjeçarit, portieri i dytë i Chelsea-t. Caballero tentoi të pasonte te Mercado, por pasimi i tij ishte skandaloz dhe topi përfundoi te këmbët e Ante Rebiq, i cili e ndëshkoi me një goditje saktë që përfundoi në rrjetë. Jorge Sampaoli tentoi të ndreqte situatën me aktivizimet e Higuain dhe Dybala, por Argjentina nuk pati forcën e duhur dhe tani nuk e ka më fatin në duart e saj. Dhjetë minuta para fundit, Luka Modriq mbylli llogaritë me një goditje të shkëlqyer nga jashtë zone. Goli i dytë në këtë Botëror për mesfushorin e Real Madrid i jep Kroacisë biletën për në raundin e ardhshëm. Ndërkohë, në kohën shtesë Argjentina kaloi nga shiu në breshër kur Ivan Rakitiq realizoi golin e tretë për kroatët, me portën e boshatisur. Vetëm lot për Leo Messin, pasi tani duhet t'i lutet Zotit që mos eliminohet që në fazën me grupe të "Rusi 2018". Në ndeshjen e fundit do të ndeshet me Islandën. 

"Gjelat" kualifikohen tutje

Franca është skuadra e tretë që kualifikohet në fazën e ardhshme të "Rusi 2018" që në raundin e dytë të ndeshjeve në grupe. "Gjelave" u mjaftoi fitorja minimale ndaj Perusë falë finalizimit të Kylian Mbappe-s, për të siguruar kualifikimin, pavarësisht rezultateve që do të prodhojnë sfidat e fundit. Nga ana tjetër Peruja i thotë matematikisht lamtumirë Botërorit, pasi edhe nëse fiton me Australinë në ndeshjen e fundit mbetet pas Francës dhe Danimarkës, që aktualisht kanë grumbulluar gjashtë dhe katër pikë. Shpreson ende te kualifikimi Australia, që sigurisht për ta arritur këtë objektiv duhet të fitojë me dy gola me Perunë (me shumë mundësi edhe me dy gola diferencë), ndërsa Franca duhet të mundë Danimarkën. Sa i përket ndeshjes së zhvilluar në stadiumin e Ekaterinburgut, pritej një fitore e lehtë e Francës me Perunë, por nuk ndodhi kështu. Peruanët bënë gjithçka për të shmangur disfatën, madje goditën edhe shtyllën me Jesus Aquino Sanchez në të 50-ën, por ishin të pafat në rastet që iu paraqitën.

Australia ende mbetet në lojë

Danimarka nuk e shfrytëzon mundësinë përballë Australisë për të siguruar kualifikimin për në fazën e ardhshme të Botërorit. Përfaqësuesja nordike barazoi 1:1 me Australinë në sfidën e dytë në Grupin C të zhvilluar në "Cosmos Arena" të qytetit të Samaras, pa qenë e aftë të ruante epërsinë e arritur që në minutën e shtatë nga Eriksen, pas një kombinimi të bukur me Jorgensen. "Socceroos" u erdhi në ndihmë VAR-i në minutën e 38-të, me gjyqtarin spanjoll Lahoz që akordoi një 11- metërsh pas prekjes së topit me dorë nga Poulsen. Nga pika e bardhë ekzekutoi saktësisht Jedinak, me skuadrat që iu drejtuan dhomave të zhveshjen në barazim 1:1. Ky rezultat mbeti i pandryshuar, edhe pse gjatë pjesës së dytë australianët ushtruan më shumë presion për të gjetur golin e fitores, por që nuk erdhi. Ky ishte barazimi i katërt në ndeshjet e deritanishme të Botërorit dhe i treti me shifrat 1:1. Danimarka me këtë barazim është më pranë kualifikimit, por edhe Australia ka shanse, edhe pse minimale, për të vijuar më tej.

 

(Kosova Sot)